Dje protesta dhe Bunkeri i Enverit
250 mijë, por duhet pranuar se ishte e madhe në numër. Ose më e saktë, më e madhja e kohës së Bashës, por edhe e kohës së Berishës në tetë vitet e fundit. Megjithatë, edhe socialistët që u përpoqën ta minimizojnë atë deri në 5 apo 12 mijë, duhet të pranojnë se protesta ishte masive. E vërteta nuk mbulohet! Nëse protestuesit erdhën nga rrethet, me autobusë, apo u mblodhën nga deputetët me telefona, kjo ka pak rëndësi. Mazhoranca duhet të kuptojë se numrat janë një debat që mund ta diskutojnë mediat, ndërsa asaj i takon të kuptojë mesazhin e pjesëmarrjes së madhe. Debati për numrat mes PD-së dhe PS-së dje ishte qesharak. Për të njëjtin shesh, kur dikur deputetë e PS-së gjatë protestave të tyre, pretendonin se mund të mbante deri në 500 mijë protestues, dje socialistët bënin llogaritë se i njëjti vend nuk mban më shumë se 10 mijë. Po ashtu, qesharake duken dhe deklaratat e drejtuesve të PD-së që shpallnin shifrat, njëlloj si rritjen ekonomike gjatë qeverisjes së Berishës. Për aq kohë sa kryeministri Edi Rama ka numrat në Parlament, nuk e shqetësojnë numrat që Basha mbledh në shesh. Dy partitë kryesore nuk kanë vuajtur asnjëherë për të mbushur sheshet, edhe në ditët më të vështira i kanë gati 5 mijë mbështetës, mjafton numri i të larguarve nga puna për të plotësuar radhët e para të protestave. Por dje në shesh nuk ishin vetëm të larguarit nga puna, kishte dhe nga ata që kanë nisur të shohin me dyshim premtimet e mazhorancës aktuale. Ndaj këtu duhet të nisë reflektimi i mazhorancës. Sigurisht, pjesa tjetër e protestës është propagandë, njëlloj si numri i pjesëmarrësve, ashtu dhe deklaratat e kreut të Partisë Demokratike për rrëzimin e qeverisë. Mazhoranca ka vetëm pak muaj që ka kaluar vitin dhe kushdo e kupton se rrëzimi i saj është një ëndërr e Bashës, por jo një realitet që e besojnë vetë demokratët. Pavarësisht problemeve me zërin që pati dje Basha gjatë fjalimit (duhet të gjejë mjek për fytin), ai dje ishte në kulmin e suksesit të tij brenda një viti. Ishte meritë e tij, duhet pranuar. Ndonëse edhe e kanë sabotuar disa në PD, përsëri ai mblodhi kaq protestues sa mund të thuhet se nuk mendohej që do të kishte kaq shumë njerëz. Në rrugën e gjatë dhe të mundimshme për t’u bërë një lider de fakto i opozitës shqiptare, Basha dje vuri një gur të rëndësishëm. Dhe u bë Lider. Tregoi se nuk është një politikan i sallave të mbyllura, por kur do, mund të ndërtojë dhe atë që në Shqipëri njihet si “opozita e rrugës”. Protesta, siç e paralajmëruam dje, ishte një tregim muskujsh nga ana e selisë blu. Pavarësisht se “muskujt” janë ende të dobët dhe nuk përbëjnë rrezik për mazhorancën qeverisëse të blinduar nga dyshja Rama-Meta, përsëri PD-ja e mori veten dhe tani ka nevojë urgjente të shkojë në parlament. Dhe të përballet atje me kryeministrin. Do t’i duhen dhe shumë “ushtrime” e protesta të tjera opozitare për t’u cilësuar si rrezik real, e për të arritur këtu, rruga është ende e gjatë. Ka edhe tre vite! Nëse nuk hyn në parlament tani për projektbuxhetin, atëherë pse duhet të hyjë edhe vitin tjetër?! Tani është koha. Në të kundërt, gjithçka fitoi dje, do t’i venitet.
Mesazhet e politikës dje ishin kundërthënëse. Nga një anë, Partia Demokratike kërkon pushtetin, kur ende nuk ka bërë katharsisin e mëkateve që bëri gjatë tetë viteve qeverisje. Por ama e kërkon. Nga ana tjetër, Rama zgjodhi të japë mesazhe me simbolikë të dyfishtë. I pashqetësuar nga protesta e opozitës, kryeministri preferoi të vazhdonte axhendën e zakonshme të punës së tij si kreu i ekzekutivit. Për rastësi, apo zgjedhje të tij, takimi i djeshëm ishte prezantimi i një ekspozite muzeale në bunkerin atomik të Enver Hoxhës në ShishTufinë. Takimi i djeshëm u interpretua me dy mesazhe. I pari, është ai që i shkon më shumë për shtat opozitës dhe lidhet me atë që Berisha e cilësoi si “frikë”, duke aluduar se kryeministri u “fsheh në bunker”. Berisha edhe në këtë rast, tregoi se është mjeshtër i diversionit dhe që përdor ngjarjet rutinë në varësi të interesit politik. Mesazhi i dytë lidhet me qëndrimet e mbajtura nga Rama në bunkerin e ish-nomeklaturës komuniste. Nuk foli për protestën, por foli për hapjen e dosjeve dhe në këtë pikë, personi që duket se i djeg më shumë historia me dosje dhe anëtarë të Byrosë Politikë, është pikërisht Sali Berisha. Por edhe të tjerë! Hapja e dosjeve, nëse vërtet do të realizohet, pritet të sjellë një tronditje në skenën politike shqiptare. Brezi i politikanëve tek e majta, thuajse është i rinovuar i gjithi dhe karrierat e drejtuesve të saj kanë nisur pas rënies së komunizmit. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Partinë Demokratike, ku mes drejtuesve dhe figurave të saj ka pasur gjithmonë aludime për një të shkuar jo shumë të lakmuar gjatë viteve të komunizmit. Simbolika e bunkerit të Enverit, mund të ketë pasur edhe këtë mesazh për ish-kryeministrin dhe emra të tjerë të figurave politike. Dhe Rama e luan bukur këtë lojë. Është mjeshtër.
Në takimin e djeshëm brenda në sallës së ndërtuar për mbledhjet e Byrosë dhe Presidiumit të dikurshëm Popullor, kryeministri Rama sqaroi dhe një keqkuptim që i është veshur qeverisjes së tij këto muaj lidhur me komunizmin. Kryeministri përsëriti disa herë në fjalimin e tij, në sallën ku përballë kishte dhe ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu, se çështja e Evner Hoxhës dhe simbolikës komuniste është një kapitull i mbyllur për Partinë Socialiste e të majtën. Hapja e dosjeve pritet të jetë një dëshmi tjetër e faktit se Partia Socialiste nuk ka asnjë peng për të kaluarën.
Dje në Tiranë kishim protestë dhe prapë hijen e Enverit, por tashmë pesë kate nën tokë si bunker antibërthamor!