Dështoi PD apo Ambasadori Lu?
Takimi i shumëpritur mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha ka rezultuar një dështim. Negociatat për miratimin e reformës në drejtësi tashmë zyrtarisht quhen të dështuara. Tre orët e bisedës kokë më kokë mes Rama-Basha dhe përfaqësuesit të LSI-së Petrit Vasili nuk kanë bërë që dy kampet kryesore të gjejnë mundësinë e fundit të kompromisit.
Pas takimit të gjatë i pari që pranoi dështimin e negociatave ishte Kryeministri Edi Rama. Në fjalimin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve, ai tha se “nuk arriti të bindte PD-së për miratimin e reformës”. Pavarësisht kësaj, kryeministri Rama u tregua i vendosur në vazhdimin e axhendës. Domethënë, pra me kalimin e reformës në Kuvend. “Ne nuk do ta presim më PD. Do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi, por deri ditën e votës në Parlament, ka plot orë dhe jo pak ditë që demokratët të mos e humbasin bashkë me këtë tren. Pas këtij takimi reforma do të shkojë drejt e në sallën e Parlamentit”, tha ai. Për kryeministrin tashmë është e qartë, “PD nuk e do reformën në drejtësi”. Rama la të kuptohet se nëse PD-ja do të kërkojë negociata të reja mund të takohet me PS në nivel ekspertësh, duke përjashtuar kështu mundësinë e ritakimit mes tij dhe kreut të PD. Sipas Kryeministrit, PS-ja ka bërë të gjitha lëshimet, duke pranuar votimin e gjyqtarëve me 2/3 (94 vota) dhe nuk mund të pranojë kushte të tjera.
Pak pas qëndrimit të Ramës, në fjalimin e tij kreu i PD-së paraqiti një tjetër pamje të procesit të reformës. Sipas Bashës, “kapriçot e Ramës sollën abortin e konsensusit”. Për kreun e PD-së projekti i paraqitur nga mazhoranca për reformën nuk garanton pavarësinë e sistemit të drejtësië. Ndaj dhe Partia Demokratike nuk mund të miratojë një reformë që i shërben vetëm mazhorancës. Kreu i PD-së tha se varianti i “vendeve vakante” është një garanci për reformën, por që mazhoranca nuk e ka pranuar. Sistemi i “vendeve të rezervuara” siguron përfaqësimin proporcional të mazhorancës dhe opozitës në organet e sistemit të drejtësisë. Për këtë pikë, PS-ja ka qenë kundër që në fillim dhe duket se kjo ka sjellë dhe dështimin e negociatave të djeshme.
Por tashmë që palët janë sërish në pikën e nisjes së reformën, vlen të diskutohet se për çfarë shërbeu takimi i djeshëm. Kush fitoi dhe kush humbi? Minimalisht, takime të tilla negociohen para se të zhvillohen dhe palët nuk e lënë gjithë vendimmarrjen në ato pak orë bisedime. Stafet e palëve, apo dhe vetë liderët diskutojnë në kanale të tjera komunikimi për të gjetur pikat që mund t’i bashkojnë. Politikanët në këto takime kujdesen që jo çdo gjë t’ja lënë rastësisë, pasi suksesi apo dështimi i takimeve të këtij niveli ka kosto për dy palët.
Nga mënyra si shkoi takimi dhe deklaratat që finalizuan dështimin e tij, dukej sikur Rama dhe Basha e dinin që nuk do arrihej marrëveshje. Nëse është kështu, përse duhej gjithë ky spektakël pa vlerë? Në fakt Edi Rama u duk se lëshoi shumë kur deklaroi para takimit se ishte gati për 2/3 e votave siç e do PD. Dhe bëri mirë. Por duket se dikush në PD nuk e donte reformën. Dhe ia arriti.
Në këto negociata pati dhe një palë të tretë që u investua si në një asnjë reformë tjetër. Është fjala për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, diplomatin që në nisje të reformës ka bëri thirrje për konsensus dhe ka negociuar me të gjitha kampet. Dështimi i takimit të djeshëm, sigurisht që ka kosto dhe për diplomatin e SHBA dhe gjithë zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë që u investuan në këtë proces. Tallja që ju bë dje ndërkombëtare me tre orë takim pa rezultat do të sjellë dhe reagimin e tyre. Ata që bën takim vetëm për fasadë dhe e kthyen në qesharak procesin, sigurisht do të marrin dhe përgjigje nga ndërkombëtarët. Amerikanët nuk falin ! Do ta dëgjojmë ambasadorin Lu patjetër që do të dal në publik e do të thotë mendimin pas dështimit. Dhe do të jetë i rreptë, besoj.
Por çfarë do të ndodh tani me reformën? Kryeministri deklaroi se qëndrimi i PD-së nuk e kishte gjetur të papritur. Ai tha se drafti i reformës do të kalojë në Kuvend edhe pa PD, por nuk përmendi sesi do të gjenden 94 votat për kalimin e tij. Një variant është i marrjes së disa votave nga Partia Demokratike. Por një votim i tillë nuk është konsensus, por pazar. Një pazar i rrezikshëm që mund të çojë në një kolaps sistemin e drejtësisë. Sepse nëse reforma kalon në këtë mënyrë, kur të bëhet një rotacioni i pushteteve, sërish PD-ja do nis reformën nga e para.
Varianti tjetër që mbetet si opsion dhe që është përmendur edhe më herët është ai i referendumit dhe zgjedhjeve të parakohshme. Edhe kjo është në lojë, porse nuk i dihet votave në parlament. Mundet që nëse Rama e çon në Referendum pa lejen e Ilir Metës, atëhere do të ketë qeveri teknike. Ndaj pjesa e dytë e lojës sapo ka nisur.
Klasa politike dështoi dje, ndonëse realisht Edi Rama ofroi 2/3 e votave. Me sa duket arbitri tashmë do jetë Ilir Meta në përballjen e egër PS-PD.