Çamët kërcënojnë kryeministrin Rama
Seancën e ditës së enjte, në zhurmën e debatit për 21 janarin në Parlament, kaloi pa vëmendje rrjedhja e votave brenda koalicionit të majtë. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit të pronave mori vetëm votat e Partisë Socialiste dhe një pjesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Listës së gjatë të koalicionit “Rama” i munguan votat e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitetet (PDIU). Deputetët Omer Mamo dhe Tahri Muhedini u larguan nga salla gjatë votimit. Ndërsa Shpëtim Idrizi dhe Aqif Rakipi, megjithë negociatat e nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ngritën kartonin kundër vendimit të koalicionit, ku bëjnë pjesë.
Zyrtarisht votimi kundër rrëzimit të dekretit të Nishanit u cilësua si një qëndrim parimor i PDIUS-së për çështjen e pronave. Por realisht, pesha e 5 votave të PDIU-së, duke përfshirë dhe atë të ish-deputetes së PD-së, Mesila Doda është rritur ndjeshëm për Partinë Socialiste, pas marrëdhënieve jo të stabilizuara mes PS-së dhe LSI-së. Ndaj, braktisja e votimit ditën e enjte ishte sinjali i parë që çamët i dërgonin Ramës se si aleatë në një koalicion duan dhe ata pjesën e tyre nga torta e pushtetit.
Negociatat mes drejtuesve të grupeve parlamentare PS dhe PDIU nuk kanë arritur rezultat në Kuvend. Ndaj kreu i PDIU-së ka zgjedhur të japë vetë mesazhe kërcënuese ndaj kreut të koalicionit Edi Rama. Në një intervistë në “Vizion Plus”, Shpëtim Idriz ka qenë i drejtpërdrejtë për atë çfarë kërkon nga Kryeministri Edi Rama. Sipas tij, PDIU ka pesë deputetë dhe është partia e katërt parlamentare e njëkohësisht partia e tretë e koalicionit të majtë dhe duhet të kishte marrë me kohë një post ministror. Kritikat nuk kanë munguar ndaj Ramës dhe mënyrës sesi po qeveris. Sipas Idrizit, qeveria në tre vite pushtet duhet të kishte ndryshuar me kohë.
Veç Idrizit edhe deputetë të tjerë kanë lënë të kuptohet se votat e PDIU-së nuk janë të garantuara për reformat e qeverisë “Rama”. Deputetja Mesila Doda, në një prononcim për mediat shprehu rezerva për disa pika të draftit për reformën në drejtësi. Pra, dha një sinjal të hapur publik.
Si deklaratat publike ashtu edhe votimet në Kuvend tregojnë se partia e çamëve është hedhur në ofensivë ndaj Kryeministrit Rama për të zbatuar marrëveshjen dhe përfshirjen e tyre në qeveri patjetër në këtë vit, ose në një shans që duket se mund të jetë këto muaj për ndryshime drastike që ka plan Edi Rama. Jo rastësisht PDIU ngre zërin për përfshirje në qeveri, pikërisht në momentet, kur aleanca PS-LSI ka probleme. Gjatë vitit 2015, kur pati fërkime mes PS-së dhe LSI-së, Shpëtim Idrizi ndoqi të njëjtën strategji. Ofroi votat e tij në Kuvend dhe mori si shkëmbim postin e nënkryetarit të Parlamentit, disa drejtori të rëndësishme në administratë dhe një zëvendësministër në kabinetin “Rama”. Situata duket se është e njëjtë. PS dhe LSI kanë shumë pika që i ndajnë për reformën në drejtësi. Kur humori i dyshes Rama-Meta ndryshon brenda ditëve, çamët kanë vendosur t’i kujtojnë Kryeministrit Rama se duan dhe ata pjesën e tyre për të dhënë mbështetjen e reformave. Një ministri ose nuk ka vota!
Por nuk është vetëm ky kërcënimi i çamëve ndaj Ramës. Futja e tyre në koalicion u pa si një zgjedhje për të minimizuar varësinë e PS-së nga votat e LSI-së. Me pesë votat e tyre, Rama kërkonte të çimentonte shumicën qeverisëse, në varësi të qëndrimeve të LSI-së. Por duket se llogaritë nuk dalin, deri tani. Shpëtim Idrizi ka rezultuar se është më luajal me kreun e LSI-së sesa me qëndrimet e kreut të koalicionit qeverisës. Sa herë që ka pasur konflikte mes PS-së dhe LSI-së, Idrizi është parë të takojë rregullisht kreun e Kuvendit Ilir Meta. Takime që më shumë kanë qenë sinjale për t’i treguar Ramës; ose rritjen e pazarit për karriget e ministrave, ose krijimin e një poli të tretë politikë, mes LSI-së dhe PDIU-së. Një strukturë e re politike që nuk ka qenë hamendje e mediave, pasi vetë Shpëtim Idrizi ka pranuar se në vitin 2013 ka pasur një marrëveshje me Ilir Metën për të bashkëpunuar politikisht.
PS pa LSI-në nuk merr dot frymë, kurse pa PDIU ka probleme me frymëmarrjen.