Pyetja: Çfarë Opozite do kemi këtë vjeshtë?
Nga Nikoll Lesi
Edhe pak ditë dhe hyjmë në shtator ose në vjeshtën e fundit të opozitës, që nuk duhet të mbetet opozitë edhe vjeshtën tjetër. Muaji gusht nuk ishte kaq i qetë për shoqërinë shqiptare, sa ç’jemi mësuar vitet e fundit, kur lideri opozitar piqte lëkurën në sezon plazhi.
Tashmë Edi Rama i ka marrë të gjitha, çka donte por edhe çfarë “i fali” vetë opozita. Të gjithë punojnë për kryeministrin; media, biznesi, oligarkia, bankat, krimi i organizuar, prokuroria, shërbimi sekret e siç duket edhe vetë gjykatat.
Opozita ka mbetur pa asgjë, si kurrë ndonjëherë në këto 29 vite pluralizëm. I ka mbetur vetëm fjala, por edhe fjalën mediat ia censurojnë ose ia japin me pikatore. Kanë mbetur disa ishuj lirie, si “”Të Paekspozuarit”, “Opinion”, “Open” dhe ndonjë tjetër, por siç duket qielli gri po bëhet i errët edhe për ta, pasi kryeministri synon ose t’i mbyllë ose t’i censurojë.
Portalet mbeten lumenjë lirie dhe fyerjesh, por realisht, dhe për dreq, jam me kryeministrin. Në sensin e një ligji të rreptë për portalet, por me kryeministrin na ndan mënyra e kontrollit të tyre. Ai don AKEP e AMA, agjensi që i kontrollon ai; unë dua që gjykata të vendosë.
Por që duhet LIGJ patjetër, edhe për portalet, nuk ma ndryshon mendjen as Zoti!
Siç thamë, Opozita nuk ka zgjidhje tjetër përveç vendosjes së një date finale ku të paralajmëroj si kryeministrin, ashtu edhe ndërkombëtarët. Datë finale për zgjidhjen e krizës së rëndë. Datë, ku pasi të vendoset në unanimitet me forcat politike opozitare, ajo të jetë DATË FINALE PËRBALLJE.
Nuk duhet të ketë një apo dy data, apo hajdeni sot në protestë, por shpërndahuni e hajdeni prapë radhën tjetër!
Një DATË duhet, tani, në vjeshtë. Dhe të paralajmërohet DATA dhe jo opzoita dhe qytetarët e revoltuar ta marrin vesh pesë ditë para datën e përballjes së fundit.
Edhe ndërkombëtarët, nëse janë pikësëpari për demokracinë e jo të kenë prioritet stabilitetin, qoftë edhe me kryeministra autoritar, pra duhet të reagojnë. Në fakt stabiliteti vjen nga një DEMOKRACI e fortë funksionale me pushtete të ndara e me një opozitë në institucione, kushdo të jetë opozita nesër pas zgjedhjeve të parakohshme.
Opozita nuk ka tjetër zgjidhje, përveç ULTIMATUMIT FINAL. Se si e kur, e di opozita, por brenda kësaj vjeshte. Nëse e lenë për më vonë, atëhere vetë opozita do kërkojë emigrim, si dikur QEVERITË NË EMIGRACION apo siç e ka shkruar bukur Nasho Jorgaqi, MËRGATA E QYQEVE.
Ndaj opozita ka detyrim politik, moral dhe kombëtar të reagojë fort.
Sot, pasi nesër do jetë vonë!