Marshimi i madh historik, mes shiut, i dhjetra mijëra protestuesve opozitarë
Pas marshimit nga kryeministria, drejt drejtorisë së përgjithshme të policisë, parlamentit, dhe ministrisë së brendshme protestuesit shkuan në fund të kësaj proteste masive para drejtorisë së policisë të Tiranës. Aty u hodhën materiale tymuese në oborrin e drejtorisë.
Sot ishin me mijëra e mijëra protestues që pushtuan bulevardin kryesor të Tiranës, ndonëse shiu po binte me furi. Asnjë nuk e ndjeu shiun, por bërtisnin “Rama, ik!”. Nuk ishte parë asnjëherë në këto 28 vite kaq shumë njerëz mes shiut duke protestuar.
Protesta e dha efektin publik dhe politik. Ndërkombëtarët panë dhe regjistruan se si me mijëra e mijëra ishin në shi dhe protestuan për zgjedhje të lira dhe për një qeveri zgjedhore, pa Edi Ramën.
Protesta e opozitës, minutë pas minute
Ora 21: 00- Një pjesë e protestuesve kanë hedhur tymuese dhe kapsolla në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Pas disa minutash protestuesit janë larguar për të shkuar në selinë e PD, duke shënuar dhe fundin e protestës.
Ora 20:32 – Protestuesit e opozitës janë nisur drejt godinës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ora 20: 23- Pas godinës së Parlamentit protestuesit kanë shkuar në godinën e Ministrisë së Brendshme. Një pjesë e tyre kanë tentuar të heqin gardhin metalik provizor që rrethon këtë institucion. Në Ministrinë e Brendshme, numri i efektivëve të policisë është më i madh se çdo institucion tjetër.
Ora 20: 15 –Policia e Shtetit, në një njoftim për mediat, bën me dije se një efektiv është lënduar nga hedhja e kapsollave.
Njoftim i Policisë së Shtetit: “Gjatë protestës së Partisë Demokratike përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u hodh një numër i madh kapsollash të ndaluara. Si rezultat i këtyre goditjeve është lënduar një punonjës policie, i cili është dërguar në spital për trajtimin e nevojshëm. Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të protestës dhe protestuesve që të ndalojnë goditjet provokuese ndaj policisë“.
FOTO GALERI/Protesta para Kryeministrisë
Ora 20:09- Protestuesit ndodhen para godinës së Parlamentit. Një pjesë e tyre kanë hedhur fishekzjarrë dhe tymuese. Ndryshe nga protesta e ditës së shtunë, qytetarët nuk kanë hedhur bomba molotov.
Ora 20: 05- Gazetarët që ndjekin protestën e opozitës, e cila po zhvillohet aktualisht te Parlamenti njoftojnë se Policia e Shtetit ka ndërprerë valët telefonike. Nuk dihet se cila është arsyeja e një vendimi të tillë të policisë. Ndërkohë bllokimi i valëve nuk është vetëm problem për koordinimin e opozitës, por pengon edhe transmetimin live të protestës nga ana e mediave që ndjekin atë
Ora 19: 52 –Nënkryetarit te LSI-së, Petrit Vasili, në një prononcim gjatë marshimit protestë u shpreh se pjesmarrja e madhe qytetare në këtë protestë është dëshmia se Shqipëria nuk e do më këtë qeveri. “Nuk na ndal njeri. Të gjithë kanë ardhur për të mos pasur asnjë kompromis me kriminelët. Kush shpresoi te shiu, shpresoi të disa deklarata të papërgjegjshme të disave, mori përgjigjen nga mijëra e mijëra qytetarë të Tiranës. Ka vetëm një përgjigje. Asnjë hap pas. Shi, borë, breshër, ca do që të ndodhë, ka vetëm një breshër që do bjerë në kokën e Edi Ramës, nuk e shpëton dot njeri. Të gjithë bashkë ia dhanë përgjigjen sot, do ia japin nesër, deri sa të shporret njëherë e përgjithmonë. Nuk ka hap mbrapa. Vetëm Rama Ik”,- tha Vasili.
Ora 19:40 – Protestuesit kanë mbërritur në Drejtorinë e Policisë. Protestuesit kanë hedhur shashka dhe tymuese në oborrin e policisë.
Ora 19: 37 – Zhvendosja e turmës së protestuesve drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka sjellë edhe reagimin e shpejtë të policëve në terren. Menjëherë pas nisjes së protestuesve, forcat speciale ka lëvizur me shpejtësi për në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Unazë.
