Çfarë mund të ndryshojë ambasadori i ri amerikan
U bë disa ditë që ambasadori i ri Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, i cili mbërriti në Tiranë me jehonën e një rockstari, ka qenë më i rezervuar në komunikimin me publikun. Ndoshta i ka mirëkuptuar disa kritika të mediave shqiptare, ndoshta ka parë nga afër se vendi ku ka vënë këmbën ka shumë probleme serioze dhe çdo qëndrim i një ambasadori amerikan do të ndikonte fuqishëm, për mirë ose për keq. Tani, që mesazhet përshëndetëse u kryen dhe bashkë me to edhe takimet e kortezisë, ambasadori me siguri ka përpara prioritetet e punës së tij.
Si për ironi të fatit, ditët e para të Donald Lu në Tiranë, u përcollën nga krismat e armëve, shpërthimet e tritolit, operacionet antidrogë dhe debatet e tredhura për dekriminalizimin e Parlamentit. Sfida ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ashtu siç vetë e tha në shqip ambasadori Lu në konferencën për shtyp, mbetet prioriteti kryesor i angazhimit amerikan në Shqipëri. Edhe një zyrtar i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit, Tom Yazdgeri, tha pak ditë më parë se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Kroacisë për të dënuar funksionarët e lartë të përfshirë në korrupsion.
Por çfarë mund të bënte një ambasador amerikan në këtë drejtim? Ose çfarë mund t’i kërkonin shqiptarët atij si mbështetje për t’u përballur me sfidën e krimit të organizuar dhe korrupsionit? Ambasadorit Lu në fakt i duhen thënë që në fillim disa të vërteta. Vendi i shqiponjave, siç na përkufizon ai në mesazhin e tij përshëndetës, ka kohë që është kthyer në vendin e lepujve. Shqipëria ka probleme serioze me krimin dhe korrupsionin edhe për faktin se këtu askush nuk flet, ose nga frika ose nga pagesa e frikës. Mediat prej kohësh shmangin të përmendin emra të botës së krimit apo të zyrtarëve të lartë që dyshohen të përfshirë në vepra kriminale. Investigimet gazetareske po zhduken si gjini, kriminelët po quhen biznesmenë, ndërsa politikanët e korruptuar riciklojnë njëri- tjetrin. Faktet janë të qarta si drita e diellit se kjo heshtje ose blihet ose imponohet nga frika. Një ambasador sigurisht nuk e ka të lehtë të përfshihet në çështje të drejtësisë së një vendi, por ka avantazhin e madh që as mos të ketë frikë e as mos të tundohet nga thënia e disa të vërtetave. Në mos tjetër, ato do t’u jepnin përkrahje morale atyre gazetarëve që vërtet duan të mos duken si dordolecë krahasuar me kolegët e tyre në botë.
Në Shqipëri nuk flasin mediat, por nuk lëshon zë as shoqëria civile. Kjo më së shumti është kapur në rrjetën e projekteve nga buxheti i shtetit dhe prej shumë e shumë vitesh shqetësim të vetëm ka mbijetesën e saj dhe jo misionin për të cilën është krijuar. Ambasadori i ri ka në dorë të paktën të ndërpresë rutinën e mbështetjes së shoqatave e instituteve shterpë që nuk pjellin asnjë ndryshim dhe të promovojë të rinjtë që duan dhe kanë kurajo të denoncojnë krimin dhe korrupsionin.
Ambasadori Lu duhet të dijë, që me ndonjë përjashtim të rrallë, në Shqipëri edhe opozita eviton të flasë me emra konkretë dhe të hapë çështje delikate. Nga frika ose nga implikimi. Kështu, individë të caktuar shndërrohen në të paprekshëm. Qytetarët i shohin dhe i dinë bëmat e tyre, por ndihen të pambrojtur.
Në një vend ku opozita, mediat, shoqëria civile nuk e kryejnë si duhet funksionin e tyre, a mund të flitet për të sfiduar krimin e organizuar dhe korrupsionin?
Ambasadori duhet të dijë gjithashtu se shpesh do të tentojnë ta përfshijnë në debatin politik idiot të akuzave të ndërsjellta, herë ta bëjnë palë e herë t’i kërkojnë ndërmjetësim, duke e zhvendosur nga thelbi i problemeve dhe si justifikim për dështimin në luftën kundër krimit. Ai do të dëgjojë kryeministrin që ankohet për presidentin, ministrin e Brendshëm që do t’i qahet për drejtësinë, etj, ndërkohë që zyrtarë të lartë përfshihen në afera korruptive, kriminelë me mbështetje politike e mediatike lëvizin e bëjnë biznes pa u hyrë gjemb në këmbë.
Ndonëse di shqip, ambasadori do të kërkojë t’i përkthejnë debatet për dekriminalizimin e parlamentit, ku të gjithë flasin për kriminelë, por askush nuk guxon të përmendë emra. Do të përballet me një kryeministër, ministra e zyrtarë të lartë që janë mjeshtra për t’a pasuar përgjegjësinë dhe për t’i lënë gjërat ashtu siç janë. Atëherë ndoshta do ta kuptojë se pse Shqipëria nuk e ka ndjekur dhe e ka të pamundur ta ndjekë shembullin e Kroacisë.
Nëse vërtet ambasadori Donald Lu ka si objektiv atë që deklaroi në konferencën për shtyp, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ai duhet të ketë parasysh se ka ardhur në një vend ku shoqëria e ka humbur vullnetin për të bërë diçka të tillë. Ka dështuar. Nga frika, interesi, lodhja apo dëshpërimi. Në një vend që, më shumë se sa nga përkëdhelja e krenarisë boshe si vend i shqiponjave, ka nevojë t’i thuhen me zë të lartë disa të vërteta. Një ambasador amerikan e ka fuqinë dhe mundësinë për t’i thënë ato. Janë më të nevojshme se çdo deklaratë dashurie për Shqipërinë dhe shqiptarët.