Deputetët demokratë që votojnë reformën pa lejen e Bashës
Zhvillimet e fundit mes PS, PD dhe ndërkombëtarëve tregojnë se nuk ka shanse për një votim konsensual të reformës në drejtësi. Pas dështimit të negociatave dhe publikimit të emaileve të misioneve të SHBA dhe BE nga PD-ja për reformën, pozicionimi i opozitës kundër votimit nuk ka lënë vend për dyshime. E vetmja zgjidhje është që një pjesë e deputetëve të PD-së të bashkojnë votat me PS dhe LSI për kalimin e reformës. Dhe këtu po përdorin të gjitha kartat ndërkombëtarët.
Aktualisht koalicioni qeverisës numëron 86 vota, PS 61, LSI 20 dhe PDIU 5 deputetë. Për votimin e reformës duhen 94 vota. Kështu që e vetmja zgjidhje është që 8 vota nga PD dhe koalicioni opozitar të japin “ok” për miratimin e reformës në drejtësi. Vangjel Dule i PBDNJ-së do ta votojë, sipas një telefonate greke e cila i ka ardhur nga Athina. Edhe Nard Ndoka i PDK ka dhënë OK. Pra mbeten edhe 6 vota. Ideja e votimit në Kuvend edhe me vota të deputetëve që dalin kundër linjës zyrtare të PD-së është përmendur nga Kryeministri Edi Rama si plani “B/1”. Por tashmë nuk është vetëm Kryeministri ai që mbështet një variant të tillë. Edhe ndërkombëtarët nuk e quajnë më një herezi politike votimin e deputetëve të PD-së kundër linjës zyrtare të selisë blu. Deklaratat e SHBA dhe BE ishin të qarta në këtë pikë. Sipas tyre, votimi i reformës është përgjegjësi individuale e deputetëve të Kuvendit. Një sinjal i tillë që vjen në rrugë zyrtare nga selitë diplomatike në Tiranë është garancia që votimi i deputetëve të djathtë nuk do të quhet ” blerje vote”, por një kontribut për Shqipërinë.
Madje, për të shmangur çdo keqkuptim apo penalizim të deputetëve demokratë që do të votojnë pro Reformës, ndërkombëtarët kanë nisur kontaktet direkte. Burime të gazetës thanë dje se diplomatë të vendeve perëndimore janë takuar këto ditë me deputetë të Partisë Demokratike dhe u është kërkuar votimi i paketës së reformës në drejtësi në Kuvend. Diplomatët kanë dhënë garanci dhe mbështetje ndaj deputetëve që do të dalin kundër linjës zyrtare të Partisë Demokratike. Garancia kryesore lidhet me faktin se drafti i reformës nuk është një dokument i hartuar nga Edi Rama , por nga ekspertët dhe misionet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ndërkombëtarët kanë qenë të qartë lidhur me atë çfarë do të ndodh pas reformës, duke garantuar se zbatimi dhe implementimi i saj do të jetë nën monitorim konstant. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve dhe jo e Kryeministrit Rama për të kontaktuar ligjvënësit e djathtë është parë si një lëvizje që nuk ka të bëjë me pazare, por me qëndrime parimore.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka qenë e qartë në qëndrimin e saj se votimi i reformës me vota te “trafikuara” do të sillte jo vetëm bojkot, por edhe djegie të mandateve. Deputetët që mund të votojnë kundër janë paralajmëruar për masa ndëshkimore si përjashtimi nga PD-ja dhe grupi parlamentar. Tashmë deputetët janë mes dy zjarreve, nga një anë PD-ja që kërcënon me përjashtim e forma të tjera dhe nga ana tjetër, ndërkombëtarët që u kërkojnë të bëjnë një shërbim për reformën dhe jo për partinë. Mbetet të shihet nëse kërcënimet e selisë blu do të fitojnë përballë kërkesës së ndërkombëtarëve.
Por cilët mund të jenë deputetët që mund të japin votën për kalimin e reformës në drejtësi. Një pjesë e tyre thuajse e kanë deklaruar hapur, ndërsa të tjerët qëndrojnë në heshtje nga frika e presioneve. I pari është Eduard Selami, ish-kryetar dhe deputet i PD-së që njihet për qëndrimet e tij të moderuara. Selami ka qenë gjithmonë partizan i konsensusit duke shmangur qëndrime me bojkot të PD-së të cilat nuk kanë sjellë produkt real. Përveç mosmarrëveshjeve që ka me drejtuesit e PD për mënyrën siç po bëjnë opozitë, Selami ka dhe një arsye më shumë, është edhe nënshtetas amerikan. Një tjetër deputete është dhe ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Zj.Bregu i njeh mirë marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi ka një eksperiencë brilante në këtë fushë të diplomacisë. Po kështu Astrit Veliaj një biznesmen me orientim europian. Genc Ruli mbetet një tjetër politikan me vizion euroatlantik i cili do ta votojë Reformën, jo për Edi Ramën, por për SHBA dhe vendin tonë. Një deputet karizmatik e stoik demokrat është Astrit Patozi. Ende nuk dihet vendimi i tij, porse disa miq të tijë thonë se ai po endet mes votimit sepse i duhet shqiptarëve dhe e sugjerojnë miqtë amerikanë dhe ndjenjës se mos e akuzojnë se po kërkon lidership në selinë blu. Informacionet thonë se nëse Patozi vendos për “po” do të votojnë edhe 7 deputetë, të cilët besojnë tek personaliteti i Patozit si politikan korrekt. Votat nuk do të mungojnë edhe nga aleatët e PD si PR, LZHK etj. Ndaj jo rastësisht Basha thirri dje në takim urgjent kreun e PR, Fatmir Mediu dhe atë të LZHK-së, Dashamir Shehi. Pavarësisht se janë në një koalicion, kryetarët e partive aleate nuk mund të shkojnë në përballje të hapur kundër aleatëve ndërkombëtarë. Sidomos Fatmir Mediu, i cili e di mirë se me amerikanët nuk ia del Rusia e jo më një politikan shqiptar që sa herë kalon për Vorë sytë i mbeten tek Gerdeci!
Por mund të ndodhë që ish-lideri demokrat në sallën e parlamentit t’ju hedhë një shikim të egër dhe asnjë deputet nuk e shtyp butonin e votimit “Po” nga frika e Berishës. Gjithçka mund të ndodhë, “jetojmë në Tironë”- ka qenë kenga e Edi Ramës, dikur !
Mbetet të shikohet nëse shqipja e ambasadorit Lu të jetë e kuptueshme nga demokratët demokratë të cilët nuk duan të bëhen armiq të SHBA. Lu ka nxjerrë nga sirtarët e ambasadës dosjet e disa prej deputetë demokratë, i shfleton dhe i mban mbi tavolinën e punës deri sa të votohet Reforma. Donald Lu e kupton mjaft mirë shqipen, ndonëse kur e flet e shqipton si prokuror që do të firmos arrestime…!