Basha: Zgjedhjet vendore dhe parlamentare në qershor 2019
-A do të mundet opozita të rrethojë kryeministrinë ditë-natë, me javë të tëra, siç e ka skenarin që të rrëzojë kryeministrin Rama? Por çfarë ndodh nëse edhe Edi Rama thërret në skenë “popullin” e tij? Përplasje? Apo Edi Rama do të arësyetojë duke thënë se “prapë qeveri të përbashkët dhe hajdeni e provohemi në popull”?
Gati një vit e kusur pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, PD-ja ka dalë me një platformë të re për të larguar qeverinë “Rama”. Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar dje nga Shkodra projektin që, sipas tij, mund të sjellë rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe fitoren e opozitës. Projekti i Bashës synon që bashkë me zgjedhjet vendore, vendi të shkojë edhe në zgjedhje parlamentare. Pra që të mos ketë shpenzime shtesë nga buxheti i shtetit si dhe për të mos lodhur as ndërkombëtarët me vëzhguesit, opozita kërkon dy palë zgjedhje në një ditë; edhe vendoret e radhës, por edhe zgjedhjet parlamentare, pasi sipas tyre vendi është mbërthyer nga krimi e bandat.
“Një test i madh po afron: vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhjet vendore, të cilat mund të jenë fare mirë në të njëjtën kohë edhe me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, do të jenë një shans i jashtëzakonshëm që ju të ushtroni të drejtën që keni për të vendosur se çfarë qeverisje doni. Unë jam këtu për t’ju komunikuar bindjen time se gjithë problemet mund të zgjidhen nëse ushtroni me mençuri zgjedhjen e drejtuesve të duhur si në nivel lokal, edhe qendror”- deklaroi Basha dje gjatë një takimi me fermerët në Shkodër. Sipas afateve kushtetuese zgjedhjet vendore pritet të mbahen në qershor të vitit 2019. Me llogaritë që bën kreu i PD-së, pas tetë muajsh qytetarët duhet të zgjidhin jo vetëm kryetarët e rinjë të bashkive, por edhe një qeveri të re. Por për të arritur në këtë pikë, opozita duhet të kryejë një sërë detyrash dhe aksionesh jo të lehta.
Së pari, ideja e zgjedhjeve të parakohshme duhet të pranohet dhe nga mazhoranca. Qeveri “Rama” ka sot “timonin dhe krejt tepsinë” dhe të paktën 75 vota deputetësh që i garantojnë shumicën. Brenda qeverisë nuk ka asnjë shenjë se do të ketë ndonjë rebelim që do të prodhojë krizë dhe ligjërisht Edi Rama nuk ka asnjë shans të pranojë kërkesën për zgjedhje të parakohshme thjesht për t’i plotësuar kërkesat opozitës. Skandalet që PD-ja ka denoncuar deri më tani i kanë prishur humorin e mazhorancës dhe kryeministrit, por janë shumë larg tronditjeve që opozita premtoi se do sillnin rrëzimin e kabinetit “Rama”. Ndaj për të çuar vendin drejt zgjedhjeve, opozita duhet që më parë të krijojë klimën politike që do e bëjë të domosdoshme largimin e qeverisë. A do të mundet opozita të rrethojë kryeministrinë ditë-natë për ditë e netë të tëra, siç e ka skenarin që të rrëzojë kryeministrin Rama?
Detyra e dytë e opozitës është e famshmja reformë zgjedhore dhe kush realisht do t’i bëjë zgjedhjet. Përvojat e zgjedhjeve të 2017-ës tregoi se kur KQZ-në dhe shumicën e ministrive i merr në dorë opozita, nëse qendra e pushtetit mbetet në dorë të një kryeministri politik, siç ishte Edi Rama, procesi zgjedhor mbetet formal. Ndaj dhe projekti i Bashës për të zhvilluar dy palë zgjedhje në një ditë, pikë së pari ka objektiv kryesor largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike. Rruga e vetme për të arritur këtë janë protestat, si shenjë e shprehjes së pakënaqësisë mbarë popullore që do të krijojë kushtet për largimin e qeverisë “Rama”. Gjithnjë nëse ka vertet shumë pakënaqësi popullore, atëhere qeveria ka rënë moralisht dhe forcërisht. Por duhet popull si me 23 janar 2018. A do të jetë në gjendje opozita ti mbledhë ata dhe me shumë? Kjo mbetet për tu parë!
Ish-kreu i PD-së, Sali Berisha ka hedhur i pari tezën e mos hyrjes në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër duke këmbëngulur te protesta që do të sjellin rrëzimin e tij. Ndërkohë Lulzim Basha ka shkuar më tej, duke pranuar hyrjen në zgjedhjet lokale, me kushtin që të zhvillohen edhe ato parlamentare dhe pa Edi Ramën kryeministër. LSI, si fortë e dytë e opozitës ka përsëritur qëndrimin e largimit të kryeministrit Edi Rama.
Të gjitha skemat dhe aksionet e opozitës tashmë kanë vetëm një variant, protesta për të detyruar kryeministrin të largohet. Për sa kohë që beteja politike është kthyer vetëm në denoncime dhe më pas padi për shpifje, opozitës si mbetet gjë tjetër vetëm se të thërrasë popullin për të gjykuar se cila nga palët ka drejtë.
Por çfarë ndodh nëse edhe Edi Rama thërret në skenë “popullin” e tij? Përplasje? Apo Edi Rama do të arësyetojë duke thënë se “prapë qeveri të përbashkët dhe hajdeni e provohemi në popull”?
Kjo mund të ndodhë nëse opozita rrethon kryeministrinë jo më me çadër duke recituar e kënduar, por si demonstratë përballje.
A.Marku