Diçka fshihet nën det
Nga Frrok Çupi
Tani po vijnë punët afër fundit. Njësoj si sendi që është hedhur në det dhe tani po pushon atje poshtë, nën ujë….
Zgjedhjet për qeverisjen lokale kanë edhe vetëm katër ditë punë.
Pastaj një ditë heshtje dhe pas heshtjes- një ditë "lufte". Çfarë ishte për t'u parë në sipërfaqe, tashmë është parë dhe është e qartë. Po atje poshtë, nën det, vallë çfarë ka "kutia e zezë"?
Të gjithë po shikojnë "kutinë" atje në fund, edhe pse nuk ta japin këtë përshtypje. Është krijuar përsëri peisazhi njerëzor i viteve të censurës komuniste kur askush nuk tregonte çfarë mendonte e çfarë shikonte atje përtej…
Tani, përsëri janë dy gjëra: Këto që janë mbi sipërfaqe dhe ato që shfaqen në fund të detit:
1.
Janë miliona e miliona flamuj, banderola, foto prepotente kandidatësh, thirrje të shkruara me ngjyra të ndezura dhe pompozitet shumë të madh; sidomos fotot e Ilir Metës si "baba" i kombeve. Shpenzime pa fund dhe luks kërcënues. Të gjitha dëshmojnë se "jemi luksozë, por kaq keni nga ne"… Këta po hedhin miliona në fushatë për të fituar pushtetin; ndërsa votuesit vuajnë për bukën e gojës. Këta po shpenzojnë miliona euro për spotet televizive për të shpëlarë trurin e votuesit të mjerë. Veç kandidati rilindas i Tiranës paska shpenzuar rreth një milionë e gjysmë euro.
Pamja që kërcënon në rrugë e në shtëpi është sa reale aq edhe e paplotë. Po të mos shikosh se si reflekton kjo pamje luksi atje në fund të detit, atëherë do të ishe një naiv, ose "budalla"- siç i quan kryeministri njerëzit rëndom nëpër mitingje. Atje në fund të detit, pamja luksoze e kërcënuese e partive që qeverisin, shfaqet në të kundërtën e vet. Atje njerëzit kalojnë neveritës ndaj këtij luksi. Meqë flamujt e partive kërcënuese qeverisëse reflektohen në fund të detit, njerëzit kanë mundësinë t'i shkelin me këmbë. Sa shumë të varfër ka mes nesh që kalojnë përditë nën pompozitetin e propagandës ngrefosëse të qeverisë.
– Sikur një flamur, nga miliarda që ka ngrehur partia, të ishte për fëmijët e mij sot, hajt se boll do ta kisha!-, mërmëriti një burrë tek kalonte para këmbëve tona te një kafe në trotuar.
Është shtuar varfëria; aq sa shumë është shtuar pompoziteti i partive qeverisëse. 56 përqind e familjarëve sot jetojnë me borxhe nga fqinji, nga kushëriri ose nga banka.
Pyetja shtrohet:
Kush e ka ngrefosur këtë pamje në sipërfaqe, e cila në fund të detit shfaqet së prapthi?…
Kam në mendje një ngjarje të prillit të vitit 1985. Isha gazetar i dënuar në një ekspeditë në rrethinat e Spaçit. Të gjithë punëtorët u mblodhëm në mbrëmje nëpër baraka. Diku kishte rënë një libër i Enver Hoxhës, por vetëm njëri bëri me shenjë duke treguar librin luksoz: "Vërtet vdiq ai?….".
Të tjerët bënë sikur nuk dëgjuan.
"Gjynah për kapakët që shkëlqejnë"- tha tjetri duke bërë me gisht nga libri.
Shkëlqimi i sipërfaqes, as në diktaturë, nuk e mashtroi dot njeriun e dhunuar; e jo më sot.
2.
