Basha dhe opozita: Edi Ramën do ta tërheqim zvarrë në Tiranë
Opozita po përgatitet që protesta e datës 13 prill të mos jetë si të tjerat deri më tani. Që nga muaji shkurt kur deputetët dogjën mandatet dhe kërkuan qeveri tranzitore për zgjedhje të parakohshme, reagimi i mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama ka shërbyer për nxitjen e tensioneve dhe jo gjetjen e dialogut. Së fundi, kryeministri deklaroi dje nga Librazhdi se nuk do të pranojë asnjë nga kërkesat e opozitës dhe as do të ulet në takim. Gjithashtu, kreu i qeverisë shprehu vendosmërinë se Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhjet vendore edhe pa opozitën. Ndërkohë Kuvendi vijon të mbushet me deputetë të blerë dhe me emra anonimë që merren nga fundi i listave dhe thonë se do të përfaqësojnë opozitën zyrtare. Veç këtyre manovrave, qeveria ka hedhur dhe idenë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, si dhe votimin e ndryshimeve në Kodin Penal dhe ligje të tjera të rëndësishme me deputetët e “blerë”. Një nga këto ndryshime ligjore është dyfishimi i dënimit për veprën penale të “goditjes ndaj detyrës”. Mes shumë problemeve që ka Shqipëria, ndryshimi i Kodit Penal vetëm për të ruajtur deputetët dhe qeveritarët nga përplasje fizike që mund të kenë me protestuesit, është vendim paradoksal.
Tashmë opozita ndodhet përballë një projekti rilindas që nuk kërkon vetëm mundjen e kundërshtarit opozitar, por asgjësimin total të saj. Jo rastësisht, 24 orë pasi PD dhe LSI dorëzuan mandatet, Edi Rama urdhëroi KQZ-në që të niste zëvendësimin e deputetëve që ikën me emrat anonimë të blerë si në “pazarin e Milotit”. Sigurisht vendimi i opozitës ishte politik dhe pa kthim pas, por ligji parashikon se procesi i zëvendësimit të mandateve zgjat të paktën 30 ditë. Gjatë kësaj kohe, nëse qeverisa do të kishte interes për negociata me opozitën mund të ishte vënë në lëvizje për të gjetur zgjidhje kombëtare. Nëse vërtet Edi Ramës i interesonte procesi i integrimit dhe normaliteti në vend do të kishte hezituar për t’i nxjerrë jashtë ligjit. Por kryeministri nuk humbi asnjë minutë kohë, madje shpejtoi të mbyllte punët dhe pazaret me deputetët e rinj. Pra, hapi luftën me opozitën reale dhe zyrtare, luftë për jetë a vdekje. Përgatitjet që po bëhen nga partitë e opozitës dhe qytetarët për 13 prillin, flasin për një protestë që do të jetë ndryshe nga ato që kemi parë deri më sot. Kriza ka arritur pikën e shpërthimit dhe qëndrimet e Edi Ramës vetëm sa provokojnë përkeqësimin e situatës. Ndaj dje, mes radhëve të opozitës dhe qytetarëve u hodhën dhe thirrje që i kujtonin kreut të qeverisë, Edi Rama, se do të ketë të njëjtin fund si diktatori komunist i Rumanisë, Nikolai Çaushesku.
Lulzim Basha nga Berlini, në një vizitë zyrtare, tha se është me kërkesat e popullit opozitar për ta tërhequr zvarrë kryeministrin më 13 prill, nëse ai nuk dëgjon zërin e arsyes për të lenë pushtetin e fituar nga votat e blera nga krimi dhe për të bërë shtetin e së drejtës.
Më 13 prill vendimi është marrë se nuk ka largim nga kryeministri derisa kryeministri të japë dorëheqje për t’i hapur udhë një qeverie mbarëkombëtare e cila të marrë në dorë fatet e negociatave me BE në qershor dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të gjithpranuara.
Me sa duke,t reagimi i djeshëm i kryeministrit nga Librazhdi se nuk do të negociojë me Bashën dhe Kryemadhin, po i shton dozën e përplasjes më 13 prill./Qamil Xhani/