Artan Didi, historia që përsëritet me policinë

 

Nga Qamil Xhani

Teksa ka firmosur letrën e dorëheqjes, Artan Didi duhet të ketë kaluar në mendjen karrierën e tij në Forcat e Rendit. Nga Ministria e Mbrojtjes tek Ministria e Brendshme, rasti e ka sjellë të përplaset me politikën. Fillimisht në vitin 2005, kur u largua nga detyra pas ardhjes së PD-së në pushtet, për shkaqe reformash politike. Dje sërish u ka thënë “lamtumirë armëve” për një çështje ku sërish përzihet politika. Në tekstin e dorëheqjes, Didi merrte përgjegjësinë morale për një shkelje të rëndë të dy zyrtarëve të policisë në zyrën e Interpolit në Tiranë. Praktikisht, dy vartësit e tij kanë shmangur ndjekjen penale për një deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Mark Frroku, i cili ka një proces ende të pambyllur me drejtësinë. Largimi i Didit është një veprim moral ndaj shkeljes së ligjit, por kjo nuk i jep fund gjithë historisë që nuk përfundon vetëm tek Drejtori i Interpolit apo Drejtori i Policisë. Madje, largimi i Didit vetëm i shton pikëpyetjet për rastin “Frroku”, por edhe për mënyrën sesi funksionojnë institucionet e vendit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duket jo normale, që dosjen e një deputeti ta ketë “fshehur” nga Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme, një vartës i vartësit të Drejtorit të Policisë. Aq më pak dhe mundësia e lapsusit teknik. Shefi i arrestuar i Interpol Tirana, Artan Bajraktari, i trajnuar dhe specializuar nga FBI-ja dhe Interpol, si zor ta ketë flakur karrierën e tij vetëm për një gabim shtypi. Aludimet janë të qarta se dosja e Frrokut duhet të mbahej në heshtje përsa kohë të ishte e mundur. Nuk ishte diçka që jo zyrtarisht nuk njihej. Opozita prej  një viti kishte denoncuar problemet me drejtësinë të deputetit, që ishte pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste. Mediat kanë shkuar në jo pak raste për gjyqin e tij në Belgjikë. Në gjithë këtë situatë, kemi deputetin që ka folur disa herë duke këmbëngulur se nuk ka probleme me drejtësinë dhe vetë institucionet shqiptare që e paskan ditur, por e kanë fshehur. Pra, të gjithë e dinin, por tani që skandalet po pasojnë njëri-tjetrin, gjithë përgjegjësia kalon tek kreu i Policisë së Shtetit. Shkresat e fundit të Interpolit tregojnë se dokumentet janë “fshehur” që në vitin 2014 dhe jo në janar të vitit 2015. Një informacion i tillë nuk mund të mbahej i fshehur për një kohë të gjatë vetëm nga një specialiste apo shef i Interpolit në Tiranë. Aq më tepër, kur e dinin që rrezikonin burgun, siç edhe ndodhi mbrëmjen e së hënës. Këtu nuk bëhet fjalë se informacioni iu fsheh publikut, apo u ruajt ndonjë sekret hetimor apo shtetëror. Këtu është vënë në pikëpyetje serioziteti i shtetit duke lënë, sipas dyshimeve të prokurorisë, një të kërkuar ndërkombëtar për vrasje, të shëtiste lirisht dhe të votonte ligje në sallën e Kuvendit. Për më tepër, institucionet e drejtësisë janë vënë në pikëpyetje edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë . Si mund të besohet për bashkëpunim tek policia shqiptare për luftën kundër trafiqeve, kundër terrorizmit apo çështjeve të tjera, kur prej muajsh nga Tirana nuk bëhej asnjë procedurë normale verifikimi?

Swiss Digital Mobile Reklama

Largimi i djeshëm i Didit, është një veprim i cili i heq edhe atë pjesë të suksesit që pati në drejtimin e Policisë së Shtetit. Aksionet e Lazaratit, Malësisë së Madhe, kapja e sasisë më të madhe të kokainës në Xibrakë ishin operacione që mbanin firmën e kreut të Policisë. Përballë një policie të para vitit 2013, Didi solli një model ndryshe të funksionimit të forcave të rendit. Por sado sukses që të ketë pasur si Drejtor i Policisë, rasti “Frroku” e hodhi poshtë modelin e tij. Ndryshimet duket se ishin vetëm në formë, sepse historia e dosjes së Interpolit nuk ka asnjë ndryshim me policinë e para vitit 2013. Ky rast është një sinjal për ministrin Tahiri. Si drejtues i Ministrisë më të madhe dhe më të rëndësishme në vend, skandali që plasi duhet ta bëjë të mendojë se sado të kërkoj transformimin e forcave të rendit, vetëm një shkresë e vartësve të tij mund të bëjë pis gjithë punën që ka bërë. Në këtë pikë, nuk mund të flitet për Didin vetëm si funksionar i lartë i policisë. Dëmi moral që kjo histori i ka sjellë Policisë, do të shihet edhe më vonë. I akuzuar që në ditën e parë të marrjes së detyrës si një përfaqësues politik i zgjedhur nga Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm në Drejtorinë e Policisë, Didi dje vetëm sa konfirmoi dyshimet e opozitës. Hyri në polici si një ish-ekspert i nxjerrë në lirim politikisht nga PD-ja në vitin 2005 dhe po largohet si një drejtues policie, siç duket i përdorur politikisht.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?