Bujar Leskaj: Mentaliteti i zyrtarëve, vidh, luaji fenë!
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj në një analizë për administratën publike në vend, ngre shqetësimin për kulturën e pandëshkueshmërisë. Shifrat e KLSH-së, institucioni që cilësohet si gardiani i financave publike tregojnë se vetëm në tre vitet e fundit 368 punonjës të aministratës publike janë dërguar në Prokuroi për abuzime. Një numër i madh rekomandimesh për largimin e zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën është dërguar në Ministritë përkatëse dhe institucionet qeveritare. Por duket se asnjë prej rekomandimeve të këtij institucioni kushtetues nuk është marrë parasysh. Kreu i KLSH, Bujar Leskaj pranon se këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër në qeveri. Ndërsa shpesh herë mos largimi nga detyra i zyrtarëve abuzues apo të korruptuar dhe mos reagimi i qeverisë ka dhënën efekte dhe në hetimin e dosjeve në prokurori. “Propozimet tona për largimin e këtyre personave nga administrata publike, të evidentuar prej nesh në abuzim dhe shpërdorim të pronës dhe fondeve publike, gjejnë vesh të shurdhër në qeveri. Mosreagimi qeveritar dekurajon edhe prokurorët e dosjeve të veçanta, duke sjellë që i gjithë procesi të pengohet”,- thotë Leskaj.
Një situatë e tillë, përveç se krijon atë që kreu i KLSH e quan “kulturë të pandëshkueshmërisë, minon të gjithë rezultatet e kontrolleve që ky institucion kryen. Këto raste nuk kanë të bëjnë me institucion dorës së dytë, por siç thotë Kryetari i KLSH, abuzimet janë në nivel të lartë dhe kërkesat u janë dërguar kryesisht ministrive përkatëse.
Shkeljet e këtyre zyrtarëve janë në sektorë ku risku i korrupsionit është më i madh; si prokurimet publike, administrimi i pasurive natyrore, taksat dhe karburante.
Mungesa e ndëshkimit dhe largimit të këtyre zyrtarëve, po krijon sipas z. Leskaj, një mentalitet gërryes për administratën dhe shtetin shqiptar. “Një mendësi e tillë e “vidh se zor se do të kapesh ndonjëherë. Sa ke postin, luaji fenë!” paraqitet sot e aftë për të gërryer çdo tentativë institucionale dhe individuale në drejtim të konsolidimit të një shteti ligjor, si dhe çdo shpresë të qytetarit shqiptar se ky vend bëhet dhe se edhe tek ne mund të triumfojë shteti ligjor”,- shprehet kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj.
ANALIZË
Për rritjen e përgjegjshmërisë së administratës sonë publike
Nga Bujar Leskaj
Presidenti Abraham Linkoln, një nga themeluesit e demokracisë së sotme amerikane, shprehej për administratorin e përgjegjshëm se “Administratori i Shtetit, kur është i përgjegjshëm, ka me vete publikun. Qeverisja jonë qëndron si në pasqyrë, përpara opinionit publik. Cilido administrator që mund të ndryshojë për mirë opinionin publik mbi një shërbim apo veprim shtetëror që ka kryer, ka ndryshuar për mirë qeverinë” (10 dhjetor 1856, Fjalim në Çikago).
Çdo demokraci e zhvilluar, si ajo amerikane, dhe evropianoperëndimore, vë në qendër të shërbimit dhe qeverisjes publike administratorin shtetëror, përgjegjësinë, korrektesën me ligjet dhe etikën që duhet të tregojë në performancën e tij. Shkelja edhe më e vogël e këtyre tre kollonave ku mbështetet shteti ligjor në BE dhe në SHBA, nënkupton rrezikimin e karrierës së nëpunësit publik, sado i nivelit të lartë qoftë ai. Ndërsa në rastet e shkeljeve jo të lehta, nëpunësi publik i kapur në shkelje detyrohet menjëherë të japë dorëheqjen ose kur nuk pranon, lirohet nga shërbimi publik. Në rastet më të rënda të dyshimit për abuzim të qëllimshëm me detyrën, ky nëpunës, i çfarëdo niveli të jetë automatikisht lirohet nga detyra dhe, kur vërtetohen dyshimet, ndiqet penalisht.
Kjo praktikë e vlerësimit të sjelljes, veprimeve dhe performancës së administratorëve publikë është e përhapur gjerësisht në të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe siguron instalimin e plotë të kulturës së ndëshkueshmërisë dhe të forcës së shtetit ligjor, madje asaj i referohen edhe direktiva të caktuara të Komisionit Evropian. Ka ardhur koha që si praktikë të shtrihet edhe tek ne.
Si Kontroll i Lartë i Shtetit, vërejmë me shqetësim se ankesat dhe denoncimet e qytetarëve ndaj shërbimeve të mangëta apo abuzimeve të drejtuesve shtetërorë me pronën publike, nëpërmjet mediave apo që vijnë drejtpërdrejti në adresë të institucionit tonë, po njohin një spirale në rritje. Duke perifrazuar fjalët e Linkolnit, këta administratorë, nuk kanë me vete vlerësimin qytetar dhe opinionin e gjerë publik.
