Bashkohen në Vlorë, Shqipëria dhe Kosova
Festa e 105-vjetorit të Pavarësisë ka bashkuar në Vlorë simbolikisht Shqipërinë dhe Kosovën. Mijëra qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora kanë marrë pjesë në aktivitetet festive në qytetin e flamurit, në një ceremoni që është kthyer në njëlloj pelegrinazhi patriotik të përvitshëm. Autoritet më të larta të shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës ishin të pranishme në homazhet zyrtare për shpalljen e pavarësisë. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama si dhe mjaft ministra të kabinetit të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës i dhanë festës së djeshme në Vlorë, pamjen e bashkimit simbolik të kombit. Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Presidenti Ilir Meta, Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Edi Rama theksuan se këto takime nuk vijnë nga tundimet për të kthyer të shkuarën, por për të parë drejt së ardhmes dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian dhe në harmoni me vendet e rajonit.
Në këtë linjë ishte dhe ceremonia e hapjes së Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit. Përgjatë 300 ditëve të vitit të ardhshëm janë parashikuar aktivitete të ndryshme që do të përfshijnë dy vendet; Shqipëri, Kosovë, por edhe trevat ku jetojnë shqiptarët. Presidenti Meta vlerësoi se Skënderbeu është një nga ato figura që jo vetëm bashkon si askush tjetër shqiptarët, por është dhe një tregues i identitetit europian të Shqipërisë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij u ndal në rëndësinë që ka 28 Nëntori jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë trojet ku banojnë shqiptarë. “Vlora i ka bashkuar shqiptarët e të gjitha trojeve. Për Kosovën emri i qytetit të Vlorës del përtej kuptimit historik. Emrin e Vlorës, por edhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, prindërit në Kosovë ua vendosnin vajzave si shenjë e identitetit kombëtar dhe dashurisë ndaj atdheut amë”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Në ceremonitë e zhvilluara në Vlorë ra në sy mungesa e përfaqësuesve të lartë të Partisë Demokratike, të cilët ashtu si dhe në vitet e tjera kanë preferuar që në një datë të festojnë Pavarësinë, por edhe Ditën e Çlirimit të vendit. Një debat që më shumë se historik është polik dhe lidhet shpesh me tensionet dhe sherret partiake të përditshme në vend.
Krejt ndryshe nga qëndrimet e partive politike kanë qenë mesazhet e kreut të shtetit, Ilir Meta. Në ceremonitë e zhvilluara në Vlorë, por edhe në mesazhin e tij për gjithë Shqiptarët në pritjen zyrtare për Festën e Flamurit në Tiranë, Presidenti Meta ka bërë apel për bashkëpunim dhe përgjegjshmëri politike. Duke folur për figurat historike të kombit, Presidenti Meta deklaroi se mësimi kryesor që u jep vepra e tyre është unitetit për qëllimet madhore. “Fitoret e arritura nën udhëheqjen e këtyre prijësve të ndritur shqiptarë kanë lënë pas mësimin historik për kohët tona se pa unitet politik dhe gjithëpërfshirje mbarëshqiptare nuk mund të projektohen qëllimet madhore atdhetare dhe nuk mund të përballen sfidat e çdo kohe dhe të çdo lloj natyre”,- tha Presidenti Meta. Në fjalimin e tij në Pallatin e Brigadave, Presidenti Meta ka përmendur dhe Festën e Çlirimit të vendit, duke theksuar se këto data historike kërkojnë më shumë bashkëpunim mes të gjitha kampeve politike për të arritur futjen e vendit në Bashkimin Europian.
“Ne besojmë dhe do të punojmë që viti 2018 do të kurorëzojë përpjekjen tonë për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe një kohësisht të garantojë të drejtën legjitime të qytetarëve të Kosovës për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen”,- tha kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta.
Veç bashkimit të qeverive të dy vendeve në Vlorë dhe festimeve të përbashkëta, në mesazhin e tij kreu i shtetit theksoi dhe nevojën për bashkëpunime konkrete dhe projekte që i shërbejnë rrugës së përbashkët të dy vendeve në Bashkimin Europian.
Mesazhi përbashkues ku të gjithë të punojmë për një Shqipëri europiane duke lenë ndasitë politike, ishte thelbi i asaj që tha Kreu i Shtetit Shqiptar, Ilir Meta.
Qamil Xhani