Deklaratë e 10 prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe deklarata e Arta Markut
Prokurori Besim Hajdarmataj ka firmosur sekuestrimin e pronave të Habilajve dhe anëtarëve të grupit të tyre. Vetëm një ditë më pas, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, vendosi të transferojë në Pogradec Hajdarmatajn, i cili po heton edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vetëm pak ditë më parë Mali i Zi provoi me fakte se Saimir Tahiri kishte udhëtuar me jaht drejt Italisë bashkë me persona të tjerë, duke e plotësuar me prova të reja dosjen kundër ish-ministrit të Brendshëm, i akuzuar për trafik droge bashkë me kushërinjtë e tij, Habilaj.
Duket se dosja Tahiri ka trazuar politikën. Pas fillimit të masave disiplinore nga kryeprokurorja Marku përmes një deklarate dërguar mediave, 10 prokurorët në fjalë kanë reaguar ndaj Markut, duke e cilësuar të paligjshme vendimin e saj.
Deklarata e plotë e Prokurorëve
Në vijim të njoftimit të datës 19.9.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme (referuar më poshtë si “Njoftimi” ) për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 10 prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda (referuar më poshtë si “PKR”), të cilët përfaqësojnë shumicën e prokurorëve të PKR, për shkak të sensibilitetit të lartë të rastit dhe për hir të bërjes transparente të fakteve, ne, prokurorët e poshtë-shënuar kemi përgatitur këtë deklaratë, me qëllim sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe çështjeve ligjore të lidhura me të, si më poshtë vijon:
Më datën 18 Shtator 2018, jemi njoftuar përmes telefonit për të qënë pjesëmarrës në një mbledhje e cila do të zhvillohej në të njëjtën ditënë orën 15.00, pa u njoftuar per objektin e saj.Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim menenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” , I cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditëpërpara, së bashku me rendin e ditës.
Mbledhja në fjalë u shty për të nesërmen, më datë 19.09.2018 në orën 9.00 nga drejtuesja, për shkak të mungesës së disa prokurorëve. Kërkesa e prokurorëve për t’u njohur me objektin e mbledhjes nuk mori asnjë përgjigje nga ana e drejtueses së komanduar të PKR.
Në mbledhjen e organizuar më 19 Shtator 2018, në orën 09.00, në fillimin e mbledhjes, drejtuesja e komanduar njoftoi se, mbledhja lidhej me hedhjen e shortit për caktimin e një prokurori për çështjen penale nr.26/16 dhe se hedhja e shortit lidhej me pamundësinë e prokurorëve të çështjes për ta përfaqësuar atë. Sqarojmë këtu se, në asnjë moment nuk na është bërë i ditur urdhëri për zëvendësimin e prokurorëve në fjalë së bashku me shkaqet ligjore përkatëse. Për hir të qartësisë, çështja në fjalë, ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare.
Nga pjesa më e madhe e prokurorëve të pranishëm në mbledhje, u paraqitën pretendime në lidhje me kërkesën për hedhjen e shortit dhe ligjshmërinë e tij, pasi prokurorët e çështjes Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes, përfshirë këtu edhe prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili në fakt, jo më herët se data 18 Shtator 2018, përmes një akti me shkrim, i kishte shprehur drejtueses së komanduar të PKR vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente.
Hedhja e shortit, dhe ideja vijuese për krijimin e një grupi hetimor prej 4 (katër) prokurorësh në gjykimin e një çështjeje penale, vinte në momentin kur çështja në fjalë ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare, dhe grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo në fazën e gjykimit, aq më pak në fazën e diskutimeve përfundimtare.
Një kërkesë e tillë, cënonte parimet e nenit 6 të Ligjit no. 97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e prokurorëve, aq më tepër në në një fazë të tillë të procesit, kur hetimi, akuzat, debati gjyqësor, qëndrimet mbi vlefshmërinë e provave dhe vlera e tyre provuese ishin kryer nga prokurorë të tjerë të çështjes.
Argumentimi ligjor, parimor dhe mbi baza etike nga shumica e Prokurorëve, nuk u mor parasysh nga drejtuesja e komanduar e PKR, e cila kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të debatit, duke nisur procedurën e hedhjes së shortit.
Duke u ndjerë në kushtet e paligjshmërisë së procesit, pjesa më e madhe prokurorëve, e përbëre nga 9 prej tyre, pasi paraqitën argumentat e tyre, dhe në mungesë vullneti nga drejtuesja e PKR për të diskutuar profesionalisht ligjshmërinë e procesit dhe argumentat, u larguan nga shorti.
Në të njëjtën ditë, më datë 19 Shtator 2018, grupi i 10 (dhjetë) prokurorëve u njoh me Njoftimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, për nisjen e një procesi disiplinor kundër tyre vetëm nëpërmjet Mediave.
Njoftimi në fjalë është në kundërshtim me ligjin; Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetenca për të nisur procedim disiplinor deri në krijimin e organeve të reja (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), ndërkohë që vendimi i Gj. Kushtetuese nr. 34, date 10.04.2017, ka shfuqizuar nenet 101 e vijues të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Në vijim, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në kundërshtim me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka urdhëruar transferimin e përkohshëm në Berat, Pogradec dhe Kukës të prokurorëve Olsian Çela, Besim Hajdarmataj dhe Sonila Muhametaj. Për të garantuar pavarësinë e magjistratëve dhe mbrojtjen nga presionet mbi punën e tyre, ligji në fjalë nuk lejon asnjë transferim apo komandim të magjistratëve pa pëlqimin e tyre. Përmes këtij veprimi antiligjor me natyrë ndëshkuese, cënohet tërësisht pavarësia e magjistratëve duke krijuar një precedent të rrezikshëm pasi e kthen organin e prokurorisë në modelin e vjetër hirearkik dhe të centralizuar, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e tjera të reformës në drejtësi.
