Basha sulmon Ilir Metën. PS kujtohet në mesnatë
Lideri i opozitës Lulzim Basha ka vendosur që të shtunën të mbledhë Kryesinë e PD-së për aksionin opozitar këtë vjeshtë, e cila mendohet realisht të jetë nga vjeshtat me më shumë tension politik mes mazhorancës dhe opozitës. PD deklaroi në gusht se në shtator fillon stuhia anti-Rama, për ta rrëzuar nga pushteti me popullin përballë në protesta masive. Më pas u fol për një marrëveshje Rama-Basha-Berisha, të arritur nëpërmjet një pronari të rëndësishëm mediatik, që në kohën e Berishës ishte pushtetplotë dhe një multimiliarderi që ka pushtet në PD dhe PS. Thelbi i marrëveshjes, gjithmonë sipas zërave në PD që i kanë mëshuar idesë së bashkëpunimit pozitë-opozitë, flitej se ka për bazë një bashkëqeverisje Rama-Basha për reformat kushtetuese, por pa marrë pjesë opozita në qeveri. Ky projekt është hedhur poshtë nga të dy, natyrisht me marifet. Por dje opozita duket se u dha më shumë shpresë varianteve që shkojnë drejt konfirmimit të këtij skenari. Kreu i opozitës u hodh në sulm total që Meta t'i dorëzohet drejtësisë. Kjo u bë pak orë pas publikimit të investigimit të BIRN, ku zbulohet, sipas tyre, se kreu i Kuvendit ka marrë ryshfet nga një biznesmen, i cili kishte krijuar një kompani për mbledhjen e borxheve të CEZ. Materiali, në pamje të parë, duket se ishte servirur nga vetë institucionet e mazhorancës, natyrisht me kujdes.
Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA (Debt International Advisory, kompania që do mblidhte borxhet e CEZ), hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate. DIA i kërkoi CEZ Shpërndarje, që në atë kohë (viti 2013) ishte nën pronësinë e gjigantit çek të energjisë, 130 milionë euro. Çështja shkoi në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë dhe kompania shtetërore kontraktoi si përfaqësuese ligjore firmën Clifford Chance.
“Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance pretendon se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011. Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj është në arrest, i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim, i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ, në bashkëpunim me ish kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek”,- shkruan BIRN, (Balkan Investigative Reporting Netëork).
Kryeministria i hodhi poshtë dje pretendimet e ngritura në shkrim. Në një njoftim gjatë mbrëmjes, Zyra e Kryeministrit sqaronte se avokatët që kanë marrë përsipër çështjen deklarojnë se emri i Ilir Metës nuk është përmendur në asnjë aferë korruptive apo transfertë bankare që ka të bëjë me këtë çështje. Tashmë i mbetet agjencisë të saktësojë burimin dhe të japë argumentet e saja për të sqaruar opinionin publik sepse “helmi” është hedhur. Por pavarësisht kësaj, lufta politike tashmë ka nisur. Kreu i opozitës e shfrytëzoi këtë rast për sulm frontal duke kërkuar dorëheqjen e Metës dhe duke kërcënuar me protesta popullore.
“Firma e mikut të Kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën. Çështja është shumë e rëndë. Siç shprehen avokatët e qeverisë shqiptare, Clifof, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të mashtrimit dhe korrupsionit në vend. Kjo është e papranueshme për ne, për qytetarët shqiptarë. Ne kërkojmë dorëheqje dhe dorëzimin para drejtësisë. Largimi i tij nga detyra është parakusht që çështja të zbardhet para drejtësisë”,- tha dje Basha.
Sulmi vjen në kohën kur në Kuvend pritet të kalojë një nga reformat më të rëndësime juridike. Edi Rama kërkon të bëjë ndryshime drastike në Kushtetutë, sidomos në sistemin e drejtësisë, dhe ka të drejtë në këtë reformë. Ilir Meta duket se po kërkon që reforma të mos bëhet pa opozitën, që gjithsesi nuk është krejt meraku i LSI. Dyshimet në LSI janë se ka mundësi që Kryeministri të ketë menduar ta heqë qafe aleatin problematik Ilir Meta. Ndaj, në selinë e LSI-së mendohet se kryeministri Rama e ka thirrur në skenë Lulzim Bashën duke kërkuar jo pak , por dy herë dorëheqjen e Metës nga detyra, e të gjitha në një hark kohor të shkurtër. Rama dhe Basha janë armiq të dy, por “miq” për të ngrënë kokën e Metës, tashmë me trup të zvogëluar nga pesha e vitit të fundit, ndonëse nuk dijnë se Iliri ka kaluar shumë “humnera” pabesish dhe ia ka dalë.
