Armët pa leje, dënime të ashpra

-Rrezikun që i kanoset shoqërisë e kuptojmë vetëm në ngjarje makabre si kjo e Selenicës. Ndaj dhe vendimi i parë që duhet të marrë Parlamenti në sesionin e ri është ashpërsimi i ligjit për armëmbajtjen duke përcaktuar dënime më forta taksative për këdo që lëviz me armë.

Tragjedia e Selenicës ku u vranë në mënyrë barbare tetë persona, përfshirë gra dhe fëmijë, është ndër ngjarjet më të tmerrshme në Shqipëri. Prej 48 orësh opinioni publik është i mpirë nga makthi dhe horrori i një akti të tillë, të kryer me gjakftohtësi çnjerëzore nga një 24-vjeçar. Motivet e ngjarjes (edhe pse nuk ka asnjë motiv që justifikon vrasjet) për pulat dhe gardhe fshati e bëjnë edhe më tragjike atë që ka ndodhur. Detajet rrëqethëse për fëmijën 8 vjeçar që u vra më bukë në gojë, apo për gra që janë qëlluar me 6-7 plumba kalojnë imagjinatën e çdo njeriu normal. Numri i viktimave është njëlloj sikur në Selenicë dhe Shqipëri të kishte ndodhur një akt terrorist. Ndaj dhe krimi i Selenicës nuk mund të quhet thjesht “krim në familje” dhe as të kalohet me ngushëllime dhe homazhet e zakonshme në rrjetet sociale.

Pas ngjarjeve të tilla që lënë gjurmë në gjithë shoqërinë, pyetje e parë që shtrohet është çfarë duhet bërë që vendi të mos humbasë më kaq shumë njerëz dhe shoqëria të mos lemeriset në mënyrë të tillë, krejt e shastisur. Është një pyetje që në kulmin e tragjedisë, një politikan me përvojë dhe që fatkeqësisht nuk është më pjesë e Kuvendit, Namik Dokle i dha të premten një përgjigje të shpejtë. Politikani i njohur sugjeroi mbledhjen e menjëhershme të Kuvendit dhe ashpërsimin e ligjeve për vrasjet dhe për armëmbajtjet pa leje. Janë dy ide, mes shumë të tjerave, që edhe pse nuk sjellin eliminimin e vrasjeve, të paktën do të pakësojnë makabritete të tilla dhe njerëz si Ridvan Zyka mund t’i mbajnë në burg, në vend se të bredhin rrugëve duke kërcënuar ekzistencën e të gjithëve. Kodi Penal aktual parashikon dënime nga 3 deri në 7 vjet, nëse kapesh me armë pa leje. Deri në 7 vjet nëse armët kapen në makinë ose me vete në ambiente publike dhe deri në 3 nëse armët janë në banesë. Edhe pse gjatë viteve të ndryshme dënimet janë rritur, më parë ka qenë vetëm 1-3 vjet, sërish këto masa janë të pamjaftueshme. Drejtësia shqiptare në rastet e armëmbajtjes ka një prirje për të ulur dënimet. Kapja me armë zakonisht nuk klasifikohet të krimet serioze dhe përgjithësisht dënimet jepen minimale. Ndërkohë që armëmbajtja pa leje zakonisht është parathënie e krimit ndaj personit. Po ashtu dhe mentaliteti shqiptar e cilëson mbajtjen e një arme si pjesë të traditës, gjë që sjellë dhe shumë pak denoncime tek policia. Që pas vitit 1997 shtëpitë e shqiptarëve janë mbushur me armë dhe qeveritë gjithmonë kanë bërë sikur ky fenomen nuk e ekzistuar. Rrezikun që i kanoset shoqërisë e kuptojmë vetëm në ngjarje makabre si kjo e Selenicës. Ndaj dhe vendimi i parë që duhet të marrë Parlamenti në sesionin e ri është ashpërsimi i ligjit për armëmbajtjen duke përcaktuar dënime më forta taksative për këdo që lëviz me armë.

Derisa njerëzit bëjnë burg se nuk paguajnë dritat apo bëjnë ndërtime pa leje është mëse logjike që për këdo që mban armë pa leje të ketë ndëshkime maksimale. Kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar vrasësit e ardhshëm.

Pas ngjarjeve makabre institucionet dhe shoqëria kanë nevojë për sinjale që tregojnë se gjërat mund të ndryshojnë. Dhe ndryshimi nuk bëhet vetëm duke shprehur ngushëllime, por me politika të reja të sigurisë publike. Është një ndryshim që duhet të nis jo thjeshtë me fushata për mbledhje armësh, por me strategji që fillojnë që në shkollat, gjimnazet dhe projekte në komunitet të Policisë së Shtetit. Është një betejë që nuk fitohet vetëm nga shteti, por çuditërisht këto dy ditë pas tragjedisë shteti nuk duket asgjëkundi. Nuk ka asnjë mbledhje të ekipeve të sigurisë dhe asnjë sinjal nga ana e kryeministrit se duhet një strategji e re për sigurinë publike. Madje ngjarja e Selenicës është injoruar krejtësisht si fenomen nga Kryeministri, pasi as në Facebook-un e kreut të qeverisë nuk u bë asnjë reagim, qoftë edhe formë ngushëllimi për viktimat.

Sigurisht që qeveria dhe policia nuk mund të parashikojë që një i çmendur në Selenicë mund të kryente masakër të përmasave të tilla, por ajo që ndodhi kërkon një përgjigje institucionale. Një përgjigje që nis që nga problemi i armëve dhe i të çmendurve, me dhe pa kartel, që bredhin rrugëve çdo ditë.

SHKARKO APP