Si institucioni më i lartë dhe i pavarur i auditimit të jashtëm publik në Shqipëri, KLSH e ka për detyrë kushtetuese ta mbajë të përgjegjshme administratën shtetërore, në rradhë të parë, administratorët e lartë shtetërorë.
Konstatojmë se pothuajse në çdo auditim që ndërmarrim, pandëshkueshmëria e administratorit publik të nivelit të lartë, të kapur në gabim apo abuzim prej nesh, minon të gjithë rezultatet e kontrolleve që bëjmë dhe të rekomandimeve që japim.
Si KLSH, në periudhën janar 2012-nëntor 2015 kemi përgatitur 169 kallzime penale drejtuar institucionit të Prokurorisë. Kemi dërguar në prokurori 368 punonjës të administratës sonë publike. Ndërmjet tyre, kanë qenë me dhjetra administratorët publikë të niveleve më të larta, të tillë si Ministër, Drejtor i Përgjithshëmnë Ministri, Drejtor Kabineti i Ministrit, Sekretar i Përgjithshëm në Ministri, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencive në varësi të Kryeministrit, Drejtor arsimi në rrethe, Drejtorë institucionesh në rrethe, etj.
Efekti i këtyre denoncimeve të KLSH është tejet i pakët, për sa kohë propozimet tona për largimin e këtyre personave nga administrata publike, të evidentuar prej nesh në abuzim dhe shpërdorim të pronës dhe fondeve publike, gjejnë vesh të shurdhër në qeveri. Mosreagimi qeveritar dekurajon edhe prokurorët e dosjeve të veçanta, duke sjellë që i gjithë procesi të pengohet.
Gjatë kësaj kohe, kemi patur një bashkëpunim të efektshëm me Komisionin e Ekonomisë së Kuvendit, i cili na ka dhënë mbështetje si për financat e institucionit, ashtu dhe për ndjekjen e rekomandimeve tona. Për fat të keq, nuk mund të themi se kemi një bashkëpunim të ngjashëm edhe me qeverinë. Gjatë vitit 2016, do të dërgojmë listat me administratorët e lartë publike që kemi gjetur në shkelje dhe do të paraqesim këtë dukuri shqetësuese në të gjitha komisionet e Kuvendit, duke synuar ndërgjegjësimin e plotë të tyre dhe të të gjitha strukturave të Kuvendit për të luftuar pandëshkueshmërinë.
Të shumtë kanë qenë institucionet tona shtetërore(me veprimet dhe mosveprimet e tyre) dhe faktorët, të cilët përgjatë këtyre viteve, kanë ndikuar në instalimin e “antikulturës së pandëshkueshmërisë” në vendin tonë. Kjo antikulturë nxit në çdo moment abuzimin dhe tentativat për korrupsion në rradhët e nëpunësve publikë, sidomos të atyre të niveleve më të larta. Një mendësi e tillë e “vidh se zor se do të kapesh ndonjëherë. Sa ke postin, luaji fenë!” paraqitet sot e aftë për të gërryer çdo tentativë institucionale dhe individuale në drejtim të konsolidimit të një shteti ligjor, si dhe çdo shpresë të qytetarit shqiptar se ky vend bëhet dhe se edhe tek ne mund të triumfojë shteti ligjor.
Megjithë vështirësitë që paraqet angazhimi institucional në një sfidë të tillë, përpara si qeverisë ashtu dhe përpara institucioneve të pavarura, bie përgjegjësia e luftës pa kompromis për ta kufizuar dhe mposhtur antikulturën e pandëshkueshmërisë. E kemi detyre parësore, pse kjo antikulturë rrezikon të transferohet si sfidë mbarëshoqërore shqiptare në brezat e ardhshëm, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e shtetit të së drejtës tek ne dhe shpresën e goditur(jo pak deri sot) të vetë qytetarëve në forcën ndëshkuese të Shtetit. Hartimi dhe miratimi i ligjeve të reja humbasin rëndësinë e tyre, në rast se institucionet më të larta të Shtetit nuk respektojnë ligjet që Kuvendi i Shqipërisë miraton.
Efektshmëria dhe dobishmëria e auditimeve tona si KLSH, por edhe e auditimeve të strukturave te auditimit të brendshëm apo atyre ndërkombëtare, qëndron pikërisht në zbatimin e rekomandimeve të auditimit nga ana e institucioneve përkatëse shtetërore. Për këtë arsye, Progres Raportet e Komisionit Europian për Shqipërinë, veçanërisht ato të dy viteve të fundit 2014 (Kapitulli 32, fq.61) dhe 2015 (Kapitulli 32, faqe 76), i japin një rëndësi të veçantë ndjekjes sistematike të auditimeve të KLSH-së, si dhe shkallës së zbatimit të rekomandimeve të këtyre auditimeve nga institucionet shtetërore.
