“Diversantët” e Shtetit

 

Pas aksionit kundër vjedhjes së energjisë dhe ndërtimeve pa leje Kryeministri Rama ka gati planin për aksionin në sektorin e naftës. Katër ministri; ajo Energjetikës, Financave, Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe dhjetëra drejtori do të jenë të angazhuara në një prej goditjeve më të mëdha ligjore në fushën e hidrokarbureve. Dhe bën mirë Edi Rama. Kryeministri  premtoi dje, gjatë një takimi me drejtuesit e këtij aksionit, se goditja të jetë e të njëjtit model si ajo për energjinë. Synimi është ndëshkimi me forcën e ligjit i të gjithë abuzuesve, që nga prodhuesit e naftës, përpunuesit e saj dhe deri tek pikat e shitjes. Gjithashtu, Kryeministri paralajmëroi se do të ketë ndryshime ligjore për të ashpërsuar masat. Thënë ndryshe, dyert e burgut do të hapen për drejtuesit e kompanive që kanë falsifikuar dokumentet, kanë rritur të ardhurat përmes shitjeve fiktive, apo në rastin më të keq që është dhe më i shpeshti, kanë shitur naftë të një cilësie të dobët.

Por Edi Rama nuk duhet të harrojë se ka të bëjë me grupet më të forta ekonomike në vend, por me edhe me një pjesë të mafias vendase dhe rajonale. Nëse ia arrin ti bëjë që ato grupe ekonomike ti nënshtrohen ligjit, atëherë Edi Rama duhet duartrokitur.  “Do t’i ashpërsojmë masat dhe përgjegjësinë penale, siç bëmë edhe me sektorin e energjisë, siç bëmë edhe me ndërtimet pa leje. Do të ashpërsohen duke vendosur penalitete shumë të rënda për çdo abuzues dhe duke ndjekur penalisht, sipas rastit, të gjithë ata që shkelin ligjin në kurriz të konsumatorëve”,- tha kreu i qeverisë.

Operacioni është hartuar prej disa javësh mes ministrive dhe drejtorive përkatëse. Verifikimi do të nisë në çdo cep të vendit ku shitet karburant. Si pjesë shtesë e këtij operacioni është menduar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Qindra forca policore do të vihen në zbatim të ligjit duke ndjekur procesin dhe ndëshkuar në kohë rekord çdo abuzues. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një deklaratë jo të zakontë gjatë takimit me inspektorët e institucioneve që monitorojnë tregun e karburanteve, paralajmëroi se edhe mes radhëve të tyre do të ketë persona që mund të arrestohen. Ndërsa kreu i qeverisë pranoi se ashtu si në rastin e OSHEE, ku në burg hynë dhe përfaqësues të këtij institucioni,  edhe në sektorin e naftës do ketë raste të tilla. Duke i folur për zyrtarët që ndihmojnë kompanitë të abuzojnë, kryeministri Rama i cilësoi ata si “diversantë” të shtetit shqiptar dhe premtoi se ndëshkimi do të ishte i pashmangshëm.

Aksioni në këtë sektor është shtrirë në dy faza. E para, është kontrolli i kompanive të mëdha dhe licencave që janë dhënë për nxjerrjen dhe tregtinë e naftës. Ndërsa aksioni i dytë do të përqendrohet në çdo pikë karburanti për të parë cilësinë dhe mënyrën sesi operohet. Nafta që përdorin automjetet në Shqipëri është ndër cilësitë më të dobëta. Kjo duket dhe në konsumimin e shpejt të mjeteve. Nga ana tjetër, çmimet e karburanteve janë më të kripura se në shumë shtete të tjera, edhe në ato fqinje. Por veç anës ekonomike, e cila ka peshë jo të vogël të xhepat e shqiptarëve, dëmi më i madh është ai shëndetësor. Një karburant me cili të keqe, ku “ekspertët” e fushës hedhin kimikate dhe hollues nga më të paimagjinueshmit sjellë dhe probleme të pariparueshme në shëndetin e popullsisë. Ndër efektet e këtij aksioni do të jetë dhe ulja e numrit të pikave të karburantit. Shqipëria është ndër vendet e pakta në rajon dhe më gjerë që ka nga një pikë karburanti në çdo kilometër. Kjo nuk është vetëm një çështje imazhi, por edhe dëmi ekologjik që i shkaktohet vendit.

Ky pritet të jetë aksioni më i madh dhe më i rëndësishëm i mazhorancës së sotme. Në sektorin e naftës qarkullojnë me miliarda lekë në vit. Është një nga bizneset më fitimprurës, por edhe biznesi ku pas kompanive ka edhe politikanë të sferave të larta. Termat oligopol dhe monopol, më shumë se në çdo sektor tjetër, gjenden të mbledhura në pak emra tek nafta. Sigurisht ka biznese dhe biznesmenë të ndershëm që kanë ndërtuar kapitalet në bazë të ligjit. Por një pjesë e bosëve të karburanteve, janë ose vetë politikanë ose miqtë e politikanëve dhe në jo pak raste financuesit kryesorë të fushatave elektorale. Këtë herë mazhoranca nuk do të ketë përballë banorët e fshatrave që vidhnin energjinë, por njerëz që janë pjesë e elitës ekonomike dhe politike.

Tani Edi Rama ka përballë mafien e vërtetë. Në këtë sektor janë mpleksur politika, biznesi, media, krimi, mafia, vrasësit, drejtësia; me pak fjalë këtu është Shteti dhe mafia. Ndaj iniciativa e Edi Ramës për të kontrolluar këtë pjesë të ekonomisë, ose superbiznes e supermafie është për t’u admiruar, ndonëse duhet të priten rezultatet praktike.

Ky aksion është një test serioz i mazhorancës për të parë sesa seriozisht e ka zbatimin e ligjit. Përballja do të jetë e fortë dhe “diversantët” që punojnë për anti-shtetin mund të dalin dhe në radhët e politikës së lartë. Rëndësi ka që të mos ndodh si me aksionet për lojërat e fatit, ku pas disa ditësh zhurme, rezultoi se u ndërruan vetëm pronarët e kompanive dhe nuk u rregullua tregu sipas ligjit. Ose më keq, u tha se do të spostoheshin nga qytetet, porse deri tani duket se do ikin qytetarët nga qyteti, dhe do të qëndrojnë lojërat e fatit, pikat e basteve dhe kazinotë.

Në këtë pikë ka dështuar mazhoranca. Të shohim se si do të dalë në betejën me karburantet.

 

SHKARKO APP