Brukseli: Arrestoni politikanë të lartë të korruptuar!

Një nga kushtet e pandryshuara të Bashkimit Europian për Shqipërinë është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas marrjes së statusit vend kandidat pritshmëritë ndaj Tiranës zyrtare nga Brukseli janë edhe më të mëdha. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është një fenomen me të cilin janë ndeshur shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kroacia është rasti më konkret që Bashkimi Europian e përdor si një model që duhet të ndjekin dhe vendet e tjera të rajonit. Brenda pak viteve Kroacia dënoi një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të lartë për korrupsion. Rasti më tipik është ai i ish-kryeministrit Ivo Sanader, por edhe i zyrtarëve të tjerë të lartë. Kroacia arriti të shënojë sukses në luftën kundër korrupsionit duke ngritur një strukturë të veçantë të Prokurorisë të quajtur USKOK (Zyra Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit), e cila kishte hapësirën për të hetuar të gjithë zyrtarët, pavarësisht imunitetit. Një model i tillë i është sugjeruar edhe Shqipërisë. Duket se jo rastësisht në Tiranë këto ditë ka mbërritur Prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë, Dinko Cvitan, i cili është edhe personi që çoi para drejtësisë ish-kryeministrin kroat. Në cilësinë e ekspertit të dërguar nga Bashkimi Europian, Cvitan ka zhvilluar takime me kryeprokurorin Adriatik Llalla, si dhe trajnime me prokurorët shqiptarë lidhur me luftën kundër korrupsionit. Po dje, në një takim mes Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeprokurorit të Kroacisë është diskutuar pikërisht mbi përvojën kroate në këtë drejtim. Modeli kroat i është sugjeruar Shqipërisë dhe nga dokumentet e Bashkimi Europian. Në raportin e misionit të BE-së për drejtësinë në Shqipëri, Eralius, thuhet në mënyrë të qartë se Shqipëria duhet të operojë në mënyrë të ngjashme me Kroacinë në krijimin e një institucioni të tillë.

Lufta ndaj krimit gjatë viteve të fundit në vend ka lëvizur në drejtim pozitiv. Por nëse bëhen krahasime me vendet e tjera për antikorrupsionin, duket se ka shumë për të bërë. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda gjatë vitit që lamë pas rezultonte se ishte trajtuar vetëm një çëshje që lidhej me korrupsionin. Kaq mjafton për të kuptuar se historia e antikorrupsionit ka mbetur vetëm në deklaratat e fushatës së vitit 2013. Minimumi, për procedim penal për korrupsion janë dërguar vetëm disa ish-drejtorë të qeverisjes së kaluar. Por edhe ata, falë procedurave, shumica kanë shpëtuar pa pasur asnjë pasojë për milionat që pretendohet se kanë vjedhur. Edhe disa ish-ministra për të cilët thuhej se kishte prova që do t’i çonin pas hekurave, sot të gjitha çështjet rezultojnë se janë pushuar për mungesë provash. Në këtë pikë është e kotë të flitet për ish-Kryeministra si në rastin e Kroacisë. Diçka të tillë as e çon nëpër mend se mund të ndodhë.

Por nëse politika në Tiranë dhe institucionet e drejtësisë mund të gënjejnë opinionin dhe votuesit sa herë ka zgjedhje për fushatat antikorrupsion, nuk mund të gënjehen kaq kollaj institucionet e Bashkimit Europian. Sot në Tiranë është komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn. Veç frazave standarde për reformat e qeverisë, do të përsërisë sërish të njëjtën kërkesë që e kanë bërë paraardhësit e tij: luftoni korrupsionin tek zyrtarët e larë dhe krimin e organizuar.

Gjatë ditëve të fundit kanë ndodhur disa zhvillime që ngjajnë si sinjale për goditjen ndaj zyrtarëve të lartë. Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Tom Doshit dhe Mark Frrokut është shenja e parë e një prokurorie që po tregon se prangat nuk i tund vetëm për ata që vjedhin energjinë, por edhe për persona me pushtet politik. Megjithatë, rasti “Doshi” mund të vlejë për statistikë, por jo si shenjë reale e luftës kundër korrupsionit. Doshi dhe Frroku janë paditur për kallëzim të rremë, një vepër që nëse e kanë kryer, duhet të përballen me ligjin. Ajo që kërkon BE-ja, por mbi të gjitha vetë qytetarët shqiptarë është dënimi për korrupsion i njerëzve që kanë vjedhur, kanë abuzuar me detyrën shtetërore dhe kanë futur në xhepa milionat e taksave të qytetarëve.

Një nga zhvillimet që i hapi Kroacisë dritën jeshile për në Bashkimin Europian ishin pikërisht arrestimet e bujshme dhe përballja me drejtësinë e njerëzve të politikës për korrupsion.  Nëse qeveria e sotme dhe institucionet e drejtësisë duan që të ecin në të njëjtën rrugë, mjaftojnë të bëjnë vepra ato që thanë gjatë fushatës elektorale lidhur me korrupsionin dhe zyrtarët që kanë abuzuar.  Prokuroria duhet ndihmuar e jo sulmuar siç bëjnë , sipas interesave të momentit, PD e PS. Pse nuk ia shtojnë buxhetin Prokurorisë që të ketë mundesi praktike për të hetuar, pse nuk ia rritin pagat prokurorëve që ti “blejë” Shteti e jo privati apo zyrtari i korruptuar, pse nuk i sigurojnë pajisje në teknologji hetimi prokurorisë apo se kanë frikë se mos përgjon edhe politikbërësit? Por pikërisht tek politika është e keqja e vendit dhe atje lindin miliardat që shkojnë e rrotullohen në xhepat e zyrtarëve të lartë.

A do të kemi mundësinë që te shikohen ministra e ish-ministra apo edhe ish-kryeministra në burg për korrupsion? A do të krijohen njëherë e mirë përshtypja se ky vend edhe mund të bëhet e të zbatohet ligji mbi këdo?

Ndaj BE kërkon hetime e ndëshkime të zyrtarëve të lartë. Por nuk mundet që Prokuroria i arreston dhe në Gjykatë marrin pafajsi se paguajnë! Pse nuk arrestohen edhe gjyqtarët kur shkelin ligjet ?!

 

SHKARKO APP