Bujar Nishani drejt shkarkimit nga Lulzim Basha

Nga Herion Mesi-

Zgjedhja e kryetarit të PD-së mbaroi, Lulzim Basha fitoi përballë tre kandidatëve të tjerë, ndonëse grupi që mbështeste Edit Harxhin nuk e njeh fitoren e Bashës. Dhe tek grupi antiBasha ishte edhe ish-presidenti Bujar Nishani, por aty ishte në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së. Nishani doli disa herë hapur kundër praktikave të Lulzim Bashës, duke i kërkuar atij të jap dorëheqjen nga detyra e kryetarit të selisë blu, pasi ka humbur për herë të tretë zgjedhjet dhe nuk mund të drejtonte më PD-në, sipas Nishanit. Por jo vetëm nga Nishani. Në këtë grupim ishin dhe janë shumë themelues të PD-së si dhe emrat më të njohur në PD, pas Sali Berishës, si Arben Imami, Jozefina Topalli, Astrit Patozi,etj.

Por në krye të këtij grupimi është Bujar Nishani, pasi ka portofolin partiak të kryetarit të këshillit kombëtar të PD-së. Dhe nuk është detyrë e vogël, pasi atij të Lulzim Bashës, sepse në gjuhën politike ai është shef partiak i shtabit të luftës së PD-së, ndonëse “komandant i përgjithshëm” mbetet Basha në selinë blu.

Lulzim Basha, siç dihet dhe cituam, ka fituar karriken e kryetarit të PD dhe do jetë edhe për 4 vite të tjera në krye të kësaj force politike. Por brenda kupolës së PD-së, njerëz afër Lulzim Bashës tregojnë se me 17 korrik, datë kur Basha ka kërkuar mbledhjen e këshillit Kombëtar të PD-së do të shkarkohet kryetari i këshillit kombëtar, Bujar Nishani. Po kështu flitet koridorëve të PD se edhe Edi Paloka do të largohet nga detyra e nënkryetarit të PD-së, me pretekstin se “nuk mori vota në Durrës sa duhej të merrte”. Por Bujar Nishani dhe Edi Paloka njihen si njerëzit e ish-kryeministrit Berisha, bile Paloka mbetet një nga militantët dhe gazetarët e parë pranë RD e më pas në parlament si deputet që ka bërë luftë stoike kundër Rilindjes. Skena e tij duke ngjyer me bojë kryeministrin Rama mu në sallën e Kuvendit ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe mbetet akti më guximtar nga radhët e deputetëve të PD-së.

Ndaj skema e Lulzim Bashës për të palosur ish-presidentin e Republikës nga detyra partiake ka mundësi të sjellë në një çarje të re në PD, çka do ti shtonte jetën në pushtet Edi Ramës.

Më këtë rast Lulzim Basha do të bëjë edhe spostime të tjera në kryesinë e PD dhe në organizimin e saj. Natyrisht që është e drejtë e Bashës se si e do ta organizojë partinë pas humbjes dhe qëndrimit drejt 12 viteve në opozitë. Por fakti që po largon njerëzit e Berishës tregon se ka sinjale se ai po e vret “babanë politik”, Sali Berishën, nga pak e përditë. Edi Rama kishte kurajon dhe i doli përballë Fatos Nanos dhe e çoi në pension, kurse Basha me sa duket nuk del dot përballë Berishës. Dhe përdor goditjen poshtë barkut.

Ish-kryeministri Berisha nuk dihet se si do të reagojë nëse shkarkohet Nishani dhe a do të jetë në sallën e mbledhjes kur të shkarkohet kryetari këshillit kombëtar? Nëse ish-lideri i PD-së nuk shkon në mbledhjen e shkarkimit të Nishanit, kjo tregon se bateritë e tij po bien në PD, por nëse shkon dhe nuk e përfillin tregon se as bateri nuk ka më. Mbetet të shikojmë se si do reagojë Berisha përballë vendimeve të Lulzim Bashës, që tani ka vulën e PD-së edhe 4 vite.

SHKARKO APP