BE e ka rrëzuar Ramën, tani është radha e opozitës
Gjatë gjithë muajve të krizës politike qeveria ka pasur një argument që e hidhte në tavolinë sa herë diskutohej largimi i saj. Logjika e qeverisë lidhej me faktin se pavarësisht atyre që thotë opozita, Bashkimi Europian mbështet qeverinë dhe reformat e saj. Vendimi i Komisionit Europian ishte mbështetja personale më e madhe që mori Edi Rama, duke arritur që të fshijë nga faqet e raportit krizën politike në Tiranë.
Sado e që një propagandë e tillë ishte jashtë realitetit, qeveria arriti të bindë një pjesë të opinionit se ndërkombëtarët madje janë kundër kësaj opozite që kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama. Argumente të tilla mund të vlenin disa muaj më parë, por jo sot.
Kancelarja Angela Merkel, sipas mediave gjermane, e ka rrëzuar përfundimisht çeljen e negociatave me Shqipërinë. Pavarësisht se nuk janë dhënë arsyet konkrete, mesazhi nga Berlini është i qartë, qeveria “Rama” nuk ka realizuar reformat për t’u afruar me Bashkimin Europian.
Vendimi i Gjermanisë vjen pas një deklarate të fortë të kreut të diplomacisë së Holandës, Stef Blok, i cili tha dy ditë më parë se qeveria e këtij vendi nuk do të votojë çeljen e negociatave me Shqipërinë. Por jo vetëm që Holanda ka bllokuar integrimin, por në një vendim të paprecedentë ka kërkuar nga Komisioni Europian rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë. Mesazhi që i jepet qeverisë “Rama” është i qartë; s’ka realizuar kërkesat e BE dhe ka bërë hapa pas.
Veç Gjermanisë dhe Holandës, një kundërshtare e heshtur e integrimit të Shqipërisë është dhe qeveria franceze. Edhe pse nuk ka qëndrim zyrtar nominal për Shqipërinë, qeveria franceze dhe partitë kryesore të këtij vendi e kanë dhënë mesazhin se nuk do të hapen negociatat me Shqipërinë. Listës së këtyre vendeve i shtohen edhe Belgjika.
Janë të paktën pesë shtete që tashmë e kanë marrë vendimin dhe rrëzimi i çeljes se negociatave është vetëm çështje proceduriale. Franca dhe Gjermania janë dy shtetet që praktikisht drejtojnë unionin europian dhe nëse vota e tyre është jo, praktikisht qeveria “Rama” e ka rrëzuar gjithë Bashkimi Europian.
Qëndrimet që vijnë nga kryeqytetet e vendeve të BE këto ditë vlejnë më shumë se raporti i Komisionit Europian. Vlejnë më shumë edhe se deklaratat e ambasadorëve që bëhen në Tiranë ku i kërkohet qeverisë të shkojë në zgjedhje pa opozitën, duke e nxirë përfundimisht imazhin e një vendi ku qeveria vet voton, vet numëron dhe sigurisht vet fiton.
Por sado mbështetje që diplomatë të veçantë t’i japin qeverisë “Rama” duke e inkurajuar edhe në çmendurinë e zgjedhjeve pa opozitën, fakti është se politika zyrtare e këtyre shteteve e ka rrëzuar mazhorancën në Shqipëri. Dhe e ka rrëzuar për të gjitha ato arsye që opozita në Tiranë ka muaj dhe vite që proteston.
Me qëndrimin e fundit të Gjermanisë, çdo mbështetje që i vjen nga zyrat e kancelarive dhe ambasadorë të veçantë Edi Ramës duhet parë vetëm si lobim personal Ramës dhe PS, por jo si qëndrime zyrtare. Sepse praktikisht gjithë vendet e BE e kanë rrëzuar “Rama” për të njëjtat probleme që opozita ka dalë në rrugë. Tani është radha e opozitës ta rrëzojë.