As Kejnsi e as Fridmani s’i bëjnë derman ekonomisë shqiptare

 

Nga Eduard Zaloshnja.

Në mendimin ekonomik botëror, kanë konkuruar dy shkolla të kundërta rreth rolit të shtetit në zbutjen e cikleve të ekonomisë së tregut – ajo fiskale dhe ajo monetare. Nobelisti John Maynard Keynes ishte themeluesi i shkollës së mendimit ekonomik që i sheh politikat fiskale si instrumentin kryesor të ndërhyrjes së shtetit në rastet kur rritja ekonomike frenohet dhe hapja e vendeve të reja të punës vështirësohet. Ndërsa nobelisti Milton Friedman ishte themeluesi i shkollës së mendimit ekonomik që këtë rol ia njeh politikave monetare. Deri më sot, në përgjithësi, qeveritë e majta në botën demokratike kanë përqafuar shkollën kejnsiane, ndërsa të djathtat kanë përqafuar atë fridmaniane.

Kështu për shembull, Presidenti Ruzvelt, një nga dishepujt e parë të shkollës kejnsiane, e rriti ndjeshëm borxhin publik të SHBA-së dhe i përdori fondet e grumbulluara për investime në infrastrukturë, duke ulur kështu papunësinë e lartë të shkaktuar nga depresioni i fortë ekonomik i viteve 1929-33.

Ndërsa presidenti Regan, një dishepull i zjarrtë i shkollës fridmaniane, emëroi një guvernator të bankës qendrore, i cili ndërhyri fort në ofertën e parasë në qarkullim, gjë që e uli inflacionin vjetor nga 13% në 4% brenda një katërvjeçari. Ndërkohë, Regani uli taksat ndaj individëve dhe bizneseve, duke pakësuar kështu mundësinë e buxhetit federal për ndërhyrje fiskale në ekonomi dhe duke ia lënë bankës qendrore shkopin e dirigjentit ekonomik.

 

Pas kësaj hyrjeje të shkurtër rreth shkollave të mendimit ekonomik mbi rolin e shtetit në zbutjen e cikleve të ekonomisë së tregut, le të vijmë tek ekonomia aktuale shqiptare.

 

Ka dy vjet që Rama është kryeministër i vendit. Por, pavarësisht se kryeminstër është Rama e jo Berisha, pavarësisht se njëri është “i majtë” e tjetri “i djathtë”, pavarësisht se njëri hiqet si partizan i shkollës kejnsiane e tjetri i asaj fridmaniane, ekonomisë shqiptare i duhet të lundrojë mes dy brigjeve shkëmbore të rrezikshme. Dhe ja përse.

 

Bazuar në të dhënat më të fundit të faqes së internetit të CIA-s për Shqipërinë dhe të raportit të The Economist Intelligence Unit, mund të llogaritet se në vendin tonë konsumohen brenda një viti mallra e shërbime të ofruara nga privatët dhe shteti me vlerë rreth 11.5 miliardë dollarë (shteti dhe organizata bamirësie private ofrojnë disa shërbime e mallra falas, por sidoqoftë edhe ato e kanë koston e tyre). Në vlerën e mallrave/shërbimeve që konsumohen në Shqipëri, është e trupëzuar vlera prej 3.4 miliardë dollarë e mallrave/shërbimeve që importohen, ndërkohë që trupëzohen edhe rreth 1.2 miliardë dollarë në formën e konsumimit të makinerive dhe mjeteve të importuara. Me fjalë të tjera, për çdo 100 dollarë mallra e shërbime të konsumuara në Shqipëri, rreth 40 dollarë shkojnë jashtë vendit për të mbuluar vlerën e importeve të trupëzuara në to.

 

Për ta bërë paragrafin e mësipërm më të kuptueshëm për lexuesin, le të sjellim disa shembuj.

 

Sa herë blejmë një bukë në dyqanin pranë shtëpisë, më shumë se gjysma e 800-lekëshit që paguajmë shkon për të mbuluar importimin e grurit dhe konsumimin e makinerive, automjeteve, karburantit e materialeve të tjera të importuara që nevojiten për prodhimin dhe transportimin e miellit dhe, më pas, të bukës. Ndërsa kur blejmë domate të prodhuara në sera diku në Myzeqe, rreth 40% e çmimit mbulon konsumimin e impianteve, automjeteve, karburantit, e materialeve të tjera të importuara që nevojiten për prodhimin dhe transportimin e tyre. Për të mos folur pastaj për cigaret apo mallrat elektronike, në çmimin e të cilave importi është trupëzuar në nivelin mbi 75%.

 

Por si ia kemi dalë ne që të dërgojmë jashtë Shqipërisë 40 dollarë për çdo 100 dollarë mallra dhe shërbime të konsumuara në vend?

 

Së pari, ky deficit është mbuluar nëpërmjet eksporteve të mallrave e shërbimeve shqiptare, të cilat kapin shifrën e 1.6 miliard dollarëve në vit. Së dyti, nëpërmjet dërgesave të emigrantëve, të cilat, kohët e fundit, mezi arrijnë nivelin e rreth 1 miliard dollarëve në vit. Së treti, nëpërmjet ndihmave dhe kredive të huaja që merr shteti dhe privatët shqiptarë, të cilat janë në nivelin 0.8 miliardë dollarë në vit. Së katërti, nëpërmjet investimeve të huaja direkte, që kapin shifrën e 0.8 miliardë dollarëve në vit.

