Deputeto-terroristët
Parlamentet e vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Europian, këto ditë i kanë nisur punimet e tyre me një minutë heshtje për viktimat e terrorizmit në Paris. Temë e debatit publik në vendet europiane dhe rrotull nesh, përjashtuar Kosovën, janë masat që duhen marrë kundër kërcënimeve terroriste dhe si duhet të reagojnë institucionet përballë një rreziku që tashmë është global dhe jo më rajonal. Tashmë Europa duket si në prag lufte. Të mos harrojmë se dy luftërat kanë filluar në Europë dhe kanë pushtuar krejt botën. Këtë rradhë po ia servirin luftën e tretë botërore, Europës. Në Itali u mblodh senati për çështjen e terrorizmit. Në Serbi, Këshilli i Mbrojtjes dhe Komiteti Parlamentar i Sigurisë është mbledhur disa herë gjatë katër ditëve të fundit dhe ka dhënë rekomandime për forcat e sigurisë. Vende shumë më të zhvilluara se ne, po shohin edhe një herë planet e sigurisë, po shtojnë numrin e forcave, po blejnë teknologji të fundit dhe po diskutojnë për politika të reja kombëtare sigurie. E gjithë politika europiane po flet e po merr masa për tu përballur me terrorizmin. Pozita dhe opozita në Europë janë përbashkuar në këto ditë të tmerrshme frike e paniku. Në Shqipëri, ndodh e kundërta. Pas një shoë mediatik që politikanët bënë të shtunën e kaluar me mesazhe ngushëlluese në rrjetet sociale, e enjtja e djeshme ka qenë një ditë sharjesh dhe shpifjesh pozitë-opozitë. Një seancë e paparë terrori. Si gjithmonë, akuzuesi më i madh është ish-kryeministri Sali Berisha. Vetëm se në seancën e djeshme, tonet e denoncimeve ishin më të larta. Akuzoi qeverinë si ‘organizatë kriminale’. Ministrin e Brendshëm të përfshirë direkt në trafik droge. Madje, sipas Berishës, trafikun e drogës nuk e bën më me kushërinjtë e tij me makinë, por në listë futi dhe të atin, pronar i një farmacie modeste në Tiranë. Akuzë kjo që duket absurde, por që dje u tha me zë të lartë nga ish-kryeministri dhe ish-kreu i Partisë Demokratike. Më pas, në shënjestër të akuzave ishte dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili për Berishën është mik i njërit prej të kërkuarve për trafikun e sasive të mëdha të kokainës. Jashtë sulmeve nuk ka mbetur as kryeministri Edi Rama. Për Berishën, kryeministri Rama është njeriu që urdhëroi lirimin e Arben Frrokut, person i cili akuzohet nga Prokuroria për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Po sipas Berishës, Frroku nuk ndodhet në Kubë, por fshihet me dijeninë e policisë në Tiranë. Ndërsa kulmi i akuzave arriti me Vangjush Dakon. Sipas Berishës, kreu i Bashkisë së Durrësit është marrë peng një javë më parë nga një emër i njohur për drejtësinë, Emiljano Shullazi. Pas ish-kryeministrit, seria e akuzave u vazhdua nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka; sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani dhe ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Përgjigjia e ministrave socialistë nuk ishte më e butë nga akuzat e Berishës. I kujtuan pazaret e djalit në Gërdec dhe përfitimet e kompanisë së vajzës kur Berisha ishte në pushtet. Deklarata që më shumë ngjajnë si përsëritje në çdo seancë, pasi kanë më shumë se tre vjet që mund t’i kishin verifikuar.
Këto ishin një pjesë e akuzave të hedhura jo në kafenetë e Tiranës, por në vendin që duhet të jetë më seriozi, Parlamenti i Shqipërisë. Po dje, teksa Berisha dhe PD-ja akuzonin në Parlament një alarm për bombë, fatmirësisht fals, ngriu për pak minuta kryeqytetin. Të dhënat e organizatave ndërkombëtare flasin për rreth 100 shqiptarë që luftojnë me grupet terroriste në Siri. Në Kosovë janë ndaluar këto ditë tentativa të shqiptarëve për t’iu bashkuar terroristëve në Siri. Vetëm politikanët shqiptarë duket sikur jetojnë në një ishull larg botës dhe zhvillimeve të fundit kërcënuese për sigurinë.
Fatmirësisht nuk ka pasur ngjarje terroriste, por në këtë situatë, ta kthesh Parlamentin në një vend ku shpërthejnë akuza si ato të djeshmet, duket se kemi të bëjmë me terrorizmin politik. Sado i rëndë të duket ky etiketim, të akuzosh qeverinë si një “organizatë kriminale”, të akuzosh ministrin e Brendshëm se merret personalisht dhe familjarisht me shpërndarje droge, apo se banditët në Vlorë hynë në komisariat dhe morën drogën e sekuestruar, kjo ka të njëjtin efekt si terrorizmi. Por nëse qeveria vepron kështu siç thotë opozita edhe kjo është terroriste për një komb që don proges dhe mirëqënie sociale. Por këto ditë nuk është as vendi e as koha të merresh me sulme politike.
Terrorizmi ka armën më të fortë panikun dhe ajo që ndodh në parlament, me akuza të paverifikuara, nuk mbjell asgjë më shumë sesa panik tek qytetarët. Sepse politikanë të këtij vendi u thonë qytetarëve që shteti është njëlloj si kriminelët, madje se nuk kemi fare shtet. Akuzat janë pjesë e politikës, por kur ato arrijnë në këto nivele dhe për më tepër pa asnjë fakt, nuk kemi të bëjmë me politikanë, por me ekstremistë që hedhin çdo të enjte “bomba” në Parlament.
Nuk janë më pak se terroristët e vertetë edhe këta “terroristët “ e parlamentit shqiptar.
Qamil Xhani