Ato plumba na vranë të gjithëve
Nga Qamil Xhani.
Ende pa dalë nga mjegulla e misterit zhdukja e tre studentëve çekë vjeshtën e 14 viteve më parë, Lenka Tuçkova, Mihal dhe Jan Pevelika, dy të rinjë çekë gjejnë vdekjen mbrëmjen e së premtes në të njëjtin territor.
Në median ndërkombëtare lajmi për vrasjen e dy turistëve është shpërndarë me të njëjtën shpejtësi si për ngjarjet ku ka pasur sulme terroriste, Tunizi apo gjetkë. Është nga ato raste ku imazhi i vendit dëmtohet në mënyrë gati totale. Është e kotë të paguash miliona euro në agjencitë ndërkombëtare për publicitet. Të organizosh konferenca ndërkombëtare mbi rolin e Shqipërisë si faktor garantues i paqes në rajon. Të investosh pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit për të tërhequr turistët dhe për t’i thënë botës se Shqipëria është një vend normal si gjithë shtetet e tjera në Europë. Në fund, pasi i ke bërë të gjitha këto, një akt kriminal kusarie, si ai i së premtes, hedh në erë gjithë imazhin e një kombi dhe merr jetë njerëzish të pafajshëm.
Michael Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeç, u qëlluan në mënyrë barbare teksa kishin zgjedhur Shqipërinë si vend për të kaluar pushimet. Detajet e një krimi makabër që po zbulohen për opinionin orë pas ore, i ngjajnë një filmi horror. Mënyra e vrasjes, inskenimi i një aksidenti, futja në kurth dhe çdo element i krimit plotëson imazhin e një vendi ku fjalët ‘siguri’ dhe ‘rend publik’ mungojnë në mënyrë të frikshme.
Pas kësaj ngjarje, duket se e kanë humbur vlerën dhe ato cilësi që media, shoqëria dhe elita politike i servir në dyert e Europës si medalje në gjoksin e Shqipërisë; respektin për mikun (nënkupto turistin) dhe tolerancën. Dy të rinjtë çek nuk njohën asnjë meritë të tillë tek shqiptarët. Në një vend që mburret me fjalët e urta se “shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”, u masakruan në mënyrë barbare. Në mes të natës, në një pritë kusarësh. Në vend të mikpritjes morën nga një plumb në kokë.
Kjo histori edhe pse ka autorë konkretë, të cilët deri mbrëmjen e djeshme nuk kishin rënë ende në pranga, na bën me turp të gjithëve. Në rrjetet sociale ka thirrje për rikthimin e dënimit me vdekje. Britmat emocionale nuk ndryshojnë asgjë. As dënimi me vdekje nuk besoj se do të ndihmojë për të shmangur raste të tjera. Nëse do të ishim kaq solidarë ndaj së keqes, brenda pak orëve do ishin gjetur autorët, pa qenë nevoja për të dhënë as 30 mijë euro shpërblim. Nëse akte të tilla do të sillnin vërtet këtë shkundje të opinionit nuk do ndodhte çdo vit që shqiptarët e Kosovës të grabiteshin sistematikisht në prita tek Rruga e Kombit. Nëse institucionet do të shqetësoheshin vërtet për turistët, nuk do ndodhnin me dhjetëra aksidente vdekjeprurës në akset rrugore në bregdetin e jugut. Shteti dhe bizneset e turizimit nuk mund t’i shohin të huajt vetëm si bankomat për të marrë para.
Teksa promovojmë plazhet e virgjëra, Alpet e mrekullueshme dhe bukuritë natyrore të paçmueshme, duhet të kuptojmë se kemi harrur gjërat e tjera elementare. Shqipëria mund të jetë një parajsë për çmimet dhe për bukuritë natyre, por ka ende shumë për të bërë për sigurinë. Por jemi, siç duket, dhe një popull që kemi probleme me kulturën, me civilizimin dhe zbatimin e ligjit.
Turistët çek, jo vetëm viktimat e së premtes, por edhe ata që kanë humbur jetën më parë, janë dëshmia më e saktë e mungesës të infrastrukturës së sigurisë. Vrasja e dy të rinjve mund të ketë shumë të panjohura. Por fenomeni që ka nisur të quhet “Mallkimi i Çekëve” njeh raste të tjera, ku nuk kanë funksionuar as elementët më minimalë të sigurisë, që nga cilësia e rrugëve, siguria e aktiveve në dete, lumenj, alpinizëm dhe së fundmi, mungesa e forcave të rendit.
Ndaj kur institucionet dhe ministrat trumbetojnë Shqipërinë si destinacion turistik, duhet të kenë parasysh se nuk i ofrojmë të gjitha. Madje kujtohemi për ato që nuk i kemi vetëm kur na ndodhin gjëma që na fyejnë si shtet. Kemi plazhe dhe male të virgjëra, por siç duket edhe një pjesë njerëzish që ende mbeten barbarë, që janë gati të të vrasin për disa qindra euro që mund të ketë turisti në xhep.
Sigurisht, krimi nuk është kolektiv. Çdo shoqëri, shtet apo komb ka vrasësit e vet. Histeria e mallkimit të një fshati, një krahine apo vetëmallikimit të kombit, që nga e premtja është kthyer në virus social. Nuk zgjidh asgjë. Nuk ndryshon situatën, përveçse diskriminon me pa të drejtë një zonë ta caktuar. Krimi ka autorë dhe autorët duhet të ndëshkohen. Vrasësit nuk na përfaqësojnë ne. Nuk përfaqësojnë as Thethin, as Dukagjinin dhe as Shkodrën, as kombin. Përfaqësojnë vetëm krimin. Nëse autorët nuk kapen dhe ngjarja me gjithë pikëpyetjet e shumta nuk zbardhet, atëherë po, kemi të drejtë të shajmë gjithë ditën, jo banorët e zonës, por institucionet.
Ajo dorë që vrau të rinjtë çek që zgjodhën malësinë e Shqipërisë për një aventurë pushimesh që pati një përfundim tragjik, nuk vrau vetëm Michael Svatos dhe Anna Kosinova, por të gjithëve ne që guxojmë deri dje të besonim se imazhi i vendit tonë tashmë ishte hequr nga lista e vendeve të rrezikshme për të huajt. Ato plumba na përshkuan të gjithëve, duke vrarë besimin te traditat shekullore e besës dhe mikpritjes. E vetmja krenari që kishim zgjodhëm ta vrisnim në një pritë kusarie dhe ta vajtojmë në një histeri kolektive që ka shpërthyer në rrjetet sociale.
Ato plumba kanë rënë mbi sejcilin prej shqiptarëve!