Arrestimet e fundit larguan ministrin Fatmir Xhafaj
-Fatmir Xhafa nuk dha dorëheqje, por e detyruan. Ndaj opozita nuk kishte pse gëzohej për një ikje ministri, sepse tashmë kryeministri mori krejt ministrinë e policinë e shtetit ndër duar, si në kohën e Sajmir Tahirit.
-Pas lajmit se iku si ministër, në Bashkinë e Durrësit plasi shampaja, në qeveri u lehtësuan, kurse në PS u bindën se me kryeministrin Rama nuk bëhet shaka, pasi të largon në qoftëse e kundërshton. Por ministri në ikje bëri një gabim dje kur tha se “ika vetë”. Ai duhej të rrëfehej se më largoi mafia dhe pushteti i krimit.
Largimi i papritur i Fatmir Xhafaj nga detyra e ministrit të Brendshëm ka shkaktuar reagime jo vetëm te mazhoranca, opozita, por edhe të ndërkombëtarët. Një njoftim i beftë i kryeministrit në Twitter me një dokument pa datë dhe stemë zyrtare, si dhe pranimi më pas i dorëheqjes nga vetë Fatmir Xhafaj, nuk tregojnë të vertetën e asaj që ka ndodhur. Reagimet që erdhën nga politika dhe media pas dorëheqjes, në vend që të jepnin një arsye bindëse se përse u largua Ministri, në fakt vetëm sa e mjegulluan të vërtetën. Deri në orët e mbrëmjes së djeshme, në media qarkullonin më shumë se 10 variante që e detyruan ministrin të dorëhiqej. Variante që nisin nga ato më vulgaret dhe synonin t’i jepnin një goditje morale ministrit që u largua nga detyra e deri të halucinacione për video dhe sajesa që vinin nga paraardhësi i tij, siç vlonin rrjetet sociale të financuara nga qeveria. Gjithë kjo rrëmujë skenaresh duket se u ndihmua dhe nga opozita, e cila në rastin e dorëheqjes së Xhafaj nuk dinte nëse duhej të gëzohej apo të shihte me shqetësim se tashmë Edi Rama po fuste gjithçka në dorë. Dihej se mes ministrit Fatmir Xhafaj dhe kryeministri Rama nuk kishte komunikim miqësor, si dikur, bile thuhej se as nuk flisnin me njeri- tjetrin. Bile pas arrestimeve të fundit, kryeministri sa nuk pëlciste derisa ta largonte ministrin e brendshëm të lidhur në bashkëpunim me gjermanët dhe FBI.
Në historinë e dorëheqjes së ministrit të Brendshëm nuk ka nevojë për të shpikur. Për të kuptuar atë që ka ndodhur me Fatmir Xhafaj, mjafton të analizosh zhvillimet e ditëve të fundit ku institucioni që ai drejton ishte në qendër të aksioneve kundër krimit të organizuar dhe bandave të lidhura me politikën qeverisëse. Me mbështetje ndërkombëtare ai i mbijetoi sulmeve politike nga opozita si dhe kurtheve nga brenda mazhorancës. Arriti të kishte mbështetjen e FBI si asnjë ministër tjetër i brendshëm si duke pasur përkrahje të hapur edhe nga Gjermania, një shtet që ka pasur gjithmonë rezerva serioze për zbatimin e ligjit në Shqipëri. Arriti që në pak kohë të krijonte hartën e parë zyrtare të organizatave kriminale në Shqipëri, me emra dhe me mbiemra dhe premtoi goditjen e tyre. Gjithashtu, është ministri që në javët e fundit nisi operacionin më të madh policorë të zhvilluar në Shqipëri. Brenda një dite, një javë më parë, si asnjëherë tjetër u arrestuan dy ish-deputetë të PS, u goditën katër grupe kriminale dhe u futën në burg më shumë se 40 persona me precedentë të rëndë kriminalë. Grupi i Shijakut po nxirrte rrënjët e lidhjes se PS me bandat duke blerë vota dhe shantazhuar votuesit për llogari të kryeministrit. Ky ishte një operacion ku bashkë me drejtuesit e zgjedhur nga Xhafaj merrnin pjesë agjentë të SHBA dhe Gjermanisë duke e kthyer aksionin e nisur në Tiranë, në një operacion ndërkombëtarë. Është i njëjti aksion ku për herë të parë, bashkë me bandat e kokainës dhe heroinës u zbuluan lidhjet direkte me politikën qeverisëse. Emri i Vangjush Dakos në përgjimet e bandës së Shijakut është prova se lidhjet e politikës me krimin, sipas opozitës, për vota dhe pazare të tjera. Aksioni fundit i Ministrisë së Brendshme të drejtuar nga Fatmir Xhafaj tregoi më së miri se bandat ishin futur në fushatë elektorale nga deputetë, ministra dhe kryebashkiakë të PS-së dhe këtu duhen kërkuar dhe motivet që sollën “dorëheqjen”. Xhafaj, në misionin e tij për të zbatuar operacionin “Forca e Ligjit” duket se goditi atje ku edhe vetë mazhoranca nuk mund të toleronte më. Përgjimet e bandave treguan se në këtë aksion nuk po dilnin vetëm pazare droge, por edhe interesa të pushtetit e ku çështja më e rëndësishmja që trembi qeverinë ishte se po zbardhej skema se si ishin vjedhur votat nga PS-ja me ndihmën e bandave kriminale. Nëse ky hetim vijohej deri në fund, nuk do të kishim vetëm ca zyrtarë të arrestuar, por një pushtet që vihej në pikëpyetje.
Ndaj e detyruan të dorëhiqej. Xhafaj tregoi se ishte njeriu që nuk do të ndalej me arrestimet edhe kur prangat drejtoheshin mbi njerëzit e PS. Rasti i Lezhës ishte më freskëti. Por ajo çfarë i druheshin në PS, ishte një shprehje që ish-ministri e përdorte sa herë që diskutohej për kapjen e njerëzve të lidhur me qeverinë: “Kur unë futa në burg vëllain tim, nuk pyes për vëllezërit e të tjerëve”. Aludimi ishte për kryeministrin. Aksionet e fundit arritën shumë afër kupolës së PS dhe shqetësimi për një ministër që nuk i bindej kryeministrit dhe zbatonte ligjin detyroi Ramën të veprojë. Kjo frikë, nga një ministër që nuk kursen të vetët, shpjegon dhe faktin që në PS ka shumë të gëzuar që ministri i “Forcës së ligjit” iku. Festa në qeveri, pas publikimit të largimit të ministrit, sa nuk bëri që të shpërthenin fishekzjarret.
Realisht, si për ata që e sulmonin Xhafën dhe ata që shihnin me rezerva punën e tij, dorëheqja e tij nga detyra është një lajm i keq. Kur një ministër e largojnë nga detyra në kulmin e operacionit kundër krimit, ky nuk është sukses i opozitës. Ata që mburren sot janë bandat dhe zyrtarët që ishin listën e arrestimeve. “Forca e krimit” bashkë me lidhjet politike ishte më e suksesshme se operacioni Xhafës, “Forca e Ligjit”.
Fatmir Xhafa nuk dha dorëheqje, por e detyruan. Ndaj opozita nuk kishte pse gëzohej për një ikje ministri, sepse tashmë kryeministri mori krejt ministrinë e policinë e shtetit ndër duar, si në kohën e Sajmir Tahirit.
Avokat Ngjela shton se ky largim i Fatmir Xhafës ka finalizuar largimin e kryeministrit Rama. Avokati theksoi se “A e blen dot Uashingtonin, ky Rama?! JO! Atëhere ky i ka ditët e numëruara”.