Dhunë në protestë. Plagosen 15 qytetarë dhe 5 policë (FOTO/VIDEO)
Protesta e opozitës është shoqëruar me dhunë të pajustifikuar nga ana e policisë. Nga ana e protestuesve, sipas njoftimit të PD, mbi 15 qytetarë janë plagosur. Mes protestuesve të plagosur ka dhe gazetarë. Ndërkohë numri i qytetarëve që janë shtruar në urgjencë për probleme serioze me frymarrjen nga gazi helmues është disa herë më i madh. Plagosjet kanë ndodhur nga shkopinjtë e gomës dhe nga gazi lotsjellës. Ndërsa Ministria e Brendshme deklaroi se janë plagosur 5 policë, por nuk ka dhënë asnjë detaj për numrin e protestuesve.
Atmosfera e tensionuar që u vu re fillimisht para godinës së Qeverisë, u përsërit dhe përpara selisë së parlamentit, ku manifestuesit u mblodhën duke ju përgjigjur thirrjes së drejtuesve të opozitës.
Menjëherë pas lëshimit të gazit, protuestuesit u larguan nga hyrja e parlamentit për t’u rikthyer sërish me kalimin e minutave. Por policia përdori për herë të dytë gazin lotsjellës, duke hedhur në sasi të mëdha. Protesta e sotme u dha nga të gjitha mediat botërore dhe disa prej tyre e transmetuan live.
Protesta u mbyll me një fjalim të Lulzim Bashës në oborrin e PD-së në ora 22.20.
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/449921592411211/
FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, PARA PROTESTUESVE NË SELINË E PD:
Mirënjohjen më të thellë për ju, qytetare e qytetarë të Tiranës e të të gjithë Shqipërisë për këtë protestë të pashoqe në historinë e pluralizmit, në historinë e Shqipërisë moderne. Mirënjohje për këtë qëndresë monumentale për orë të tëra, në këtë natë, në këtë muzg të tiranisë e të bandës kriminale në pushtet dhe në këtë lindje të lirisë së re, demokracisë evropiane për çdo shqiptare e çdo shqiptar.
Vëllezër e motra, ju morët me vete dhe bashkuar në këtë protestë, më të madhen e historisë tonë kombëtare, dritën e shpirtit tuaj, dhe e ndriçuar kësisoj rrugën, shtegun, horizontin e shpresës, i cili do të kalojë vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, që do t’i rikthejnë vendit parlamentin legjitim dhe qeverinë legjitime që votojnë qytetarët e lirë shqiptarë.
Por vëllezër dhe motra, sot, të nëntën protestë në 8 javë, të tretën kombëtare, ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme për opozitën dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm, largimin e Edi Ramës si një kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Vëllezër e motra, një betejë e jashtëzakonshme është zhvilluar sot. Ata u munduan ta shpërndanin këtë protestë akoma pa filluar, me lajme të rreme, me terror, me shoqërime dhe mbi të gjitha me makinerinë e poshtër të propagandës, që punon natë e ditë e që ushqehet me paratë që u grabiten qytetarëve shqiptarë, ushqehet me paratë e bukës së fëmijëve të shqiptarëve. Nuk ia doli dot. Dhe megjithë sfidën e motit, ne ia dolëm të mbanim sot, me 13 prill 2019 protestën më të madhe që ka njohur kombi shqiptar dhe të demonstronim vendosmërinë tonë për t’i shkuar betejës deri në fund, deri në fitore.
Qeveria kriminale dhe ilegjitime e Edi Ramës, e cila mbahet me forcën dhe paratë e krimit dhe të oligarkëve, armiqve publikë të popullit shqiptar, sot u sollën edhe njëherë si pushtues ndaj nënave dhe motrave, ndaj fëmijëve e të rinjve, ndaj qytetarëve protestues. E pra, le ta dijë, se asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet, as përpjekja për të intimiduar dhe frikësuar njerëzit nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran.
Tik-tak, tik-tak, tik-tak…
Por përgjigjja e sotme, përmes bashkimit më të madh që ndonjëherë shqiptarët kanë bërë dhe bashkimit më fisnik, për një kauzë jetike, si liria, demokracia dhe drejtësia e vërtetë; ky bashkim i madh dhe ky leksion i madh do të vazhdojë ditë e natë. Sjelljes prej pushtuesi ndaj popullit të tij, Edi Rama dhe klika e tij kriminale do të marrë përgjigjen e merituar çdo ditë, çdo natë, kudo ku të ndodhen shqiptarët e lirë, duke e trajtuar si pushtuesin e institucioneve demokratike që është.
Ndaj, le ta vazhdojmë këtë betejë, sepse jemi në rrugën e sigurtë të çlirimit të vendit nga klika kriminale. Jemi sot shumica morale, shumica politike dhe shumica fizike e shqiptarëve të bashkuar “për Shqipërinë si e gjithë Evropa”.
Nesër me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me zotimin e madh për të ndërtuar mbi gërmadhat e diktaturës së krimit dhe tiranisë së korrupsionit të Edi Ramës, vlerat e vërteta të Demokracisë. Të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve dhe të respektit për lirinë, pronën, shëndetin, jetën, mirëqenien e çdo shqiptari dhe çdo shqiptarje, pavarësisht prej bindjeve politike, origjinës, gjendjes ekonomike dhe shoqërore. Ne do të bëjmë të mundur që çdo sakrificë e këtyre betejave, çdo sakrificë e gjithësecilit secilit prej jush, e çdo qytetari shqiptar, të kujtohet me krenari dhe mirënjohje të thellë si themeli i shqipërisë së vërtetë europiane.
Ndaj le ti marrim me vete gjithçka që përjetuam sot, për ta rritur dhe forcuar vendosmërinë dhe përgatitjen tonë për ti shkuar betejës deri në fund dhe për tu treguar sot fëmijëve tanë, e nesër brezave që do të vijnë; se natën kur vendosej fati i Shqipërisë, nëse do të zhytej në errësirën e krimit dhe të korrupsionit për shkak të indiferencës, për shkak të korrupsionit të mediave, për shkak të rënies së shoqërisë civile, për shkak të një grushti oligarkësh armiq të popullit që grabitën gjithçka, dhe se do të ja dilte po ajo natë ti ulte kokën popullit, apo nëse do të ishte nata e fundit e tiranisë. Ne nuk e ulëm kokën, ne nuk heshtëm, nuk pushuam, ne u bashkuam, protestuam dhe fituam.
Le të kumbojë ky mesazh besimi total në fitoren e betejës tonë dhe të kauzës tonë. Le të bëhemi gati për çlirimin e Shqipërisë në çdo cep të saj nga klika kriminale e Edi Ramës.
Sovrani foli sot, sovrani vendosi se Shqipëria e shumicës, shumicës së përjashtuar, shumicës së vjedhur, shumicës së torturuar, shumicës së gjobitur, shumicës së burgosur, të poshtëruar, të shantazhuar, do të jetë nesër shumica e njerëzve me dinjitet, të njerëzve me krenari, të njerëzve që do të ndërtojnë këtu jetën e tyre, përmes vendeve të punës me rroga e kushte dinjitoze. Dhe mbi të gjitha me liri, me dinjitet, me dashuri për njëri-tjetrin, këtu në Shqipërinë tonë dhe jo në emigracion. Ndërsa Shqipëria e vogël e kriminelëve, e oligarkëve, e Edi Ramës dhe e politikanëve të korruptuar, do të varroset në arkivat e zeza të kombit.
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
- Tensione në protestë. Policia sulmon qytetarët me gaz lotsjellës
- Policia sulmon me gaz kreun e PD, ndërpritet deklarata për gazetarët
- Protesta, Presidenti apelon për ruajtje të qetësisë: Të evitohen konfrontimet
- Protesta zhvendoset tek Parlamenti
- Kryemadhi: Hallet e shqiptarëve i zgjidhin vetëm shqiptarët
- Protestuesit i bëjnë shu**ën Kryeministrisë
- Lleshaj reagon për protestën: Ka policë të plagosur
- Rama sumon opozitën, asnjë fjalë për gazin lotsjellës dhe dhunën e policisë
Deklarata për mediat e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, pas protestës:
Mirëmbrëma të gjithë qytetarëve dhe atyre që po na ndjekin drejtpërsëdrejti.
Më lejoni që në emër të asaj pjese që morën pjesë në protestë, por edhe të gjithë atyre qytetarëve të tjerë që e kanë ndjekur nga televizioni të pranoni falënderimet e mia. Njëherësh falënderoj të gjithë ata qytetarë dhe qytetare, djem dhe vajza, studentë dhe gjimnazistë, që thyen frikën dhe u bënë sot pjesë e kësaj proteste model, edhe pse në ditë të vështirë me shi, edhe pse nën presion të jashtëzakonshëm të gazit helmues dhe të dhunës së policisë, përballuan një nga protestat më të mëdha që ka pasur Shqipëria në të gjithë vitet e tranzicionit.
Dua të falënderoj të gjitha ata qytetarë që ishin sot atje, të cilët i dhanë akoma dhe më shumë shpresë shqiptarëve, atyre shqiptarëve që gjenden sot më të dobët, më të vobektë, më të varfër. Atyre shqiptarëve të cilët u qan zemra për të parë fëmijët e tyre dhe janë larguar nga Shqipëria për të ndërtuar një jetë më të mirë. Për të gjitha ata prindër që nuk ishin sot atje, të cilët luftojnë dhe mundohen çdo ditë për fëmijët e tyre studentë, për të përballuar studimet e tyre. Për të gjitha ata prindër të pamundur për të qenë sot në protestë.
Për fëmijët e tyre që u janë falimentuar bizneset. Për fëmijët e tyre të cilët gjobiten çdo ditë e më shumë nga taksat e Edi Ramës. Për fëmijët e tyre të cilët çdo ditë e më shumë e kanë të pamundur për të zhvilluar të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Falënderoj të gjithë shoferët e autobusëve dhe furgonave të cilët janë kërcënuar dhe janë gjobitur nga policia e Edi Ramës.
Dhe ju bëj thirrje të ruajnë faturat e gjobave se do ti marrin paratë e tyre një më një dhe nuk ka burrë nëne që t’ua marrë paratë atyre djemve të cilët me mish e me shpirt, me gjak rrisin dhe ushqejnë fëmijët e tyre. Falënderoj gazetarët e terrenit të cilët nuk na janë ndarë në asnjë moment në këtë protestë të vështirë.
Falënderoj të gjithë policët të cilët u treguan dashamirës ndaj nesh por i bëj thirrje të cilët dhanë urdhrin famëkeq për të helmuar shqiptarët, ti bëjnë hesapet mirë sepse llogaritë i kanë të hapura me mijëra shqiptarë që ishin sot atje në shesh.
Falënderoj mbi të gjitha, të gjithë shqiptarët që duan të ndryshojnë. Të gjithë ata shqiptarë që çdo ditë nxisin dhe i japin kurajë fëmijëve të tyre për tu përballur diktaturën e krimit, që Edi Rama ka instaluar sot në Shqipëri. Sot shqiptarët treguan dhe njëherë që Kjo qeveri ka dështuar me politikën e saj, ka dështuar me marrëdhënien e tij me publikun, me familjen e tij politike, ka dështuar me ekonominë shqiptare, me drejtësinë shqiptare, me të ardhmen e shqiptarëve. Një njeri i dështuar nuk mund të vazhdojë më qeverisjen.
Ky njeri i dështuar që ka frikë të përballet me popullin e tij, i cili në asnjë moment nuk gjendet përballë Tij, por gjithmonë largohet, sepse është në fakt i larguar.
Ju faleminderit të gjithëve nga zemra, ju jemi mirënjohës dhe jemi krenarë që kemi bërë një veprim aq dinjitoz dhe të domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë duke djegur mandatet ne do t’i kthejmë fytyrën politikës për të risjellë një politikë të re, politikanë të rinj, të cilët mendojnë për qytetarët, për të zgjidhur hallet dhe problemet e shqiptarëve.
Sepse Shqipëria është i vetmi vend ku është shtëpia e shqiptarëve të cilët mund të ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Faleminderit.
v