Basha dhe Rama si “vëllezërit siamezë”
Nga Qamil Xhani
Listat e kandidatëve për deputet të PS dhe PD mund të jenë më “idealet” për kryetarët Edi Rama dhe Lulzim Basha. Mund të kenë emrat që, sipas tyre, i çojnë drejt fitores. Por sado të gjesh anë pozitive në këta emra kandidatësh, nuk mund të heshtësh kur sheh se si PD dhe PS kanë vrarë përfundimisht mendimin ndryshe dhe demokracinë e brendshme në parti. Rama dhe Basha kanë larguar kritikët, kanë hequr njerëzit me histori në parti dhe kanë eliminuar disa politikanë me identitet të spikatur. Rama i ka dhënë provat e zhbërjes së historisë së PS-së që kur mori drejtimin e saj. Ndërsa Basha shihej si një model i ri në politikë. Për shkak të formimit të tij perëndimor, pritej që Basha të kishte një sjellje më moderne ndaj kundërshtarëve në familjen e tij politike. Me listën e dorëzuar të shtunën në KQZ, Basha konfirmoi se është një lider i ri vetëm në moshë, pasi mentalitetin e ka të njëjtë si paraardhësit e tij në PD dhe në politikën shqiptare. Basha kishte mundësi të tregonte se ishte i ndryshëm nga Edi Rama duke ndërtuar një PD të hapur, një “Republikë të re” siç ka deklaruar. Ndërkohë, emrat e përjashtuar në listë tregojnë vetëm se Basha u kthye në një kopje të Ramës. Nuk ka më asnjë ndryshim mes tyre, aq sa ngjajnë si “vëllezër siamezë”, në sensin sesi drejtojnë partitë e tyre.
Për të kuptuar se të dy, Rama dhe Basha kanë të njëjtat sjellje mjafton një përmbledhje e veprimeve të tyre që kanë bërë në parti. Humbja e demokracisë në Partinë Socialiste ka nisur që pas vitit 2005, kur Rama largoi me radhë ish- drejtuesit dhe deputetët e Fatos Nanos. Në disa raste ishte e nevojshme që të bëheshin ndryshime, por zelli për të larguar emrat e njohur në PS bëri që Rama të hiqte nga listat edhe deputetët që dikur e kishin ndihmuar që të ngjiste shkallët e karrierës politike. Për shkak se i mungonte mbështetja në bazën e PS-së, Rama u tregua i duruar deri në vitin 2013. Në momentin që kishte forcuar pozitat e tij në parti, nisi spastrimet e gjithë deputetëve që i shihte si kundërshtarë. Lista është e gjatë, por Arben Malaj, Marko Bello, Andis Harasani ishin disa nga emrat që u hoqën nga kandidimi duke u ndërprerë karrierën politike. Pastrimin e Partisë, Rama, nuk kishte si objektiv vetëm në opozitë, por e thelloi më tej me ardhjen në pushtet. Pas vitit 2013 përjashtimi më emblematik është ai i Ben Blushit, njeriut që dikur e ndihmoi Ramën të hynte në PS, si dhe të merrte partinë pas ikjes së Nanos. Në të njëjtën mënyrë u soll dhe me Koço Kokëdhimën mikun më të afërt në politikë dhe me deputetë si Arta Dade e Valentina Leskaj. Të gjithë këto emra kanë nga një histori personale për arsyet e largimit. Ajo që i bashkon është se të gjithë kanë qenë zëra me autoritet që jo gjithmonë kanë qenë dakord me qëndrimet e Edi Ramës dhe e kanë kundërshtuar hapur. Sidomos Blushi dhe Kokëdhima.
Pothuaj identike kanë qenë dhe veprimet e Lulzim Bashës. Për shkak se e ka ish-kryetarin ende në parti, Bashës nuk i është dashur t’i kundërvihet Berishës siç ndodhi me sherrin Rama-Nano në PS pas vitit 2005. Por në këmbim të kësaj, Berisha i ka lënë dorë të lirë Bashës të “masakrojë” këdo që nuk ka mbështetjen e tij dhe shihet si rrezik nga kreu i ri i partisë. Deri disa javë më parë Basha përmendte shpesh faktin se ishte i hapur për kritika dhe dëgjonte me respekt këdo që i dilte kundër në PD. Ky qëndrim i Bashës u pa si një model i ri në politikë. U pa si një politikan që jo vetëm ishte ndryshe nga Rama, por shumë herë më hapur për debatet sesa Berisha në parti. Por politikanët duhen vlerësuar jo kur flasin, por kur marrin vendime. Basha e pati në dorë rastin e tij dhe herën e parë që mori vendime të rëndësishme prodhoi listën më të sikletshme në historinë e kandidatëve të PD-së. Mjafton të shikosh emrat që ka larguar dhe u ka ndërprerë karrierën politike në PD. Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Arben Imami, Ritvan Bode etj., janë emra që mirë apo keq kanë histori fitoresh dhe betejash të rëndësishme politike në PD, por janë larguar pa asnjë arsye bindëse. Kryetari i PD-së, Basha, me këtë listë kishte mundësinë të tregonte se ishte politikan i ri dhe modern që pranonte kritikët. Natyrisht që Basha ka bërë lëvizje të mira në disa emra, të cilët ishin antipatikë në publik. Por kishte mundësinë të dilte mbi politikanët e derisotëm. E linte në listë të kandidimit Topallin, edhe Patozin, edhe Bregun, pasi manifestonte në publik se nuk mban mëri dhe se pranon diversitetin e mendimit. Po ta bënte do të ishte lideri ndryshe. E kishte shansin, por e humbi. Mundet edhe nga stërlodhja e çadrës, mundet edhe nga dëshira për të mos pasur kritikë në selinë e PD-së nëse humbet zgjedhjet.
Të njëjtën frikë ka pasur dhe Edi Rama që kur ka marrë drejtimin e PS-së. Sa herë ka toleruar kritikët e ka bërë jo nga respekti për demokracinë e brendshme në parti, por ka pritur momentin që “t’i heq qafe” nga kandidimi para zgjedhjeve. Njëlloj si të ishte vëllai i tij siamez, të njëjtën skemë përsëriti këto ditë dhe Basha.
Nuk është problemi vetëm se ikën disa deputetë nga Kuvendi. Por këto vendime tregojnë se demokracia e brendshme në PS dhe PD ka handikape serioze. Dhe nëse partitë që na qeverisin nuk njohin asnjë parim demokratik është e kotë të gënjejmë veten se këta kryetarë do e bëjnë Shqipërinë më demokratike.
Lulzim Basha duke dashur të justifikohej mbrëmë në miting tha se çadra vendosi, pra nënkuptoi se kush ka pasur mendim ndryshe, “çadra” e hoqi. Por lideri i opozitës, pa dashje, nga halli për t’u justifikuar para demokratëve për listën e kandidatëve tregoi një sekret. Një sekret që lidhet me pazarin e fshehtë që ka bërë me Edi Ramën. Ai tha se listën e kandidatëve për deputet herën tjetër do ta bëni ju, pra populli. Populli ka në dorë kur ka sistem të pastër mazhoritar. Pra, ku e di Lulzim Basha se çdo bëhet në shtator?! Apo kanë rënë dakord me Ramën, jo vetëm për bashkëqeverisje, por edhe me Kodin Zgjedhor?! Po pse e mbajnë të fshehtë pazarin, ndërkohë duhet të jenë transparentë?
Lulzim Basha zbuloi, nga sikleti, një pjesë nga pazari me Edi Ramën. “Koha Jonë”