Sa më sipër vlerësojmë dhe besojmë se kjo deklaratë, është në interesin e transparencës së punës së institucionit të Prokurorisë dhe i shërben zgjidhjes ligjore të rastit në fjalë. Cënimi i parimit të pavarësisë së prokurorëve, dëmton rëndë punën e këtij organi dhe ul besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë.
Prokurorët
Olsian Çela
Përparim Kulluri
Arens Çela
Edvin Kondili
Pranvera Pustina
Eugen Beçi
Sonila Muhametaj
Blerim Tominaj
Besim Hajdarmataj
Behar Dibra
DEKLARATA E KRYEPROKURORES ARTA MARKU:
Të dashur qytetarë të vendit tim,
Në këto pak orë të ditës, duke filluar nga dje, e ndiej se si qytetarë të përgjegjshëm, jeni të shqetësuar nga një situatë absurdi dhe e pahijshme që është tentuar të krijohet në Prokurorinë më të rëndësishme të vendit, Prokurorinë për Krime të Rënda.
Me përgjegjësinë e detyrës që më ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji, kam detyrimin institucional dhe qytetar për të komunikuar dhe ndarë me ju dhe me këdo që i do të mirën këtij vendi, por edhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë që asistojnë punën e institucionit të Prokurorisë në të gjitha nivelet, të vërtetën e kësaj situate të sajuar nga frika e përballjes me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa dallim.
Të dashur qytetarë,
Unë jam në detyrë me mandat të përkohshëm, por krimi i organizuar dhe korrupsioni ka mandat të përhershëm dhe punon me kohë të plotë.
Për këtë arsye, është në detyrimin tim ligjor që të marr masat e nevojshme ligjore për cilindo Prokuror apo Oficer të Policisë Gjyqësore që refuzon pa asnjë shkak ligjor, të ushtrojë detyrën dhe funksionin e tij kushtetues, për të luftuar kriminalitetin dhe krimin e organizuar në veçanti dhe, për më tepër, në Prokurorinë më të rëndësishme në vend.
Prokurorët e Krimeve të Rënda, ndaj të cilëve është urdhëruar fillimi i hetimit disiplinor, kanë refuzuar të marrin pjesë në hedhjen e shortit, për të përfaqësuar në gjykim një çështje shumë sensitive për opinionin publik.
Në këtë mënyrë, këta prokurorë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i detyron të jenë pjesë e shortit, për sa kohë janë prokurorë të asaj prokurorie, duke vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimin kushtetues, sipas të cilit “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit…”.
Kjo, si dhe shkelja e rregullave të etikës, janë arsyet e vetme që më kanë detyruar që, si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme të qëndroj fort dhe të mos tërhiqem në zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve të vendit tim, duke urdhëruar fillimin e hetimit disiplinor sipas përcaktimeve të nenit 160, pika 5 të ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndaj këtyre prokurorëve që kanë refuzuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre që ju ngarkon kushtetuta dhe ligji.
E ndjej si përgjegjësi kushtetuese por edhe si detyrim qytetar, t’ju garantoj, se përsa kohë do të jem në detyrën që më ka ngarkuar Parlamenti shqiptar, sovrani im dhe i juaji, të dashur qytetarë të vendit tim, unë jam e vendosur për të zbatuar pa hezitimin më të vogël Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe Kodin e Etikës së Prokurorit dhe nuk mund të rri duarkryq kur prokurorët e shtetit refuzojnë të ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese dhe ligjore.
Çdo prokuror që refuzon të bëjë detyrën do përballet me përgjegjësi disiplinore, por edhe penale sipas rastit.
Gjej rastin të falenderoj të gjithë prokurorët e ndershëm të sistemit të prokurorisë, por edhe ata prokurorë të Krimeve të Rënda që vazhdojnë të jenë në lartësinë e ushtrimit të detyrës që iu ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji dhe t’i garantoj se si Prokurore e Përgjithme, për aq kohë sa do të jem në këtë detyrë të lartë dhe fisnike, do të jem gjithmonë krah tyre në këto ditë të vështira që po kalon sistemi. Së bashku do të vazhdojmë përballjen tonë me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe me të keqen e këtij vendi, pa asnjë lloj ngjyre.
Unë do të vazhdoj me ju krah për krah, të bëj detyrën time, me profesionalizëm dhe ndershmëri dhe dua të garantoj qytetarët shqiptarë se vendimmarrja ime nuk ka cënuar asnjë çështje, qoftë në hetim apo në gjykim, në Prokurorinë për Krime të Rënda. Për çështjen Shullazi ku një grup i caktuar prokurorësh refuzuan të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, është caktuar një grup prokurorësh për të përfaqësuar akuzën në gjykim. Po ashtu, një grup tjetër prej 4 prokurorësh po merret me çështjen Tahiri, nga momenti i regjistrimit të saj.
Të dashur qytetarë,
Për sa keni dëgjuar këto orët e fundit nga mediat dhe rrjetet sociale, nuk ka një të vërtetë tjetër përveç kësaj që unë sapo ju deklarova.
Gjithcka tjetër është spekulim dhe frikë nga përballja me krimin e organizuar. Prokurorët e ndershëm që ka Shqipëria sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë jo vetëm për mbështetjen time, por edhe tuajën dhe unë jam e bindur se jemi në anën e duhur, jemi në anën e të mirës.
Së bashku do ta fitojmë betejën me krimin.
Faleminderit!
Arta Marku
PROKURORI I PËRGJITHSHËM I PËRKOHSHËM