Bankat shqiptare rrezikohen nga borxhlinjtë biznesmenë
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:46
Përsëri FMN, Banka Botërore dhe Banka e Shqipërisë po bërtasin më të madhe për rrezikun e falimentimit bankar dhe asfiksimin e krejt ekonomisë shqiptare për shkak të kredive të këqija të 35 personave në Shqipëri. Niveli i lartë i kredive me probleme në Shqipëri ndikon jo vetëm në mbarëvajtjen e stabilitetit financiar, por pengon dhe mbështetjen e ekonomisë me fonde. Është ky alarmi i dhënë nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mbledhjen vjetore të FMN – së dhe Bankës Botërore të mbajtur në Lima të Perusë. Në takimin ku merte pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, përfaqësues të lartë të FMN – së theksuan domosdoshmërinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje pasi ka nje rëndësi të veçantë, jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë.
I rëndësishëm sipas drejtuesve të FMN – së është zbatimi i planit të veprimit ndërinstitucional dhe masave të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e nivelit të kreditimit dhe uljen e kredive me probleme.
Shqetësimin për nivelin e lartë të kredive me probleme e ka dhënë edhe Banka Botërore e cila tha se ky është një nga problemet më të mëdha që i kanoset ekonomisë së vendit, pasi frenon më tej kreditimin. Sipas të dhënave të fundit të shoqatës së bankave të Shqipërisë niveli i kredive me probleme nuk shënoi asnjë përmirësim krahasuar me muajin korrik. Huaja e pakthyer në banka në muajin shtator mbeti në të njëjtin nivel prej 21% , ashtu si gushti. Nga 125 miliardë lekë apo 1 miliardë dollarë që është totali i kredive të pakthyera, 70 miliardë lekë janë para të pakthyera nga 35 biznese të mëdha në vend.
Për 7 prej të cilave tashmë kanë nisur procedurat e falimentit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pasi janë debitorë edhe në pagesat e detyrimeve në shtet. Ministria e Ekonomisë i ka dërguar 12 institucioeneve në vend 13 pikat e planit për masat që do të merren në uljen e kredive me probleme, ku brenda muajit tetor Banka e Shqipërisë duhet të ketë gati një analizë të plotë dhe një plan masash për adresimin dhe trajtimin e 35 kompanive të mëdha që kanë kredi të pakthyera në bankat e vendit, vlera e të cilave ka frenuar kredidhënien. Banka e Shqipërisë duhet të deklarojë emrat e tyre. Vetëm në muajin shtator të këtij viti sipas Bankës së Shqipërisë, kredia në ekonomi ra me 6.6 miliardë lekë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Pra 35 persona në Shqipëri kanë bllokuar gjithçka në ekonomi, pasi duke mos paguar kreditë e përfituara nga bankat jo vetëm bllokojnë kredimin e mëtejshëm të bankave ndaj biznesit të mesëm e të vogël, por shterojnë edhe ekonominë sepse mungesa e kreditimit sjellë moszhvillim dhe falimentim të çdo biznesi që ka nevojë për pak frymëmarrje në kredi të vogla. Procesi për falimentimin e këtyre biznesëve problematikë të cilët po pengojnë gjithçka duket se po pengohet nga kryeministri dhe ministri i Financave duke ndërhyrë me forma të ndryshme pranë bankave të nivelit të dytë , edhe duke iu bërë presion për tatimet etj, në mënyrë që të mos çojnë në gjykatë këto 35 kompani, të cilat kanë pronarë të mëdhënjë që janë lidhur me politikën e ditës. Mundet politika ti përdorë paratë e tyre, që në thelb janë të publikut, dhe në fund të mos i paguajnë bankave kredinë me pretekstin se “ kemi falimentuar”, ndërkohë që dhjetra milionë euro i kanë investuar nën emra të tjerë që ti ikin sekuestrimit të bankave. Janë borxhlinjë, por kanë plot prona të mëdha të fshehura për ditë të vështira.
Banka e Shqipërisë ka detyrimin ligjor e publik që të jap emrat zyrtarisht se cilat janë kompanitë dhe pronarët e këtyre 35 borxhlinjve të këqinjë që po vërdallosin krejt Shqipërinë. Këta të 35-tët po përdorin dhjetra milionë euro dhe tallen me djersën e njërëzve që bëjnë biznes korrekt dhe ana tjetër nuk paguajnë kreditë qindramilionëshe, pra kanë të nevojë të dalin në publik nga Banka e Shqipërisë. Por ka informacione se një pjesë e tyre kanë kërcënuar Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko që nëse guxon të jap për median emrat e tyre që janë rrethuar nga 1 miliardë dollarë borxhe të papaguara bankave të nivelit të dytë, atëhere do ta ketë punën pisk. Kjo të paktën përflitet koridoreve të Bankës së Shqipërisë, pasi kur iu kërkon informacion, i cili nuk është sekret as shtetror e as bankar, të përgjigjen se ishte gati lista për ta bërë publike, por Guvernatori Sejko ka frikë se mos i ndodhë gjë nga dy prej borxhlinjëve më problematikë e që nga moria e kredive ata, të dy,kanë filluar të flasin me vete në rrugë e lokale.
U ka ikur “petulla” të thonë edhe në bankat e nivelit të dytë kur u kërkon emrat më problematikë për kreditë qindramilionëshe e që kanë pak ose aspak shpresa se do ti kthejnë duke rënduar edhe depozitat e qytetarëve, të thonë se kemi lajmëruar policinë pasi janë shumë të rrezikshëm. Në raste të tilla jo vetëm që kanë marrë kreditë dhe nuk i kthejnë, porse na dalin edhe “trima” e ndërkohë nuk vepron shteti ligjor që tju sekuestrojë ato biznese që kanë sipas ligjit.
35 veta po çmendin bankat dhe krejt Shqipërinë. Por ka rrezik që ndonjë bankë e nivelit të dytë të falimentoj dhe efekti zinxhir nuk i dihet se ku ndalon.
Qamil Xhani