 

Po t’i mbledhim së bashku këto burime, bëjnë rreth 4.2 miliardë dollarë. Pra, mbeten edhe 0.4 miliardë për të mbuluar 4.6 miliardë dollarët e importit të trupëzuar në vlerën e mallrave dhe shërbimeve që konsumohen çdo vit në vend. Dhe ku gjenden këto 0.4 miliardë dollarë? Duhet të jenë paratë e trafiqeve ilegale dhe paratë e pista që futen në Shqipëri…

 

Duke parë listën e burimeve të financimit të deficitit tonë tregëtar, mund të thuhet se dy syresh kanë patur prirje zbritëse kohët e fundit. Së pari, dërgesat e emigrantëve janë vazhdimisht në ulje, për shkak të krizës ekonomike që ka mbërthyer vendet ku punojnë shumica dërrmuese e tyre, si dhe për shkak të shkëputjes graduale të lidhjeve me vendin e origjinës. Së dyti, paratë e trafiqeve ilegale dhe paratë e pista nga jashtë janë vazhdimisht në ulje, për shkak të trysnisë që ushtrojnë fqinjët tanë europianë ndaj qeverisë për t’i luftuar ato.

 

Si rezultat i pakësimit të këtyre dy burimeve të valutës, leku është zhvlerësuar gradualisht ndaj euros në 6 vitet e fundit – në vitin 2009, 1 euro shkëmbehej me 125 lekë ndërsa sot me 140 lekë.

 

 Në këto kushte, Shqipërisë nuk i bën derman një ndërhyrje afatshkurtër kejnsiane apo fridmaniane – asaj i duhet të adoptojë një reformë strukturore afatgjatë që do të stimulonte zëvendësimin e mallrave të importit me prodhime vendëse, si dhe rritjen e eksporteve. Kjo gjë, përveç ndikimit në zbutjen e deficitit tregëtar, do të ndikonte edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, në kushtet kur ndërtimi dhe industritë e lidhura me të kanë pushuar së qeni lokomotiva e ekonomisë shqiptare.

 

Por stimulimi i prodhimeve vendëse (për konsum të brendshëm dhe eksport) kërkon ndërhyrje fiskale afatgjata, ose ndërhyrje monetare afatgjata, ose të dyja.

 

Në ndërhyrjet fiskale afatgjata përfshihen subvencionet, investimet e drejtpërdrejta të qeverisë në infrastrukturë dhe/ose mjete prodhuese, lehtësirat tatimore, tarifat doganore, etj. Por qeveria shqiptare ka disa pengesa financiare dhe institucionale për t’i realizuar ndërhyrje të tilla.

 

Së pari, niveli i borxhit publik është i tillë që nuk i jep luksin qeverisë të përdorë buxhetin e saj për të stimuluar për shumë vite prodhimin vendës. Sipas FMN-së dhe Bankës Botërore, niveli i borxhit publik të Shqipërisë duhet të jetë sa 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që ai ka arritur në nivelin alarmant 70%.

 

Së dyti, marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), Bashkimin Europian (BE), etj. e kufizojnë mundësinë e qeverisë për të manovruar me tarifat doganore të mallrave të importuara apo me subvencionet e eksporteve.

 

Në ndërhyrjet monetare afatgjata përfshihen mbajtja e normës bazë të interesit në nivele shumë të ulta për një kohë të gjatë dhe ndërhyrjet e drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme të bankës qendrore në tregun e bonove të thesarit. Në qoftë se këto ndërhyrje vazhdojnë me vite, rezultantja do të ishte rritja e ndjeshme e parave në qarkullim dhe zhvlerësimi i mëtejshëm i lekut ndaj valutave kryesore. Nga ana e vet, një lek edhe më i zhvlerësuar ul koston e punës së prodhimit vendës, meqë rrogat paguhen në lekë. Pra, prodhimi vendas mund të konkurojë me atë të huaj, si në tregun vendës dhe atë të eksportit.

 

Por ndërhyrje të tilla afatgjata monetare nuk janë pa kosto. Zhvlerësimi i mëtejshëm i lekut ndaj valutave kryesore do të rriste çmimet e mallrave që sot vijnë nga importi. Dhe kjo do të godiste rëndë konsumatorët me të ardhura të pakta, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë. Me fjalë të tjera, derisa prodhimi vendës të zëvendësojë shumë nga mallrat e importit (Zoti e di për sa vjet), shumë shqiptarëve do t’u duhet ta shtrëngojnë rripin fort në këtë skenar.

 

Me pak fjalë, mund të thuhet se, pavarësisht se kryeminstër është Rama e jo Berisha, pavarësisht se njëri është “i majtë” e tjetri “i djathtë”, pavarësisht se njëri hiqet si partizan i shkollës kejnsiane e tjetri i asaj fridmaniane, qeverisë shqiptare do t’i duhet të përballet nga njëra anë me FMN-në, BB-në, OBT-në, BE-në etj., në lidhje me ndërhyrjet afatgjata fiskale, dhe nga ana tjetër, me shumicën e konsumatorëve shqiptarë dhe kreditorët e huaj, në lidhje me ndërhyrjet afatgjata monetare.

 

Kejnsi dhe Fridmani kanë dhënë receta për ndërhyrje afatshkurta, ndërsa Shqipëria ka nevojë për një kurë të vështirë afatgjatë – për një reformë të thellë strukturore…

SHKARKO APP