Ka mundësi që “rrjedhja” e këtij informacioni që mori dhenë, dhe shkruar bukur nga një agjenci e pavarur që financohet nga SHBA, të jetë bërë në akord mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Por, po vazhdojmë me mendimin se Rama kërkon të “palosë” Ilir Metën, me një akuzë të rëndë korrupsioni, ku falë goditjeve të bëra në këto vite kundër ish-kryeministrit socialist, po nga vetë selia rozë, besohet nën dyshim nga publiku. Pra, Rama e hodhi në “kopshtin” e luanëve të PD-së për ta shqyer Metën dhe kënaq oreksin e Bashës për të treguar në selinë blu se “jam i fortë dhe e hëngra një kokë”, kurse Rama qetësohet se nuk ka më nëpër këmbë LSI-në e Metës, e cila i mori mbi 270 mijë vota me 21 qershor të këtij viti. Plus kësaj, kënaq orekset e një pjese të deputetëve të PS-së që mezi presin të bjerë Meta, e të përlajnë nga "kopshti i LSI" në qeverisje.
Ndaj, Lulzim Basha doli dje e kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës dhe paralajmëroi se “do të përballet me forcën e qytetarëve”, nëse nuk ikën nga kreu i parlamentit. Akuza është edhe më e besueshme, sipas Bashës, sepse ka dalë nga avokatët e qeverisë. Pra, Ilir Meta duket se është mes dy zjarreve; të Ramës dhe të krejt opozitës.
Edi Rama me këtë dalje të Lulzim Bashës shpreson t’ia ulë pikët e forcën LSI-së duke e detyruar të mos këmbëngulë fort në ndryshimet kushtetuese, si dhe duke i thënë Metës se President Republike nuk bëhesh në vitin 2017, por do të jetë Mimi Kodheli ose Lindita Nikolla. Mbetet të shikohet se si do të reagojë Ilir Meta; duke e copëtuar nga brenda Ramën me deputetë të tjerë që do t'i ikin PS-së (sikurse po bisedohet nga LSI me 5 deputetë të PS). Apo duke qëlluar fort me top selinë e qeverisë, pra duke i hequr numrin 71, që të mos e bëjë me asnjeri dhe duke rrëzuar Edi Ramën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Llogaritë e LSI-së janë se nga 270 mijë vota që mori në zgjedhjet lokale, edhe sikur të përgjysmohen në zgjedhje politike, përsëri do të ketë minimumi 10 deputetë. Kjo do të thotë as PS, e as PD nuk e bën dot mazhorancën qeverisëse e vetme. Prapë do iu duhet LSI.
Pas sulmit të Bashës dje, reagoi edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili. Ai tha se “Meta e ka tejkaluar "planin" e dorëheqjeve dhe se kërkesa e opozitës do të trajtohet në parlament". Kjo është përgjigja e Metës, e cila më shumë se për Bashën, ishte për kryeministrin Rama, i cili nxori në mesnatë deklaratë shtypi duke hedhur poshtë atë çka flitej në media e në politikën e ditës. Duket si një tërheqje e përkohshme ose mundet që Meta të jetë kërcënues, si di të jetë ai kur e cënojnë në pabesi.
Mësohet se mbrëmë Ilir Meta është takuar me dy deputetë të PS-së që nuk janë dakort me praktikat drejtuese të Ramës si dhe me pas me një prej biznesmenëve të fuqishëm të PDIU, i cili mban partinë, se është de facto kryetari i çamëve. Llogaritë kanë filluar të bëhen nga dje pasdite edhe brenda kampit të mazhorancës.