Ndërsa këta të ngrefosurit para zgjedhjeve, shikojnë të njëjtën gjë në fund të detit; njësoj si në sipërfaqe. Asgjë nuk e shikojnë ndryshe. Nuk mund të mendojnë se në fund të detit mund të përmbysen gjërat. Nuk mendojnë dot se populli mund t'i përmbysë gjërat; populli është vetë deti. Prepotenca të bën të shikosh botën veç ashtu siç ke dëshirë ta shikosh. Prepotenti e ka "vulosur" botën me vullnetin e vet.
Këta shikojnë kundërshtarin, atje poshtë, të shtypur po aq sa ç'e shikojnë këtu lart. Kryetari i qeverisë thotë se "janë budallenj ata që votojnë për opozitën", dhe në fakt kështu e shikon figurën edhe atje poshtë. Kryetari i qeverisë tha dje se "desha të kisha një parti demokratike"…, kështu e ashtu; që do të thotë se ka mendjen e diktatorit komunist për opozitën. Edhe opozitën e do pas vetes. Këta po mendojnë se meqë "Halim Kosova është burrë i urtë e i drejtë", do ta fitojë Tiranën ai tjetri që mashtron dhe agreson. Edhe atje në fund, këtë e shikojnë pa përmbysje. Të gjithë kandidatët e opozitës i shikojnë si njerëz normalë; gjë që ua mbush mendjen se nuk mund të fitojnë. "Si mund të fitojë një kandidat që ka prekur kaçavidë me dorë?",- tha dje kryeministri për opozitarin. Domethënë do të fitojnë ata që nuk kanë sjellje njerëzore, që kanë prekur veç zyra, para të vjedhura nga publiku, tendera, telefona me mafiozë… Jo punën dhe sjelljen e familjarit,- sipas tyre.
Në fakt, atje në fund, ky fakt reflektohet në të kundërt.
Këta, duke mos e përfillur "detin", e kanë vulosur rezultatin e zgjedhjeve që zhvillohen pas një jave. Këta vulosin çdo gjë në sipërfaqe.
3.
Dhe e fundit, "bomba" që duket e fshehur:
Kjo quhet blerje dhe vjedhje e votës.
Kësaj here këta të qeverisë duan të fitojnë me çdo kusht. Edhe duke i blerë votat, edhe duke gjakosur ditën e votimeve si në Laç në 23 qershor 2013; edhe duke i vjedhur në kutitë e votimit, edhe duke manipuluar në komisione deri në KQZ. Që tani kryetarja e KQZ, një mike e ngushtë e Jozefina Topallit, në mënyrë të topallosur ka kthyer kurrizin dhe i është bashkuar qeverisë. Të paktën kjo.
Kjo duket qartë, si në sipërfaqe edhe në fund të detit. Këta të qeverisë duan ta fshehin ose ta deformojnë të vërtetën kriminale duke ia ngarkuar opozitës.
"Bomba" që fshihet, në fund të zgjedhjeve do të dëshmojë një pushtet autokratik të rrezikshëm. Rilindja e sundimit komunist të Hoxhës, do të krijojë neveri dhe urrejtje popullore kundër okupimit të pushtetit. Bashkë me këtë qëndron e vërteta e veprimeve mafioze, e vjedhjes së pasurisë kombëtare që nga hekur-nikeli i Kukësit e deri te Bregu i Jugut.
Çmontimi i "bombës" së autarkizmit mund të kushtojë për jetën e popullit.
… Dhe "ndarja" mes njerëzve do të jetë bomba tjetër e padukshme. Kryeministri e hapi dje "kutinë e Pandorës", teksa fliste në Kolonjë. Atje ai mallkoi ata që "po e ndajnë kombin sipas besimeve fetare". I pari kryeministër që e bëri këtë, duke nxitur fenomenin e paqenë. Por me "ndarje" fetare" ai predikoi edhe ndarjen e kombit në dy pjesë. Që prej fillimit, Rilindja ka shërbyer nënçmimin e popullsisë gegë të Veriut dhe ka mbajtur anën politikës së regjimit komunist. Me sa duket kësaj here kryeministri do ta shikojë të projektuar idenë e ndarjes kombëtare.
Ka disa qëllime që Rilindja i ka projektuar për në sipërfaqe si dhe për në thellësi.