Disa politikanë shqiptarë, ditën me amerikanët, natën me Lindorët !?
Për herë të parë Tirana është bërë qendra e institucionit më të rëndësishëm ushtarak të Aleancës së Atlantikut Verior (NATO). Shefat e Shtabeve të vendeve anëtare zhvilluan në Shqipëri takimin e Komitetit Ushtarak, i cili është autoriteti më i lartë ushtarak i NATO.
Përfaqësuesit e lartë diskutuan mbi një seri temash që lidhen me rreziqet globale dhe rajonale. Në mënyrë të veçantë është folur për luftën kundër terrorizmit, angazhimit në Irak e Afganistan dhe situata në Ballkanin perëndimor.
Për shkak se Ballkani është rajoni që shpesh herë ka pasur konflikte dhe probleme të sigurisë, autoritet shqiptare kanë theksuar rëndësinë që prania e NATO-s të jetë më e madhe. Jo thjesht në kuptimin ushtarak, por duke përfshirë në aleancë gjithë vendet e rajonit. Presidenti Ilir Meta, në pritjen e zhvilluar me shefat e shtabeve dy ditë më parë theksoi se Maqedonia, Kosova dhe Bosnja duhet të jenë pjesë e aleancës. Presidenti theksoi se kjo është e vetmja mënyrë që rajoni të jetë i sigurtë. “Sa më shumë vende të Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Aleancës, aq më e sigurt, e qëndrueshme dhe e begatë do të jetë e ardhmja jonë e përbashkët dhe interesat tona euroatlantike”,-deklaroi Presidenti Meta në mesazhin e tij.
Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur dje para shefave të shtabeve. Përveçse ka konfirmuar rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe shtimin e numrit të efektivëve shqiptarë në misione ndërkombëtare, Rama ka theksuar dhe një herë stabilitetin që prodhon prania e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri përmendi tentativën e grushtit të shtetit në Mal të Zi disa muaj më parë, si shembullin më të qartë sesa i brishtë është Ballkani nga ndikimi i faktorëve të huaj. Kryeministri foli për “palë të treta” që kërcënojnë stabilitetin e rajonit.
Por cilat janë rreziqet që kërcënojnë Ballkanin dhe vendet e aleancës. Gjenerali Peter Pavel që drejton gjithë trurin ushtarak të NATO-s ka folur hapur dje se nga mund të vijë cenimi i stabilitetit. “Jemi të sfiduar nga aktorë shtetërorë e jo shtetërorë, forca ushtarake, grupe terroriste dhe sulmet kibernetike. Përgjegjësia jonë mbetet mbrojtja e territorit dhe popullsisë sonë”, tha Gjenerali Pavel.
Kosova është diskutuar në mënyrë të veçantë, ku prej vitesh operon misioni i KFOR dhe drejtuesit ushtarakë shprehën angazhimin për vazhdimin e misionit. “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë atje aq gjatë sa të jetë e nevojshme duke qenë se nga siguria dhe stabiliteti në këtë rajon përfiton stabiliteti dhe siguria në Europë ”,- u shpreh gjenerali Pavel.
Lidhur me debatin për krijimin e forcave të armatosura të Kosovës, Kryetari i Komitetit Ushtarak, gjenerali Peter Pavel ka lënë të hapura mundësitë. Në konferencën e përbashkët me shefin e Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Bardhul Kollçaku, Pavel u shpreh se “nuk themi që nuk ka të drejtë të krijojë ushtrinë e saj, por kjo duhet bërë sipas procedurës së duhur dhe një afati kohor të caktuar”. Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, drejtuesit ushtarak konfirmuar se pranimi i vendeve të tjera do të vazhdojë.
Kjo deklaratë për një rajon që njihet me termin “fuçi baruti” vetëm prania ushtarake e NATO-s ka rritur të normalizojë situatën. Konfliktet e 20 viteve më parë dëshmuan se në çdo kohë siguria është e rrezikuar. Investimi i rëndësishëm ushtarak dhe diplomatik i SHBA-së dhe vendeve të tjera të NATO-s ka garantuar normalitetin në rajon. Edhe për vetë BE-në veç “palëve” të treta është shfaqur dhe rreziku i terrorizmit dhe i sulmeve kibernetike. Ndaj sa më shumë angazhim ushtarak i NATO-së në rajon aq më shumë është i garantuar stabiliteti.
Faktori shqiptar në rajonin e Ballkanit Perendimor, ku përfshihen shtetet Shqipëria, Kosova, Mal i Zi dhe Maqedonia ka bërë që Tirana zyrtare të jetë epiqendër e takimeve të niveleve të larta. Por Shqipëria ka një aleat të fuqishëm botëror, SHBA. Ndaj ka nevojë që politika dhe qeveria shqiptare të jenë të angazhuara me shumë në zbatimin e rekomandimeve në reformën në drejtësi, siç kërkon Uashingtoni zyrtar për të krijuar një shtet pa krim e korrupsion dhe që nuk shikon nga Lindja e dikurshme e miqësisë së viteve 50-60.
Ky është mesazh i fortë amerikan. Kush e kupton bën mirë, në të kundërt mbetet një politikan pasionant dhe interesaxhi pas Lindjes e ku do ketë përfundim të keq. Amerikanët kanë çdo informacion se çfarë ndodh në Tiranën zyrtare, ndaj politika të jetë korrekte e të mos lozë me dy standarte; ku ditën puthet me ambasadorin amerikan Lu dhe natën shkon në një ambasadë tjetër lindore.
Shënimet po mbahen! Reforma në Drejtësi do marrë më përpara të korruptuarit që janë edhe antiperendimorë…
S.P.