Pas Drejtorisë së Policisë së Shtetit, protestuesit do të lëvizin drejt parlamentit, më pas tek Ministria e Brendshme dhe në fund tek Policia e Tiranës. Rreth 1500 forca policie janë në terren.
Ora 19: 35 – Belind Këlliçi, kryetari i FRPD, u shpreh se shumë të rinj kanë marrë sot kërcënime që do të mos marrin pjesë në protestë. “Nuk ka pse të ketë asnjë shqetësim. Duhet të kemi shqetësimin e njerëzve të infiltruar nga ministri i Brendshëm për akte dhune. Do të jetë një tubim marshim. Janë me mijëra qytetarë që janë përgjigjur në kohë rekord. Duke qenë se kemi pasur një numër rekord persona të proceduar, ka shumë të rinj që mbajnë maska për të mos u identifikuar, por të jeni të bindur që nuk do të ketë asnjë akt dhune. Shumë të rinj kanë marrë telefonata duke u kërcënuar që të mos marrin pjesë në protestë”, tha Këlliçi për A2 CNN.
Ora 19:15- Protestuesit kanë nisur marshimin në pesë pika kryesore të Tiranës, duke nisur nga Kryeministria drejt Drejtorisë së Tiranës. Apeli për marshimin është bërë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha. Pas Drejtorisë së Tiranës protestuesit do të nisen drejtë Parlamentit, Ministrisë së Brendshme. “Sipërmarrës, të papunë, intelektualë, pensionistë, të gjithë bashkë në një betejë, krah për krah për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit. Jemi para selisë së kryeministrit ilegjitim që i ka orët e numëruara dhe do të marshojmë së bashku ne 5 pikat që simbolizojnë institucionet që u ka vjedhur shqiptarëve. Së pari drejt institucionit të kryeministrit, që nuk nxjerr më ligje, më pas drejt Drejtorisë e Përgjithshme e Policisë, me mesazhin se ne duam një polici të ligjit, jo një polici të krimit. Pas kësaj drejt Parlamentit, dhe më pas drejt Ministrisë së Brendshme, ku sundon një njeri që s’njeh kushtetutë dhe ligj, por vetëm një vegël e verbër. Dhe së fundmi aty ku mbahen me pahir vëllezërit dhe motrat tona, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës”,- tha Lulzim Basha.
Ora 19:00- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka nisur fjalimin duke kërkuar edhe një herë largimin e qeverisë “Rama”. “Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues. Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjdhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndja votës së lirë ishte dhuna.
Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka cdo shqiptar, votën e lirë.
Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron EdI Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin.
Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit.
Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e cdo shqitpari“,- tha ndër të tjera Lulzim Basha.
Ora 18:55 – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar protestuesve të opozitës të mbledhur përpara ndërtesës së Kryeministrisë.
Ora 18:46 – Mbështetësit e opozitës kanë nisur të grumbullohen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Megjithëse në reshje të vazhdueshme shiu, qindra mijëra protestues janë grumbulluar në sheshin përpara Kryeministrisë.
Monika Kryemadhi, vizitë në SHBA
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ndodhet në një vizitë të rëndësishme pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është arsyeja se përse në protestën e sotme nuk merr pjesë drejtuesja e partisë së dytë më të madhe opozitare.
Mijëra protestues të LSI janë nisur pak para nisjes së protestës nga godina e partisë drejte Kryeministrisë. Në krye të protestuesve të LSI-së janë Zëvendëskryetari Luan Rama, Nënkryetari Petrit Vasili, Sekretari i Përgjithshëm Endrit Braimllari, si dhe ish-deputetë të LSI.
LEXONI EDHE …
- Lubonja: Këta të ambasadës amerikane pse nuk reaguan për 40 mln eurot e qeverisë?
- Ambasada e SHBA reagon para protestës së opozitës
- Zv.ministri i Brendshëm: Sot priten akte dhune
- PD dënon kërcënimin ndaj ambasadorit të OSBE: Sulm i inskenuar nga qeveria
- “Asgjë s’i ndal shqiptarët”, opozita e bashkuar në protestën e 5-të kombëtare
- Braimllari: Shqiptarët sot kanë vetëm një mision, të shporrim Edi Ramën!
- Konferenca shtypit e kryeministrit. Rama deklaron: Nuk jap dorëheqje!
- Alibeaj: Të shkarkohen dhe të merren të pandehur nga Lleshaj tek krimineli Bare
- Kur protestuesit e Ramës gjakosnin policinë (VIDEO)