Blushi:Deputetët kriminelë të Edi Ramës e Sali Berishës
Ben Blushi dje ishte kryelajmi politik. Me një fjalim perlë la në heshtje parlamentin, të dyja kampet politike. PD dhe PS kanë deputetë të inkriminuar. Blushi u bëri një radiografi deputetëve të Ramës dhe Berishës, sa edhe Berisha nuk e kundërshtoi që ishte në sallën e parlamentit. Ai tha atë që nuk e thotë asnjë në parlament: Janë kryetarët e partive që kanë sjellë kriminelët si deputetë. Fjalim i guximshëm, duke ditur se kishte përballë disa deputetë që i kap ligji i dekriminalizimit, të cilët edhe mund të të godasin siç kanë bërë deri tani.
Prej më shumë se një viti politika është përfshirë ethshëm në debatin për dekriminalizimin. Nisma për hartimin e një ligji u bë fillimisht nga Partia Demokratike. Nën presionin e ndërkombëtarëve, Partia Socialiste u detyrua të fusë në axhendën e saj krijimin e një bazë ligjore që do të mbajë larg Parlamentit dhe politikës personat me precedentë penalë. Pavarësisht se PD-ja e ka marrë përsipër këtë nismë, personat me probleme nuk janë vetëm në kampin e majtë. Të fortët, njerëzit që vijnë direkt nga bota e krimit, ose të sponsorizuar me paratë e krimit në politikë, nuk mungojnë nga të dyja kampet. Në parlament kanë të dyja kampet deputetë të inkriminuar, ndonëse për këtë legjislaturë ka me shumicë PS-ja.
Ligji i shumë debatuar pritet të kalojë javën tjetër në seancë. Edhe ditën e djeshme nuk munguan replikat dhe akuzat e forta mes palëve. Partia Demokratike këmbëngul se në ligj duhet futur dhe testi i drogës para betimit si deputet. Ndërsa mazhoranca thotë se ky ligj edhe pse mund të jetë më i ashpri në vendet e Bashkimit Europian, nuk do të sjellë asnjë rezultat nëse nuk miratohet reforma në drejtësi. Për PD-në janë 19 deputetë të mazhorancës që kanë probleme me ligjin dhe mund të preken nga zbatimit i tij. Por pavarësisht nëse deri të enjten ligji do të ketë ndryshime apo jo, në fazën e tij aktuale parashikon largimin nga postet publike të një sërë zyrtarëve, ku nuk përfshihen vetëm deputetët, por gjithë zyrtarët e administratës.
Kështu ligji parashikon moskandidim dhe moszgjidhje, emërim, apo ushtrim funksioni kushtetues, jo vetëm në politikë apo shërbimin shërbim civil, por edhe në diplomaci, shërbimet inteligjente, polici, ushtri, etj. Rregulli bazë për verifikimin e figurës së zyrtarit është vetëdeklarimi, por nëse deklarohen të dhëna të rreme, atëherë nis procedim penal.
Në rastet kur personi është dënuar apo në proces penal me identitet tjetër, shenjat e gishtërinjve janë kyçi që do bëjë identifikimin e plotë. Kategoria e parë e zyrtarëve që largohen janë ata që janë dënuar më parë me burg për një krim të rëndë. Nëse rezultojnë të dënuar nuk zgjidhen dot përjetë në një post publik në të ardhmen. Nëse vepra është kryer disa vite më parë ata humbasin automatikisht mandatin aktual dhe nuk do të marrin më kurrë mandat.
Ligji i dekriminalizimit largon nga funksionet shtetërore të dënuarit për korrupsion dhe krime zgjedhore. Sipas dokumentit, nëse dikush dënohet nga hyrja në fuqi e tutje, ndalohet për 20 vjet të tjera pas daljes nga burgu. Ndërsa për ata që janë në detyrë sot, afati 20 vjet shtrihet në periudhën para fillimit të detyrës.
Gjithashtu të dënuarit me burgim më shumë se 6 muaj për krim me dashje ndalohen me të njëjtin dënim, largimin nga detyra dhe heqjen e të drejtës për 10 vite në zgjedhjen apo marrjen e detyrave shtetërore.
Një pikë tjetër e ligjit është për personat e dënuar për krime në vendet e tjera, apo që janë dëbuar nga këto vende. Gjithmonë do të merren për bazë vendimet e gjykatave të vendeve të huaja që kanë një sistem drejtësi të konsoliduar. Edhe në këtë rast, largohen nga detyrat që mbajnë menjëherë dhe ndalohen të kandidojnë apo marrin poste për afate 20 deri në 10 vjet.
Për rastet kur ndaj personave të akuzuar nuk ka dënim përfundimtar të formës së prerë apo janë në kërkim ndërkombëtar për 10 vitet e para personat ndalohen të kandidojnë, zgjidhen apo ushtrojnë mandat, apo kur e kanë aktualisht mandatin, e humbasin. Pas kalimit të periudhës fillestare 10-vjeçare, ndalimi që aplikohet për këtë kategori është pezullimi i mandatit gjatë kohës që është nën proces penal.
Një risi e ligjit është që për rastet kur personi është dënuar për krime të rënda, apo krime që kanë të bëjnë me proceset zgjedhore, ligji parashikon që këta persona e humbasin të drejtën e votës për kohën që janë në burg.
Ligji pritet të kalojë në votim, por për zbatimin e tij janë të nevojshme dhe disa ndryshime kushtetuese që mund të bëhen me reformën në drejtësi. Parimisht ligji pastron parlamentin dhe administratën me persona me precedentë penalë. Megjithatë, problemi i dekriminalizimit nuk ka qenë mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre. Më shumë se kaq, problemi janë vetë partitë që deri më sot kanë zgjedhur njerëz që kanë pasur probleme me ligjin dhe sot i kanë çuar në Kuvend për të bërë ligje.
Këtë gjë e tha bukur dje Ben Blushi. Kush i solli deputetët kriminelë në parlament , pyeti deputeti Blushi. Përgjigja ishte retorike pra që ishin kryetarët e partive ata që i futën kriminelët si deputetë në sallën e parlamentit, Edi Rama dhe Sali Berisha. Këto dy parti kanë deputetë të tillë me CV kriminale e të fortësh.
Por duhet pranuar se po të mos ishte ambasadori amerikan Lu, që insistoi fort e publikisht, nuk do të iknin deputetët kriminelë. Ndaj Shqipëria duhet t’i jetë mirënjohës Donald Lu, pra SHBA.