Basha: Në vjeshtë nisin protestat. Kryemadhi: Koha është tani!
Lulzim Basha ka zbuluar dje një pjesë të strategjisë së aksionit opozitar që do të nisë në muajin shtator.
Në një komunikim me gazetarët, Basha deklaroi se opozita do të jetë e fokusuar në tre drejtime kryesore; denoncimet për inkriminimin dhe korrupsionin e qeverisë, protesta masive dhe prezantimi i alternativës qeverisëse të PD me projekte konkrete. Basha tha se të tre këto elementë kanë qenë pjesë e aksionit opozitar, por në fillim të vjeshtës do të jenë me një ritëm edhe më të fortë.
Denoncimet për keqqeverisjen dhe kriminalizmin vijojnë të jenë temë e ditës e politikës. Pas largimit të Valdrin Pjetrit, si dhe daljes së dokumenteve komprometuese për Agim Kajmakun, PD premton se në ditët e ardhshme do të dalin emra të tjerë të zyrtarëve të lartë të inkriminuar në PS. Basha deklaroi se janë edhe disa kandidatë me probleme ligjore të zgjedhur personalisht nga Edi Rama. Shumë shpejt, pasi strukturat e PD, të verifikojnë dokumentet që i implikojnë, pritet të bëhen publikë dhe emrat e zyrtarëve të tjerë afër kryeministrit Edi Rama. Emrat që lakohen janë të shumtë dhe burime nga PD thonë se denoncimet publikohen rast pas rasti.
Rasti i Shkodrës dhe së fundit Vora janë treguesit se dhe 4 vite pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit modeli qeverisës i Edi Ramës vijon të mbetet te figurat me të shkuar problematike. Denoncimet e zyrtarëve të inkriminuar në qeverinë e Ramës janë një nga fitoret e opozitës dhe kjo betejë do të jetë sërish në qendër të aksionit opozitar.
Zyrtarisht këtë vit opozita nuk ka qenë në pushime verore, pasi votimet moniste të 30 qershorit, ngjarjet në Shkodër dhe në qytete të tjera janë shoqëruar me protesta dhe tensione të fortë. Ndërkohë, kabineti “Rama” pas mbylljes së pushimeve të gjata pritet të ndodhet para një situate edhe më shpërthyese së më parë. Qeveria ndodhet nën akuzë si më e korruptuara dhe më antiligjorja. Parlamenti ka humbur prej 7 muajsh funksionin si vendi ku merren vendimet e rëndësishme politike. Gjykatat dhe institucionet e tjera janë zhdukur me qëllim ose janë vënë plotësisht në shërbim qeverisë.
Në këtë situatë, ku shteti është vënë në shërbim të një partie, opozita nuk ka rrugë tjetër veçse protestat. Lulzim Basha premtoi dje se protestat do të jenë temë kryesore e aksionit opozitar dhe do të jenë më të mëdha sesa ato që janë zhvilluar në muajt e fundit. Basha tha se paligjshmëria e qeverisë ka bërë që pakënaqësia e qytetarëve të jetë më e madhe dhe kjo do të thotë se protestat do të bëhen më të fuqishme. Për sa kohë që kryeministri Edi Rama vijon të sillet sikur qeverisë një vend normal dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë reflektimi, duket se protestat do të jenë forma kryesore e reagimit qytetar. Ajo që nuk dihet ende në PD është nëse tubimet do të jenë thjeshtë rezistencë paqësore apo në mungesë të reagimit qeveritar tubimet do të kthehen në përplasje.
Ndërsa liderja e LSI, Monika Kryemadhi deklaron para të rinjve në Jalë se nuk duhet pritur më, por duhet ta rrëzojmë kryeministrin e krimit e që po pengon integrimin e vendit në BE. Në të vertetë LSI-ja ka qenë më radikale në raport me kryeministrin.
Ndërkohë që qeveria sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur në vend dhe e ka harruar fjalën dialog apo marrëveshje, krahas protestave opozita pranon se është gati për zgjidhjen e krizës me ndihmën e faktorit ndërkombëtar. Pa shumë bujë dhe zhurmë mediatike në Tiranë këto ditë ka mbërritur numri dy i partisë së Angela Merkel në Gjermani. Katja Leikert, nënkryetaren e Grupit Parlamentar CDU/CSU për Europën është në Tiranë në krye të një delegacioni të Bundestagut. Disa javë më parë, Kryeministria e përgënjeshtroi lajmin se një grup politikanësh nga Berlini do të vinin në Tiranë për të ndërmjetësuar krizën. Ndërkohë zyrtarët e lartë gjermanë ndodhen në Tiranë dhe kanë zhvilluar këto ditë takime me gjithë drejtuesit kryesorë të politikës në vend. Detajet e takimeve nuk janë bërë publike, por në krizën e rëndë që ndodhet Shqipëria është e pamundur që ndërkombëtarët të mos flasin për një zgjidhje.
Ndërkohë Lulzim Basha pranoi dje se kriza politike ishte në qendër të takimit duke përsëritur dhe njëherë qëndrimin se zgjidhja e krizës është “një qeveri tranzitore pa Edi Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale”./Mili Xhani/