Berisha:Të huajt vetëm vëzhgues!
Nga Qamil Xhani.
Për Lulzim Bashën dje duhet të ketë qenë një ndër ditët më të vështira në drejtimin e Partisë Demokratike, ndonëse po dje ishte si rrallëherë i prerë, stoik. Brenda pak orësh ai ka marrë dy deklarata nga selitë më të rëndësishme diplomatike në vend, BE dhe SHBA. Deklarata që ishin goditje direkte ndaj tij profilit të tij si i pëlqyer nga ndërkombëtarët dhe forcës politike që drejton. Reagimet erdhën pas refuzimit që PD-ja i bëri variantit të fundit të draftit të reformës në drejtësi duke kundërshtuar rolin e ndërkombëtarëve. Për PD-në ndërkombëtarët mund të jenë vëzhgues, por nuk mund të marrin kompetenca kushtetuese. Më i vendosur ishte Berisha në mbledhjen e grupit, i cili tha se vetëm sipas Komisionit të Venecias do ta votojmë. Pati disa zëra në PD që folën, por nuk morën frymë kur ish-lideri demokrat u tha se ne jemi me amerikanët dhe BE, por nuk duam që Rama të kap drejtësinë me marifete të rrezikshme. Ai tha se: “Venecia përcakton që roli i ndërkombëtarëve është thjesht vëzhgues të procesit, jo të kenë të drejtën e vendimmarrjes. kemi diskutuar gjithmonë mbi 3 argumente, moskapjen, sovranitetin dhe të drejtat e njeriut. Venecia ka si detyruese sovranitetin. Jemi investuar shumë tek amendamenti “88” për moskapjen. A garantohet sovraniteti kur roli i ndërkombëtarëve është përtej vëzhguesit? Vëzhguesit ndërkombëtarë nuk mund të jenë ekzekutivë”.
Si fillim ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Me një gjuhë të ashpër, siç flet tashmë ambasadori për reformën në drejtësi, Lu tha se, ishte i zhgënjyer nga përgjigja e kreut të PD-së. “Jam i zhgënjyer me përgjigjen e zotit Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi, që iu la në dorë kryetarit të Partisë Demokratike nga ana e Viktoria Nuland gjatë vizitës të së dielës në Tiranë”, – tha Lu.
Pas deklaratës së ambasadorit amerikan për këtë qëndrim të kreut të PD-së, Lulzim Basha, me të njëjtin ton reagoi dhe Bashkimi Europian. Zyra e BE-së në Tiranë në një deklaratë për mediat merrej dhe me thelbin e shqetësimit të ngritur nga opozita. Sipas BE-së, monitorimi i procesit të kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ndërkombëtarët është në zbatim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Sipas BE-së, ky monitorim është garancia e suksesit të reformës në drejtësi. Ndërsa shtojnë se BE-së dhe SHBA “nuk kanë sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë”.
Deklarata e fundit janë ndër më të ashprat ndaj Bashës. Por çfarë e shkaktoi këtë stuhi reagimesh ndaj kreut të opozitës? Qëndrimet e BE-së dhe SHBA-ve vijnë si përgjigje e refuzimit të konsensusit nga PD për propozimin që bëri ditën e diel Ndihmës/Sekretarja Amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland. Diplomatja e lartë e SHBA-ve la në tryezën e negociatave një projekt për të cilën PS-ja ishte dakord. Projekti reflektonte shqetësimet e mëparshme të opozitës për vendet e rezervuara, por u jep ndërkombëtarëve (SHBA dhe BE) një rol vendimmarrës në filtrimin e kandidatëve. Sipas projektit të Nuland ndërkombëtarët do të pranonin ose rrëzonin njerëzit që do të emëroheshin në tre institucionet e vetting-ut (kontrollit) të gjyqtarëve.
PD-ja ishte dakord me propozimin e fundit të Nuland përveç një pike që ka të bëjë me rolin misionit të ndërkombëtarëve në zbatimin e reformës. Në përgjigjen e PD-së thuhet se ndërkombëtarët duhet të mos kenë rol vendimmarrje në procesin e vetting-ut të gjyqtarëve, por vetëm rol vëzhguesi. Ky argument që solli reagimin e ashpër të ambasadorit u shpjegua fare thjeshtë nga Basha. Ai tha se nuk është çështje mungese besimi te partnerët ndërkombëtarë, por çështje se kush do të mbajë përgjegjësi nëse gjërat shkojnë keq. Basha tha se këtë problem ia kishte shtruar për diskutim dhe përfaqësueses amerikane. Sipas tij, një mision ndërkombëtar nuk mund të marrë kompetenca kushtetuese në vend. Nuk duket se nuk ka të drejtë Basha në këtë pikë!
“Jo se Partia Demokratike nuk ka besim te ndërkombëtarët, pasi kemi thënë që nuk ka votë pa mision ndërkombëtar monitorimi, por jo kompetenca kushtetuese. Shqetësimi ynë parimor ka një arsye të thjeshtë; nëse diçka nuk shkon mirë ose shkon shumë keq, ku ta vërë gishtin qytetari shqiptar, te Kryeministri i Finlandës”,- deklaroi Basha.
Kreu i PD-së kishte dhe një përgjigje për qëndrimin e ashpër të ambasadorit amerikan në Tiranë. “Miqtë flasin hapur me njëri- tjetrin, edhe kur bien dakord dhe kur nuk bien dakord. Dhe do të vazhdojmë të flasim hapur”,- tha ai.
Nga ana tjetër, për Kryeministrin Edi Rama zhvillimet djeshme dhe refuzimi i PD-së ishte shenja më e qartë se Partia Demokratike nuk e do reformën. Por më shumë se reforma, PS-së dhe Kryeministrit politikisht i interesonte sulmi që dje ndërkombëtarët bënë ndaj Partisë Demokratike.
Pavarësisht se cila prej palëve ka të drejtë, ajo që është e re në këto zhvillime ka të bëjë me faktin se ndërkombëtarët nuk flasin më për votim të njëanshëm. Në deklaratat e SHBA-ve dhe BE-së nuk kërkohet nga deputetët votim individual dhe as flitet më për vijën e kuqe. Pas kritikave fjala që po përdoret është; konsensus dhe mundësitë për arritjen e tij janë ende në tavolinë. Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vllahutin vijuan dje dhe me negociata intensive dhe takime me drejtuesit e PS-së dhe PD-së. Ndërsa Bashkimi Europian dërgoi në Tiranë një tjetër negociatore. Zëvendës /Sekretaria e Përgjithshme e Shërbimit Europian të Aksionit të Jashtëm, Helga Schmid do të diskutojë këto dy ditë për arritjen e një marrëveshje. Deri në datën 21 korrik do të ketë ende debate dhe qëndrime të reja.
Dje, Lulzim Basha ka qenë më i vendosur se kurrë pas mbledhjes së grupit parlamentar, kur tha se, jemi një hap larg konsensusit, por duhet që Kryeministri të lëshojë e të tërhiqet nga dëshira për kapjen e drejtësisë.