Bujar Leskaj, Gjiknuri dhe Kryeministri Rama
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:46
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar dje penalisht ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, për marrëveshjen e arritur me CEZ. Ministri sëbashku më Avokatin e Shtetit kanë hartuar dhe nënshkruar në maj të vitit 2014 marrëveshjen me kompaninë çeke CEZ. Dokumenti që u vlerësua si një hap që mbyllte mosmarrëveshjet mes shtetit shqiptar dhe kompanisë çeke, sipas KLSH-së i ka shkaktuar shtetit tonë një dëm kolosal prej 479 milionë eurosh. “Referuar përmbajtjes së Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, të nënshkruar më datë 23.06.2014, nga Grupi i Punës i kryesuar nga Ministri Gjiknuri, evidentohen fare qartë elementët e një marrëveshjeje tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e deriatëhershme të Shtetit Shqiptar ndaj CEZ , duke i shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 479 milionë euro”, thuhet në njoftimin e KLSH.
Ministri Gjiknuri reagoi mbrëmjen e djeshme duke e akuzuar KLSH-në si institucion të vënë në shërbim të Partisë Demokratike, nisur nga fakti që akuzat e para për këtë marrëveshje erdhën ndaj tij nga selia blu. Tani zjarri CEZ është ndezur dhe nuk shuhet kollaj pasi flitet për një dëm prej afro 480 milionë euro që mund të ishin në buxhetin e shtetit, sipas KLSH.
Por cilat janë akuzat e KLSH për Gjiknurin? Në dokumentin e Kontrollit të Lartë të Shtetit jepen me detaje të gjitha pikat ku marrëveshja penalizon shtetin tonë: 352 milionë euro dëm është shkaktuar shtetit nga detyrime financiare që CEZ sh.a. kishte ndaj shtetit shqiptar si pasojë e keqmenaxhimit 2009-2012. Marrëveshja e firmosur nga ministri i fal kompanisë çeke këto para. Ndërsa kjo marrëveshje ka falur dhe 95 milionë euro, që ishte shuma e dakordësuar që pala shqiptare derdhi për llogari të CEZ sh.a. si pjesë e ujdisë për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes. Dëmi tjetër është 32 milionë euro zhvlerësimi i vlerës së 24 përqind të aksioneve të shtetit në kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Në total janë 479 milionë euro që kanë ikur nga arka e shtetit vetëm për të mbyllur një proces gjyqësor me komaninë CEZ, ku në të gjitha rastet ishte ajo që nuk kishte realizuar pikat e kontratës.
Çështja CEZ ka qenë ndër gjërat më të debatuarat gjatë javëve të fundit, ku ka pasur akuza dhe sulme të shumta politike. Por padia e djeshme është i vetmi hap serioz i strukturave të shtetit dhe nuk kemi të bëjmë më akuza politike, por me një auditim dhe padi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Një institucion kushtetues serioz dhe me një drejtues të tij Bujar Leskaj që shquhet për korrektesi e mosnënshtrim ndaj askujt në hierarkinë politike. Leskaj njihet si një njeri që i hodhi çelesat në zyrën e ish-kryeministrit Berisha kur ai i kërkoi dorëheqjen sepse një lob mediatik pranë PD-së nuk merrte para nga ministria e Turizmit që drejtonte Bujar Leskaj dhe e kishte bërë që armiqësia mes Berishës dhe Leskaj të arrinte kulmin duke mos e vendosur as në listën e deputetvë të PD-së për Vlorën. Kjo krijoi ndarjen përfundimtare të Bujar Leskaj me PD-në derisa presidenti Topi e dekretoi për kryetar të KLSH pas votimit kundër të kandidaturës së Sali Shehut. Pra PD dhe Berisha u detyrua ta votojë Leskaj nga halli e jo nga qejfi. Edhe në vitet e qeverisjes së Berishës, KLSH ka bërë denoncime të forta e ku janë acaruar ministrat demokratë e kanë shkuar në prokurori.
Kush e njeh Bujar Leskaj nuk mund të thotë se raportin ia paska bërë Berisha apo Rama, Meta apo Basha. Ndaj edhe akuza e mbrëmshme e ministrit Gjiknuri ndaj KLSH e Leskaj se “raportin ua ka bërë PD-ja” nuk zë vend. Ka prapë raporte e dokumente KLSH edhe për dy ministra të tjerë ! Prisni edhe pak !
Nuk flitet për qindarka të shpërdorura nga bordet e ministrive, por për një prej shumave më të mëdha që rëndon në buxhetin e shtetit. Pas akuzave për rrugën Durrës-Kukës për Lulzim Bashën, ku dëmi llogaritet 220 milionë euro, ky është skandali më i madh me dyfishin e çmimit.
Së bashku me ministrin Gjiknuri, pjesë e grupit negociator ka qenë dhe Ministri i Financave, Shpëtim Cani dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Arben Ahmetaj. Tre ministrat kryesore kanë dështuar në hartimin e një marrëveshje që mund të ishte më e favorshme për shtetin shqiptar. Sipas KLSH-së lehtësirat që i janë krijuar kompanisë çeke janë të shumta. “Nga përcaktimet e bëra në marrëveshje, pala shqiptare paraqitet tërësisht në kushte jo të barabarta, madje në pozita tepër inferiore dhe të disfavorshme karshi CEZ, duke e favorizuar atë në çdo aspekt, pretendim, dëmshpërblim, përgjegjësi, duke përdorur standarde të dyfishta për të njëjtën çështje madje dhe në çdo risk të mundshëm hipotetik që mund ti vijë kësaj kompanie në të ardhmen”,- thuhet në raportin e KLSH.
Çfarë e ka detyruar ministrin Gjiknuri që të nënshkruante një marrëveshje ku dukshëm shteti shqiptar dilte me humbje? E ka urdhëruar kryeministri që të merrej si kompensim vota çeke e ndaj duhej firmosur? Në reagimet e para kur u fol për skandalin “CEZ”, ministri deklaroi se marrëveshja u kërkua nga institucionet ndërkombëtare si një garanci për bizneset e tjera. Pra, shteti shqiptar duhet të pranonte kushte të pafavorshme vetëm që të “përmirësonte klimën e biznesit”. Por 479 milionë euro kush i paguan sot? Me çfarë të drejtë taksapaguesve u vidhen gati 500 milionë euro vetëm që një kompani e huaj të mos ankohet në arbitrazh dhe të ruajmë imazhin e vendit? Këtë thotë edhe KLSH në padinë e tij.
Tani ministri Gjiknuri, kryeministri Rama dhe Kryetari i KLSH, Leskaj do përballen në prokurori e gjykatë.