Dje kryeministri me policë dhe dajak mbi çamët

-Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi: Edi Rama e nisi si kalorës i Çamërisë dhe përfundoi si “Kali i Trojës” i Greqisë. Nuk shpëton dot kryeministri me “efkaristo” dhe “ejvallah”, pasi fundi i tij politik është me 25 prill.

Vizita e ministrit të Jashtëm Grek, Nikos Dendias në Tiranë prodhoi disa zhvillime që tregojnë se kryeministri Edi Rama ka dështuar në diplomaci dhe në mbrojtjen e interesave të vendit. Lajmi i parë ishte dakordësia për të shqyrtuar çështjen e detit mes dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare. Me këtë qëndrim, Edi Rama ju kthye një ideje të dhënë 10 vite më parë dhe e quajti si zgjidhje të artë, pa dhënë asnjë sqarim se cila ishte arsyeja që dje ndryshoi mendim. Nëse çështja e detit ishte kaq e thjeshtë sa kalohej me shprehjen “takohemi në Hagë”, përse u lodhën për vite me radhë qeveritë në negociata. Mund t’ua kishin kursyer vetes akuzat për “shitjen e detit dhe pazaret” dhe ta linin topin në derën e Gjykatës Ndërkombëtare. Madje, me lëvizjen e fundit dyshimet për aftësinë e qeverisë “Rama” shtohen edhe me tepër, pasi në gjykatat ndërkombëtare i kanë humbur të gjitha gjyqet dhe është pak e vështirë të besohet se do shkëlqejnë për mbrojtjen e detit. Bile analistët shprehen se dokumentat për në Hagë, pala shqiptare do ti hartojë të dobëta që të fitojë Greqia. E njëjta skemë si në Arbitrazhet ndërkombëtare ku Shqipëria I ka humbur të gjitha gjyqet.
Por vizita e djeshme e ministrit grek shërbeu për të parë dhe raportin që ka Edi Rama me historinë dhe të vërtetën. Gjatë kohës që kryeministri takohej me ministrin grek, përfaqësuesit e komunitetit çam dhe Vetëvendosjes që ishin mbledhur për të protestuar, u arrestuan dhe dhunuan nga forcat e rendit. Në komisariate u shoqëruan 26 aktivistë, mes të cilëve kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi, Sekretarja e Përgjithshme Mesila Doda, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të ndryshëm që kishin dalë për të protestuar. Shoqërimi me polici, dhuna dhe dajaku mbi qytetarët e komunitetit çam ishte një shfaqje e turpshme për qeverinë tonë. Ata nuk kishin qëllim as të sulmonin delegacionin grek dhe as të kryenin incidente diplomatike. Dolën në rrugë pasi kauza e tyre dhe çështja për të cilën ata reagojnë, mund të dëgjohej më shumë. Komuniteti çam ka 76 vjet që jeton në Shqipëri, pas ardhjes këtu si pasojë e gjenocidit dhe masakrave greke mbi ta. Gjatë viteve të komunizmit askush nuk i lejonte që të identifikoheshin dhe jo më të kërkonin të drejtat. Këto vite kërkesat e tyre janë përdorur për konsum politik, kryesisht nga Partia Socialiste dhe më pas janë anashkaluar nga axhendat zyrtare të qeverisë. Dje, Edi Rama shkoi edhe tej sesa modeli i para viteve ’90, pasi i rrahu, i gjakosi dhe i çoi në burg. Pamjet para Ministrisë së Jashtme dhe kryeministrisë me policinë që u lëshua kundër komunitetit çam janë një turp kombëtar. Një shtet që dhunon në këtë mënyrë komunitetin më të ndëshkuar nga historia tregon se në krye të qeverise nuk kemi njerëz që mbrojnë interesat kombëtare, por njerëz që kanë shitur vendin për interesa personale politike. Vetë marrëdhënia politike që Edi Rama ka pasur me PDIU-në duke marrë dhe teza të saj për fushatë elektorale në vitin 2013 është dëshmia më e mirë e talljes që kryeministrin bën me çështjen kombëtare. Edi Rama dje që urdhëronte rrahjen e çamëve thoshte në vitin 2013 se Çështja Çame është pjesë e pashmangshme e bisedimeve me Greqinë. Po ky Edi Rama që u jepte dajak dje çamëve dikur thoshte se do të fliste me kryeministrin dhe çdo zyrtarë grekë për njohjen e të drejtave të këtij komuniteti. Ndërkohë dje, Edi Rama nuk pati guximin jo që ta ngrinte këtë çështje në bisedime, por aq shumë është frikësuar nga Greqia, sa urdhëroi që çamët të mos dukeshin në Tiranë dhe në sheshe. Sjellje më frikacake dhe antikombëtare asnjë kryeministër tjetër nuk ka mbajtur në Tiranë përballë Greqisë. Për të fshehur turpin shtetëror që u bë dje ndaj çamëve në Tiranë, kryeministrin doli më një kollare me flamurin kuq e zi dhe me yllin komunist me pesë cepa. Me këtë mesazh donte të thoshte se “patrioti i vërtetë” ishte ai dhe jo ata që protestonin në shesh dhe u rrahën nga policia. Në fakt çështjen e detit nuk e zgjidhi dhe e la për në kalendat greke.
Këtë transformim prej patrioti fallso në një karikaturë politike e përshkroi më së miri vetëm më një fjali, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi: “Edi Rama e nisi si kalorës i Çamërisë dhe përfundoi Kali i Trojës së Greqisë”.
Dje çamët panë fytyrën e verteë të kryeministrit.
Mili Xhani

SHKARKO APP