Biznesi shqiptar: Merruni vesh si politikanë se morët popullin në qafë!
Apeli i biznesmenëve shqiptarë për mazhorancën dhe opozitën: Thirrini mendjes! Keni përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e vendit. Me polici, dhunë, gaz helmues dhe protesta rrugëve nuk mund të vazhdohet më!
Nëse mazhoranca shkon e vetme drejt zgjedhjeve, ngjarjet nga dramatike pritet të kthehen në tragjedi kombëtare. Opozita deklaron se nuk pranon zgjedhje që ngjajnë me një shtet komunist, vetëm me një parti. Ndërsa kryeministri Edi Rama thotë se do të shkojë i vetëm në një proces që përveç fitores së PS nuk garanton as stabilitet, as siguri dhe as një vend normal. Nëse u referohemi deklaratave të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të opozitës, pas 30 qershorit në Shqipëri nuk mund të flitet më për shtet normal, por për një situatë lufte.
Kriza politike në Shqipëri ka dhënë efekte të rënda në ekonominë dhe biznesin e vendit. Që nga muaji shkurt i këtij viti dhe deri më sot, si pasojë e zhvillimeve politike, protestave dhe bllokimit të institucioneve sektori i turizmit, eksportet dhe importet e ekonomisë shqiptare kanë pësuar ulje drastike. Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit në vend, të mbledhura dje në një takim të përbashkët ngritën alarmin për situatën në të cilën ndodhet vendi. Për të shmangur panikun, drejtuesit e bizneseve në vend nuk dhanë shifra, por llogaritet se efektet e dëmit në ekonominë e vendit gjatë këtyre muajve janë qindra milionë euro. Në këtë bilanc nuk bëjnë pjesë vetëm anulimet e udhëtimeve turistike, të cilat godasin një biznes që po konsolidohej, por edhe kontrata të anuluara, kompani të huaja që rishikojnë planin e investimeve, si dhe biznese që mendojnë të largohen nga Shqipëria. Të gjitha këto lëvizje negative do të thotë më pak lekë që hyjnë në Shqipëri, mbyllje e vendeve të punës, falimentime të bizneseve dhe për pasojë më pak taksa dhe më pak zhvillim i vendit. Alarmi që ngritën dje bizneset kryesore merr parasysh gjithë këto që kanë ndodhur në Shqipëri këto muaj, por më e keqja parashikohet në ditët dhe javët që vijnë. Nëse mazhoranca shkon e vetme drejt zgjedhjeve, ngjarjet nga dramatike pritet të kthehen në tragjedi kombëtare. Opozita deklaron se nuk pranon zgjedhje që ngjajnë me një shtet komunist, vetëm me një parti. Ndërsa kryeministri Edi Rama thotë se do të shkojë i vetëm në një proces që përveç fitores së PS nuk garanton as stabilitet, as siguri dhe as një vend normal. Nëse u referohemi deklaratave të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të opozitës, pas 30 qershorit në Shqipëri nuk mund të flitet më për shtet normal, por për një situatë lufte.
Për t’i paraprirë më të keqes që po projekton klasa politike, përfaqësuesit e biznesit dje bënë thirrje që kjo situatë absurde të marrë fund sa më parë. Luan Bregasi, president i shoqatës së biznesit “Biznes Albania” deklaroi se ajo që po ndodh me krizën politike ka efekte të rënda në të gjithë ekonominë e vendit. “Palët duhet t’i thërrasin mendjes sepse kanë përgjegjësi të mëdha. Duhet urgjentisht të ulen. Ne nuk japim as receta, as rekomandime, por në tagrin tonë si sipërmarrës kemi moral të themi: uluni, thirrini mendjes dhe gjeni zgjidhjet më të mira. Ne nuk duam të shikojmë dhunë, përplasje, zjarre. Jo nuk duam ne, por nuk janë në interes të vendit”,- deklaroi Luan Bregasi. Shoqatat e turizmit janë dhe më të prekura nga ajo që po ndodh këto muaj në vend, pasi për shkak të krizës një pjesë e madhe e të huajve që kanë rezervuar pushimet në Shqipëri i kanë anuluar ato. Kryetari i shoqatës së operatorëve turistikë, Enver Mehmeti tha se nëse zgjidhja krizës nuk vjen deri në qershor pasojat do të jenë afatgjata. Mehmeti u shpreh se, nëse kompanitë e huaja e heqin nga lista këtë vit Shqipërinë, do të duhen të paktën 10 vite që imazhi të rregullohet. Dëmi ekonomik në këtë rast do të ishte i pallogaritshëm duke sjellë falimentime pa fund të biznesit të turizmit. “Pas qershorit 2019, nëse Shqipëria, rikthehet në hartën e dyshimtë për të qenë destinacion turistik, do të na duhet një dekadë e tërë për ta rikthyer në nivelet që kemi”,- tha Enver Mehmeti. Ndërsa Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë u shpreh se si pasojë e krizës që po kalon Shqipëria, situata paraqitet e zymtë dhe në gjithë sektorët e ekonomisë. Jaka u shpreh se ka rënë qarkullimi tregtar dhe fatura e kësaj krize të rëndë vetëm sa ka nisur të ndihet, por do të jetë edhe më e madhe në momentin e bilanceve. “Dëmi që ka shkaktuar është shumë i madh. Është e rëndësishme që ne të nxjerrim faturat që po i shkaktohen ekonomisë, sipërmarrjes dhe qytetarit në raste të tilla në, kur krizat politike janë të tejzgjatura dhe të pakompromisëta. E para mungon stabiliteti politik, mungon konkurrueshmëria. Ka rënë ndjeshëm jo vetëm qarkullimi tregtar, por ndërkohë është rritur në mënyrë të frikshme edhe informaliteti”,- tha Nikolin Jaka.
Panorama që paraqitën dje para mediave bizneset dhe shoqatat kryesore në vend është alarmi më i madh që vjen për ekonominë e vendit. Është një thirrje që u bëhet të gjitha palëve, por qeveria është ajo që ka përgjegjësinë kryesore për stabilitetin e vendit.
Gjeni zgjidhje dhe mos e merrni në qafë popullin! Përgjegjsia kryesore bie mbi kryeministrin Rama që ecën kokëfortë drejt përplasjes së 30 qershorit./Q.Xhani/