Dekriminalizimin po e bëjnë SHBA-të, jo partitë!
Prej gati dy vitesh politika në Shqipëri ka temë të debatit dekriminalizimin. Në dhjetor u miratua ligji që ende nuk është bërë funksional për shkak të mosmarrëveshjeve për aktet nënligjore. Edhe pse opinioni është bombarduar me numra dhe emra zyrtarësh problematik deri më sot përveç propagandës nuk ka pasur asnjë rezultat konkret. Të gjithë thonë “krimineli është te ju!”, por kriminelët janë në Parlament dhe në poste administrative shtetërore.
Përveç një rasti në zgjedhjet vendore, kur PD-ja tërhoqi një kandidat nga gara për shkak të së kaluarës kriminale, nuk ka asnjë zyrtar, gjyqtar apo politikan i lartë që të jetë larguar për shkak të dekriminalizimit. Rastet e deputetëve të PS-së, A.Prenga, M.Frroku janë më shumë histori që kanë të bëjnë me vepra dhe incidente të kryera gjatë detyrës si deputetë dhe jo si pasojë e nisjes së zbatimit të dekriminalizimit nga partitë. Por përveç këtyre, PD-ja thotë shumë më shumë se kaq.
Edhe dje, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vazhduan debatin për miratimin e akteve nënligjore që do të mundësojë pastrimin e administratës dhe politikës. Marrëveshja ka mbetur peng i disa detajeve që kanë të bëjnë me plotësimin e formularit, por që kanë në esencë prapë një hile që të mos hetohen apo të deklarohet çdo e dhënë për atë që firmos. Për Partinë Socialiste nuk ka nevojë kur formulari nuk ka asnjë pranim të shkeljeve nga zyrtari që të bëhen verifikime të tjera. Pra, nëse deklaron se je krejt në rregull nuk ka pse hetohesh! Por cili është politikani i përzier me krime që thotë me shkrim: “Unë kam vrarë apo vjedhur!”? Po sipas PS-së nuk shihet e nevojshme që të futet në formular dhe pyetja për emrat e tjerë, nëse ka pasur. Të dyja këto qëndrime bien në kundërshtim me qëndrimet e mëparshme për gatishmërinë e mazhorancës për dekriminalizimin. Derisa është pranuar që ligji shqiptar i dekriminalizimit është më i ashpri në Europë, këto dy detaje e bëjnë edhe më të sigurt procesin e verifikimit. Ka deputetë dhe zyrtarë që kanë emër tjetër në vendlindje, tjetër në pasaportë dhe krejt tjetër kur kanë qenë jashtë shtetit.
Mbrëmë u tha se palët ishin afër konsensusit për këto pika, por PD-ja shtoi se kishte dhe kërkesa të tjera që lidhen me largimin e Armando Prengës dhe heqjen e mandatit të deputetëve Koço Kokëdhima, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Gjithsesi, miratimi i marrëveshjes është i detyrueshëm edhe ligjërisht, pasi 6 marsi është afati i fundit për kalimin e akteve nënligjore. Nuk dihet nëse gatishmëria për konsensus dje ishte pasojë e vizitës së Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini në Tiranë. Ajo në të vërtetë e lavdëroi edhe personalisht Kryeministrin Rama për reformat dhe punën që po bën. E tha qartë Mogherini se duhet të fillojnë negociatat e Shqipërisë me BE-në. Pra, në fushat e tjera duket se qeveria shqiptare është korrekte me Brukselin. Por akoma kanë nëpër duar çështjen e akteve nënligjore për dekriminalizimin.
Është bërë si rregull i politikës që sa herë në Tiranë mbërrijnë zyrtarë të rëndësishëm të BE-së apo SHBA-ve, palët ulin “armët” dhe janë gati të miratojnë çdo dokument. Por pas largimit nga Tirana të zyrtarëve ndërkombëtarë sherri nis sërish. Sot do të shihet sesa seriozisht e kanë palët konsensusin dhe dekriminalizimin, aq më tepër kur pritet edhe miratimi i reformës në drejtësi.
Problemi është se edhe nëse miratohen aktet nënligjore sa do të zbatohen nga institucionet shqiptare. Edhe ligjet e mëparshme nuk lejonin kandidimin e personave të inkriminuar, megjithatë deputetët me rekorde kriminale hynë nga të dyja kampet në Parlament.
Ndërsa PD dhe PS bëjnë lojëra me konsensus dhe marrëveshje që duken se nuk do t’i zbatojnë, SHBA-të dy ditë më parë bënë një gjest të fortë. Ambasadori Donald Lu njoftoi se u është refuzuar hyrja në Amerikë disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Lista e gjyqtarëve pritet të pasohet edhe nga të tjerë. Ky është ndër rastet e rralla kur SHBA-të investohen kaq hapur ndaj krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Ishte një mesazh i fortë jo vetëm për emra individualë gjyqtarësh, por edhe për politikanët dhe drejtuesit e partive kryesore. Që nga hapja e debatit për dekriminalizimin, SHBA-të kanë treguar se po e luftojnë ata më shumë se institucionet shqiptare, korrupsionin zyrtar. Kur një zyrtar nuk është i pranueshëm për vizë në SHBA, si mund të jetë i përshtatshëm për të pasur në dorë fatet e njerëzve si gjyqtarë në Shqipëri, apo për të miratuar ligje në Kuvend. Në këtë situatë, mirë që interesohen SHBA-të për ne, sepse nëse do të ishte për politikën shqiptare do ishim ende duke u marrë me detajet sesi të bëjmë marrëveshje dhe më pas të mos e zbatojmë.
Donald Lu foli hapur; ne nuk u japim viza zyrtarëve të korruptuar shqiptarë. Më pas do të nxjerrim edhe listën tjetër me politikanët shqiptarë, ishte nënkuptimi i ambasadorit amerikan.