Faktorët kryesorë që ndikojnë në dhënien e rekomandimeve, janë gjendja e konstatuar nga auditimet dhe kushtet në të cilat vepron dhe ndodhet institucioni dhe vetë Shteti ynë në përgjithësi. Për rrjedhojë, në dhënien e rekomandimeve të auditimit, KLSH merr në analizë, jo vetëm proporcionalitetin e tyre me gjetjet dhe konstatimet, por edhe mundësinë reale të realizimit, qoftë dhe afatgjatë, të këtyre rekomandimeve nga ana e institucioneve.
Jemi në kushtet e një gjendjeje “deja vu”, pra të parë dhe përsëritur me dhjetra herë. Kemi konstatuar dhe evidentuar deri në detaje abuzimin dhe shkeljen flagrante të ligjeve dhe urdhëresave të shumë administratorëve publikë të lartë, kemi kërkuar largimin e tyre nga detyra dhe shërbimi civil, por nuk ka ndodhur asgjë.
Gjykojmë se në rastin kur një institucion i mandatuar nga Kushtetuta si KLSH, konstaton dhe evidenton shkelje tepër të rënda të kryera nga nëpunës të caktuar të administratës shtetërore, për të cilët ka rekomanduar jo vetëm largimin e tyre nga detyra por ka depozituar edhe kallzim penal, ajo çka mbetet absurde, është fakti se si mund të qëndrojnë ende në detyrë nëpunës të tillë të administratës shtetërore, duke shpërfillur së bashku me eprorët e tyre, çfarëdolloj denoncimi dhe rekomandimi? Në këto raste, nuk bëhet më fjalë për paaftësi dhe pamundësi institucionale, as për neglizhencë, por për mungesë vullneti ndaj luftës reale kundër korrupsionit dhe përpjekjeve për ndërtimin e një shteti ligjor.
Ka shumë shembuj aktualë të zyrtarëve të nivelit të lartë drejtues, për të cilët, në bazë të shkeljeve dhe abuzimeve të konstatuara nga auditimet, KLSH u ka rekomanduar strukturave eprore të emërtesës, kryesisht Ministrave, largimin e tyre nga detyra. Shkeljet për të cilat akuzohen këta nëpunës të lartë shtetërorë dhe për të cilat ne kemi depozituar kallzime konkrete penale në organin e Prokurorisë, kanë të bëjnë me disa prej fushave apo sektorëve më nevralgjikë dhe me nivelin më të lartë të riskut ndaj korrupsionit dhe abuzimit me detyrën, si prokurimet publike, administrimi i pasurive natyrore, veçanërisht në sektorin e hidrokarbureve, legalizimet, mbledhja e tatimeve dhe taksave, etj.
Nga ana tjetër, ka shumë institucione shtetërore që nuk pranojnë të zbatojnë rekomandimet tona për largimin e tyre nga detyra, pa dhënë asnjë shpjegim apo arsye të këtij refuzimi. Largimi i këtyre nëpunësve të lartë të administratës shtetërore, nga detyrat apo postet që ata mbajnë, mbetet një parakusht i shprehjes së vullnetit dhe seriozitetit institucional qeveritar ndaj një lufte pa kompromis kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën.
Në kuadër të një bashkëpunimi real institucional për ndërtimin e shtetit ligjor dhe eliminimin e antikulturës së pandëshkueshmërisë, ndonëse nuk mund ta anashkalojmë dhe nuk e fshehim zhgënjimin tonë institucional, për rastet kur disa prej institucioneve shtetërore, në varësi apo pjesë e qeverisë, kanë neglizhuar apo injoruar me dashje zbatimin e rekomandimeve tona, ngelemi gjithnjë syçelët dhe këmbëngulës që çdo rekomandim i yni i paplotësuar për largimin e nëpunësve të lartë shtetërorë të denoncuar në Prokurori, duke filluar nga janari 2012, të zbatohet me korrektësi nga institucionet përkatëse shtetërore. Besojmë fort tek një aleancë gjithëpërfshirëse, nën mbikqyrjen dhe monitorimin e aleatëve tanë ndërkombëtarë SHBA dhe BE, për luftën konseguente ndaj antikulturës së pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Kemi propozuar që këtë aleancë ta drejtojë tek ne shoqëria civile, shoqatat më përfaqësuese dhe të spikatura të saj në betejën për më shumë transparencë në administrimin publik dhe kundër korrupsionit.
Sot në botë, sidomos në vendet e BE-së, ne si Institucione Supreme të Auditimit, konsiderohemi si agjentë të posaçëm të Parlamentit dhe opinionit publik në tërësi, ku nëpërmjet auditimeve, ekspertizës dhe dhënies së rekomandimeve konkrete, luajmë një rol të pazëvendësueshëm dhe tepër të rëndësishëm në forcimin e shtetit ligjor, çka për vendin tonë mbetet ende një sfidë parësore.
Do të vijojmë përpjekjet tona për denoncimin e korrupsionit dhe abuzimeve, por sidomos edhe për largimin nga detyra të nëpunësve të lartë publikë, të evidentuar prej nesh në abuzim dhe shkelje të renda, të bindur se nuk jemi vetëm, se kemi me vete opinionin e shëndoshë publik të vendit, aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, Kuvendin si dhe pjesën e pakorruptuar dhe të aftë të institucioneve qeveritare.