Ben Blushi, shigjetë në thembrën e “Akilit”
Një debat jo i zakontë u zhvillua dje në Kuvend, lidhur me reformat e qeverisë. Shkak është bërë kalimi i ndryshimeve në Kodin Penal që dënojnë personat të cilët ndërtojnë pa leje me nga dy deri në tetë vite burg. Qeverisja është vënë në kritika për këtë propozim, jo nga opozita, por nga vetë deputetët e saj. Në rreshtin e kritikuesve ndaj kësaj nisme u vendosën deputetët Ben Blushi dhe Spartak Braho. Veç argumenteve juridike të sjella nga njohësit e mirë të ligjeve, si deputeti Braho, ishte dhe qëndrimi i deputetit Ben Blushi ai që shkaktoi më shumë debate brenda mazhorancës dhe solli reagimin e vetë kreut të qeverisë, Edi Rama. Ka kohë që Rama dhe Blushi nuk janë më miq, si dikur dhe sapo iu del shtegu të përplasen, nuk ia përtojnë thumbimit të njëri-tjetrit. Të dy janë ekselentë në duele. Por njëri është kryeministër e tjetri pa asnjë post qeveritar, ndonëse e meritonte. Kanë histori të gjatë të dy, bashkëpunimi e ndarjesh, herë miqësie dhe shumë herë “fërkimi”. Në të vërtetë, të dy janë ikonat e PS-së, në mënyra të ndryshme, por janë emblematikë në atë seli rozë. Ka rrjedhur shumë ujë, aq sa duket sikur nga një përrua, tashmë është bërë lumë ndarja mes tyre, ndonëse prapë nuk i dihet miqësisë së tyre, edhe kur të tjerët mendojnë se janë armiq! Por për momentin, sa herë i del për të shigjetuar në drejtim të Ramës, nuk ia përton Beni. Edhe dje, Blushi shprehu qëndrime që lidhen jo thjesht me mënyrën sesi e sheh qeveria ligjin për ndërtimet pa leje, por për një pjesë të mirë të aksioneve të mazhorancës së sotme. “Është e padrejtë, pa dashur të kthej në polemikë, që fjala ‘burg’ më shqetëson, jo vetëm mua, por shumicën këtu dhe po e përdorim pak si pa masë kohët e fundit. Nuk besoj se burgu është mundësia më e mirë për të korrektuar. E kanë provuar 50 vjet shqiptarët. Kush thyente ligjin shkonte në burg, nuk jemi më aty. Ka instrumente të tjerë shteti didaktik, verbale, pastaj gjoba dhe pastaj burgu për t’i korrektuar”, – tha Blushi. Deputeti socialist nuk është ndalur vetëm në ligjin në fjalë, por në mënyrë direkte ka shprehur një shqetësim që po haset shpesh në opinionin publik lidhur me disa reforma të qeverisë. Një shqetësim, zhurmën e të cilit ka nisur ta ndjejë gjithnjë e më afër kryeministri Edi Rama, teksa në replikë me deputetin Blushi tha se “kritika nuk është origjinale”, pasi diçka të tillë ia thotë shpesh opozita. Kjo e njësimit me “opozitën”, që e krahasoi me të, Ben Blushi do jetë duke menduar se kur t’i dalë prapë në shteg Edi Rama, që do t’i dalë patjetër, ta shigjetojë më mirë, pasi akoma nuk i ka futur helm shigjetës së tij si në filmin me Akilin. Blushi është nga ata që nuk nxitohet. Ai pret, por në moment kur del prapë “Akili” në shesh-betejë, e nxjerr “harkun” dhe shigjeton. Stil Bin Beni, që dikur e pati përdorur në kohën kur ishte kryeministër Majko, ndonëse Edi Rama nuk është Majko, në atë sens që hahet kollaj. Por edhe Akili e kishte një pikë të dobët! Në këtë teatër “lufte” ka shumë aktorë. Ilir Meta rri e vështron, me atë qetësinë olimpike. Raportet e Blushit kohët e fundit me kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta janë bërë më të afërta, dhe shumëherë gjenden në një tavolinë duke folur për një të ardhme më të mirë të politikës, në përgjithësi. E kjo duket se nuk përkthehet mirë në kampin e qeverisë. Megjithatë, dje ishte pjesa e parë e “nxemjes” në këtë mot dimri. Ka ende kohë; aty janë prapë Beni, shigjeta, “Akili” dhe Agamemnoni!
QAMIL XHANI
REPLIKA BLUSHI-RAMA
Blushi:“Dua të bëj një sqarim. Gjithë këta burra e gra këtu kanë qenë në opozitë dhe nuk kanë inkurajuar shkeljet. Ky amendament nuk përzgjedh mes keqbërësit dhe nevojtarit. Këtë ky amendament nuk e merr përsipër. Penalizojini ndërtuesit e mëdhenj, por ky amendament konsideron njëlloj një fshatar në Ibë, i cili është i detyruar të rregullojë murin e shtëpisë, i keni futur të dy në një thes. Është e drejtë mendoni ju që dikush në një fshat ndërton në tokën e vet. Unë hyj tek ata njerëz që fjala ‘burg’ më shqetëson, në fakt nuk besoj se burgu është mundësia e vetme që kanë shqiptarët për t’u korrektuar. E kanë provuar 50 vjet shqiptarët. Kush thyente ligjin shkonte në burg, nuk jemi më aty. Ka instrumente të tjera shteti për t’i korrektuar. Jam dakord me propozimin e zotit Braho, ky amendament duhet të rishikohet. Dhënie ndihme, e di çfarë është nëse një punëtor në fshat të ndihmon të ndërtosh murin dhe ky duhet të shkojë në burg. Ka shumë mundësi që ky amendament të rishikohet për ta rregulluar”.
Rama: “Faleminderit për vërejtjen. Nuk është origjinale, sepse ka kohë që e bën opozita për përdorimin e tepërt të fjalës ‘burg’. Unë dua që çdo gjëje t’i vë fjalën që ka. Këtu nuk bëhet fjalë për të futur në burg që ditën e parë dikë që ndërton pa leje. Por për t’i dhënë fund një historie që vazhdon prej një çerek shekulli, që praktikisht i ka hequr Shqipërisë të drejtën dhe mundësinë që të ketë shekull të 20-të. S’kam asnjë kompleks të përdor fjalën burg kur bëhet fjalë për t’u rikthyer lirinë dhe të drejtën atyre që pikërisht sepse e kanë zbatuar ligjin, nuk kanë guxuar të venë një tullë as në tokën e tyre pa leje, sot kanë humbur tokën e tyre, kanë humbur mundësinë që të ndjehen mirë se janë qytetarë që respektojnë ligjin. Përballë këtij kanceri unë nuk shoh mundësinë e një terapie tjetër, përveçse të një terapie intensive dhe radikale. Këtu nuk ka asnjë shpikje”.