Berisha dhe Topalli refuzojnë

Ambasadorët e SHBA dhe BE kanë përmbyllur dje serinë e takimeve me grupet parlamentare për votimin e reformës në drejtësi. Takimi i fundit ishte ai në selinë e PD-së, ku dhe rezervat për reformën janë më të mëdha. Të paktën në pamje të parë. Fati i reformës do të varet pikërisht nga qëndrimi që do të mbajë grupi parlamentar demokrat për kalimin e saj, apo bllokimin në Kuvend. Dje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat me diplomatët Donald Lu dhe Romana Vllahutin janë dhënë sinjale kontradiktore. Qëndrimi zyrtar, ai i kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas dy orëve me ambasadorët, ka qenë më i moderuar. Basha nuk foli për kushtet dhe as kalimin e reformës në drejtësi sëbashku me reformën zgjedhore. Me tone më të qeta ai foli për një reformë që do të dalë si pasojë e diskutimeve në Kuvend. Por mjeshtërisht Basha e lakoi si nëpër dhëmbë, me diplomaci, se nuk ka rëndësi koha kur kalon reforma, por produkti. Me një fjalë i priti mirë dy ambasadorët, iu dha kafe, i ftoi edhe në mbledhjen e grupit, dhe në fund i përcolli, duke shqiptuar se rëndësi ka produkti e jo nxitimi për ta kaluar sa më shpejt, ishte sensi i deklaratës së tij.

Por në takimin e shumëdiskutuar mes diplomatëve dhe deputetëve ajo që ra në sy ishte një mungesë dhe një gjysmë “bojkot”. Mungesa kryesore ishte ajo e ish-kryeministri Sali Berisha, i cili refuzoi të marrë pjesë në mbledhjen me diplomatët. Zyra e shtypit të ish-kryeministrit njoftoi dje se Berisha nuk e shihte të arsyeshme të takonte dje ambasadorët, pasi ai ka takime konstante me ta gjatë javës. Realisht diplomatët para se të takojnë drejtuesit e PD-së kalojë më parë nga zyra e Sali Berishës. Në vitet e qëndrimit të tyre në detyrë në Tiranë e kanë kuptuar se që të kuptosh se çfarë do bëjë PD-ja më parë duhet të flasësh me Berishën. Dhe është normale, pasi ai është lider shpirtëror i demokratëve. Basha është një “yll” në ngjitje në selinë blu, porse “dielli” demokrat Berisha të përcëllon, edhe krejt “yjet” e PD-së, nëse nxehet.

Por takimi i djeshëm më diplomatët ishte një gjest politik. Ashtu si Berisha edhe deputetët e tjerë të PD-së e dinin se çfarë do dëgjonin nga ambasadorët, madje një pjesë janë takuar dhe privatisht këto ditë me diplomatët. Formalisht duhej që takimi të kryhej sy më sy dhe mungesa e Berishës ngre shumë pikëpyetje për qëndrimin që do të mbajë Partia Demokratike.

Në rastin e Jozefina Topalli nuk mund të quhet mungesë, por ish-numri dy i PD-së u largua nga takimi me diplomatët para se ai të mbyllej. Në një prononcim të shkurtër për mediat pas largimit nga mbledhja e grupit të PD-së ku merrnin pjesë Donald Lu dhe Romana Vlahutin, ajo tha se kishte lënë një takim tjetër në 11:30 pasi nuk mendonte se takimi me diplomatët e huaj do të zgjaste kaq shumë. “Dola se kisha lënë takim me ambasadorë të tjerë në 11:30. Nuk e mendova se do zgjaste 90 minuta takimi në grup me ambasadorët”, tha Topalli. Por pas daljes ajo nuk takoi asnjë ambasador tjetër! Tre ditë më parë ish-Kryetarja e Kuvendit shprehu rezerva për faktin se politika po humbiste pikë duke u detyruar që grupet parlamentare të takoheshin me ambasadorët.

Një tjetër mungesë ishte dhe ajo e ish-ministrit Genc Ruli, i cili tha se reforma ka nevojë për veprime konkrete dhe “jo me takime butaforike me ambasadorë”. Sipas tij, këto takime janë “një dëm i madh për besueshmërinë e realizimit të reformës. Nuk duhet të perceptohet si një reformë e imponuar nga ambasadorët”. Në mbledhjen e deputetëve të PD-së me diplomatët ka pasur dhe deputetë që kanë preferuar t’ua thonë drejtëpërdrejt qëndrimet e tyre, diplomatëve të pranishëm. Astrit Patosi ka deklaruar se a “parashikon zgjidhje reforma në drejtësi për rastet kur Kryeministri Edi Rama kërcënon gjyqtarët?”.  Ndërsa Genc Pollo, i cili edhe pse njihet për kontaktet e afërta që ka me disa seli diplomatike ka reaguar ashpër kundër qëndrimeve të ambasadorëve.

“Është e papranueshme ajo që kam lexuar në gazeta se ambasadorët kanë deklaruar se “do të turpëroheni nëse nuk votoni tani reformën”. Kështu nuk pranohet që ti thuhet deputetit voto pa e lexuar. Trajtohet kjo reformë në mënyrë të pabesueshme. Po të kesh vërejtje për të, do të thotë se je hajdut, antievropian, antiamerikan…, etj”,- ka thënë Pollo.

Pavarësisht miratimit të draftit në parim, qëndrimet e djeshme të PD-së tregojnë se nga deri në miratimin final të reformës do të jetë e gjatë. Dje për arsye shëndetësore ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi u largua nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Ikja e Halimit, me apo pa arsye, ndryshon edhe disa balanca të brendshme në PD kundrejt reformës.

Duket se nuk do të kalojë kollajë dhe në këtë sezon veror reforma. Me shiun e këtyre ditëve po fillon edhe “dimri” në parlament ku Berisha do ta bëjë edhe me “akull” me akuza.

SHKARKO APP