Ditmir Bushati: PS t’i kërkojë falje Shkodrës

Ditmir Bushati foli! Pas tij mendohet se do ketë emra të tjerë në PS që do të flasin për gjendjen ku po përfundon PS-ja, si pasojë e kapjes nga njerëz të lidhur me krimin apo me paaftësinë. Nga mbrëmë në PS nuk ka më qetësi.

 

Mbledhja e djeshme e Partisë Socialiste nuk ishte nga ato ku vetëm flet kryeministri dhe të tjerët duhet të miratojnë me çdo kusht. Kur çdo gjë në PS duket se është venë në shërbim të kreut të qeverisë dhe Taulant Ballës, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka bërë diferencën me anëtarët e tjerë të kryesisë që janë kthyer në ushtarë pa dinjitet. Ish-kryediplomati i ka dorëzuar një letër kryesisë së PS, ku si deputet dhe përfaqësues si Shkodrës kërkon normalizimin e situatës. Pas ikjes së Valdrin Pjetrit, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, PS e Shkodrës nuk humbi vetëm kryetarin (e zgjedhur gjithësi në mënyrë të padrejtë), por mori edhe një goditje të fortë publike. Një goditje që tregon se në kryeqendrën e veriut, PS-ja përfaqësohet gjithmonë me njerëz problematikë dhe me të shkuar kriminale. Nisur nga kjo, Ditmir Bushati ka kërkuar dje nga PS dhe kryeministri Edi Rama nisjen e një debati reformues për partinë dhe për mënyrën sesi po përzgjidhen njerëzit me të cilët përfaqësohet PS-ja. Por, pikësëpari, Ditmir Bushati deklaroi se Partia Socialiste duhet t’i kërkojë falje Shkodrës dhe qytetarëve të saj, për kandidatët që i ka çuar. Bushati tha se përgjegjësia ligjore e kandidatëve me probleme është personale, por Partia Socialiste si organizatë e madhe politike duhet të sillet në mënyrë më serioze. “Në rast se përgjegjësia për të kaluarën e secilit është një përgjegjësi individuale dhe ligjore, ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politike, të themi na falni edhe për rastin në fjalë dhe të propozojmë reforma politike që ndërtojnë sisteme imunitare për një jetë tjetër politike”,- tha ish-ministri Bushati.

Në mënyrë direkte, Bushati kritikoi qëndrimet e kryeministrit Edi Rama me Shkodrën edhe pse pas largimit të Valdrin Pjetrit. Dje, në mbledhjen e Kryesisë së PS, Edi Rama njoftoi se gjithë drejtorët e institucioneve në Shkodër do të shkarkohen. Por kjo nismë e Ramës shihet nga Bushati si një masë e panevojshme dhe dëmtuese për vetë PS-në. “Kjo nuk është një çështje që mund të trajtohet në mënyrë ligjore apo proceduriale as me zhvendosje vëmendjeje për shkarkime në masë të njerëzve që s’kanë lidhje dhe asnjë fajësi me situatën e krijuar”, -tha Dimtir Bushati.

Por në qëndrimet e djeshme të ish-ministrit pati dhe një akuzë të fortë që shkon direkt në adresë të Edi Ramës. Duke folur për kostot që i ka sjellë PS-së kandidimi i njerëzve me probleme ligjore, Bushati akuzoi duke thënë se një pjesë e atyre që kanë ikur për shkak të dekriminalizimit janë rikthyer në PS. Madje, më fuqishëm se më parë. “PS është partia e intelektit dhe ato gabime që kemi bërë në të shkuarën kur njerëz kishin një të kaluar të dyshimtë u përjashtuan, u përshëndetën nga SHBA. Fatkeqësisht u rikthyen në tryezat tona vendimmarrës dhe sot na duhet të administrojmë pasojat e këtyre gabimeve”,- deklaroi Ditimir Bushati.

Deklarata e bërë në mënyrë diplomatike nga ish-ministri është një akuzë e fortë që i drejtohet Edi Ramës. Pra, në PS janë rikthyer dhe kanë ndikim të fortë, njerëz që Ambasada e SHBA ka kërkuar të largohen, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit. Kjo do të thotë se justifikimet e Edi Ramës, se “nuk e dinte” apo se “s’kishte informacion” për të kaluarën e njerëzve të tij janë një mashtrim i madh publik. Duke i rizgjedhur dhe duke bashkëpunuar sërish me ata, Edi Rama sfidon jo vetëm partnerët ndërkombëtarë, por edhe gjithë qytetarët shqiptarë.  Tashmë nuk mund të thuhet se ai nuk e di të kaluarën e zyrtarëve që emëron, por ai ka zgjedhur vetë të qeverisë me emra problematikë.

Shkodra është thelbi i reagimit të djeshëm të Ditmir Bushatit, por mesazhet e tij vlejnë për problemet që ka PS dhe qeverisja “Rama” në gjithë vendin.

Ditmir Bushati foli! Pas tij mendohet se do ketë emra të tjerë në PS që do të flasin për gjendjen ku po përfundon PS-ja si pasojë e kapjes nga njerëz të lidhur me krimin apo me paaftësinë.

Nga mbrëmë në PS nuk ka më qetësi.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP