Donald Lu foli, Qeveria hesht
Tërmeti që shkaktuan deklaratat e Ambasadorit Donal Lu është ndjerë në çdo kat të shoqërisë shqiptare dhe të politikës. Thirrja në Rrëshen për rrëzimin e qeverisë “nëse nuk u përgjigjet qytetarëve” dhe akuza për 4 familje mafioze që menaxhojnë 20 grupe kriminale nuk janë vetëm deklarata, por denoncime të forta. Qëndrimet e Ambasadorit janë mbështetur fortë nga opozita. Partia Demokratike i cilësoi si akuza ndaj qeverisë “Rama”. Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili, përveçse se mbështeti ambasadorin e SHBA për këtë qëndrim, bëri dhe një “vërejtje” lidhur me kohën kur bëhen këto deklarata. Sipas Vasilit, diplomati amerikan duhet të kishte folur kohë më parë, sidomos gjatë fushatës kur roli i krimit dhe parave të pista ishte i dukshëm çdo ditë.
Por më shumë se koha se kur u tha, rëndësi ka ajo që tha diplomati. Dhe deklaratat e tij tashmë kanë hyrë në ato qëndrime që ndryshojnë rrjedhën e zhvillimeve në vend. Këto ditë ka pasur reagime pa fund nga politika, media dhe shoqëria civile. Qëndrimi i ambasadorit dje ishte pasqyruar edhe në mediat e huaja. Vetëm në një kamp politik ka heshtje. Askush në Qeveri apo në Partinë Socialiste nuk ka asnjë koment për ato që thotë ambasadori. Asnjë qëndrim zyrtar i ministrave, koordinatorëve të qeverisë, apo qoftë edhe një koment i rastësishëm në “Facebook”. Në një situatë tjetër reagimi nuk do të ishte i domosdoshëm, por nuk është ky rasti kur mund të heshtet.
Denoncimi me emër i grupeve kriminale dhe lidhja e qartë që u bëri këtyre bandave me politikën është një akuzë e fortë për njerëzit që kanë sot frenat e pushtetit në dorë. Më së pari, të shqetësuar janë në Kryeministri dhe ministritë që indirekt preken nga deklarata të tilla. Sepse qëndrimi i ambasadorit ishte një akuzë ku qeveria ose duhet të pranojë dështimin, ose të japë argumentet se pse gjendja e krimit në vend ka ardhur në këtë situatë. Në raste të ngjashme Edi Rama e ka pasur gati një koment në Twitter ku deklaronte se “ndaj e duam reformën në drejtësi, për të shfarosur krimin”. Por ambasadori ja hoqi mazhorancës edhe këtë argument. Nëse sot Shqipëria është një vend problematik me krim të organizuar dhe struktura mafioze, kjo nuk është vetëm për shkak të drejtësisë së korruptuar. Po kaq e rëndësishme sa drejtësia, është dhe mbështetja politike dhe lidhjet direkte mes pushtetit dhe krimit. Kjo është ajo çfarë tha ambasadori dhe përballë këtij fakti qeveria dhe politika nuk mund ta shohë veten jashtë lojë. Në vitin e pestë të pushtetit duhen prova të forta për të kundërshtuar bindjen që ka publiku dhe faktet e ambasadorëve, kur thonë se bandat janë më aktive se kurrë.
Qeveria mund të reagonte në dy mënyra ndaj akuzave të Ambasadorit Amerikan që mbi të gjitha cenojnë imazhin e saj dhe rrëzojnë disa nga premtimet kryesore të mazhorancës. Mënyra e parë ishte reagimi publik ku të jepte argumente se pse nuk ka ndodhur goditja e bandave, ose të kundërshtonte ambasadorin. Mënyra e dytë është goditja në kohë rekord e këtyre bandave dhe personave që përmendi diplomati. Ka pasur këto ditë plotë kohë që të bën edhe reagimin formal edhe goditjen e fortë ndaj bandave. Asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur. Në vend të përgjigjes ka vetëm heshtje zyrtare.
Ka dhe disa aludime, në mediat afër qeverisë, që mundohen të justifikojnë shpërthimin e ambasadorit me shprehjen se gjëra të tilla i ka thënë dhe më parë. Një tjetër teori konspirative u shpërnda dje, ku reagimet e ambasadorit thuhet se i ka kërkuar vetë Edi Rama. Një skemë e tillë është shumë naive, sepse ky do ishte rasti i parë ku Kryeministri i kërkon ambasadorit që ta rrëzojë nga pushteti.
Por heshtja e qeverisë është vetëm në fasadë. Sepse nën zë flitet dhe për një lobim të fortë të mazhorancës për zbutjen e toneve të ambasadorit direkt nga SHBA. Pra, në vend të zgjidhë problemin në Tiranë dhe gjithë vendin, qeveria po mundohet t’i bjerë nga Uashingtoni me kompani lobimi dhe rrugë të tjera.
Ndërkohë, gjërat kanë nisur të ndryshojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe në SHBA. Drejtuesit e politikave të rajonit në Departamentin e Shtetit janë ndërruar dhe bashkë me ta pritet të vijë një klimë e re ndaj politikës së rrëmujshme të rajonit të Ballkanit.