Dopingu, si hile greke apo vetëvrasje shqiptare
Daniel Godelli, Romela Begaj dhe Hysen Pulaku, tre peshëngritësit që deri disa ditë më parë ishin krenaria e vendit, tashmë janë në qendër të akuzave për përdorim të substancave të ndaluara. Testet e bëra pas kampionatit të Kazakistanit tek sportistët shqiptarë i kanë nxjerrë ata pozitivë në përdorimin e stanazololit, një hormon i ndaluar nga federatat ndërkombëtare sportive që prej vitit 1974. Katër medalje, tre ari dhe dy argjendi janë vënë në diskutim, por më shumë se kaq, imazhi i vendit dhe sportit shqiptar është dëmtuar si asnjë herë tjetër. Mediat ndërkombëtare e kanë pasqyruar gjerësisht këtë skandal dhe lavdia e peshëngritjes shqiptare është ulur përtokë. Në lojë është dhe përjashtimi i Federatës së Peshëngritjes Shqiptare nga të gjitha garat ndërkombëtare, masë kjo e shoqëruar me një gjobë të majme monetare. Rezultatet e testit të dytë që u bëhet sportistëve në raste të tilla nuk kanë dalë ende, ndaj është shpejt që të akuzohen dhe sportistët për diçka jo zyrtare. Por cilatdo qofshin rezultatet përfundimtare, një pjesë e dëmit tashmë është bërë. Imazhi i Shqipërisë është dëmtuar në këtë rast.
Detajet e botuara gjatë ditëve të fundit kanë vënë në dukje dhe mënyrën sesi funksionon sporti në Shqipëri, por kanë hedhur edhe hije dyshime, se pas drogës fshihen edhe interesa të tjera. I pari ka qenë Daniel Godelli, sportisti që solli në Tiranë dy medalje ari, i cili hodhi dyshime se pas asaj që në e kemi etiketuar si “skandal” të dopingut, fshihet edhe një skandal më i madh. Sportisti ka kërkuar mirëkuptimin e mbështetësve të tij për të mos u nxituar në përfundime që hedhin fajin sportistëve, ndërsa ka lënë të kuptohet se pas dopingut fshihen interesa të vendeve të tjerë. “Flas në emër të gjithë ekipit kombëtar të peshëngritjes dhe kolegëve që ndjejnë të njëjtin siklet. Jemi të vetëdijshëm që jemi një shtet i vogël dhe i varfër, duhet te kuptoni që një kampion bote për shtetin tonë është shumë më e madhe se një investim që bëjnë shtetet e tjera”,- ka deklaruar Godelli. Por çfarë nënkuptohet me shtete të tjera? Skandali ka nxjerrë në dukje mangësitë që ka federata jonë e Peshëngritjes. Tre sportistet tanë; Godelli, Begaj dhe Pulaku nuk janë stërvitur në Shqipëri. Trajtimi i tyre para garës në Kazakistan është bërë në Greqi, pasi edhe pse ne si Shqipëri pretendojmë të marrim medalje ndërkombëtare, nuk u kemi ofruar sportistëve asnjë ambient të përshtatshëm. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza deklaroi dje për mediat se stërvitja e sportistëve tanë është bërë nga Luan Shabani, një emër i njohur i peshëngritjes. Por këtu nis dhe komplikohet çështja. Shabani, ka fituar dy medalje ndërkombëtare në shtangë për Shqipërinë deri në vitin 1992. Në vitin 1993 ndryshon emrin në Leonidas Sabanis dhe garon për ngjyrat e flamurit grek. Prej disa vitesh ai është trajner i ekipit kombëtar të peshëngritjes së Greqisë. Federata e Peshëngritjes Shqiptare i ka besuar Shabanit edhe stërvitjen e sportistëve tanë. Ajo që është e paqartë në këtë rast, lidhet me faktin sesi një trajner mund të stërvisë dy ekipe kombëtare njëkohësisht. Mund të kuptohet dashamirësia e Shabanit për të ndihmuar ekipin shqiptarë, por është e pafalshme sesi sportistë që pretendojnë medalje ari të lihen në dorë të dashamirësisë dhe njohjeve personale dhe jo institucioneve të rregullta.
Stërvitja e sportistëve tanë në tokën helene ka bërë që të qarkullojë një variant për një skenar grek dhe në këtë rast dyshimet duket se nuk janë aq të paarsyeshme. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza tha dje se do të kërkonte sqarime nga Luan Shabani për atë që kishte ndodhur. Ndërsa ka shtuar se vet Shabani i ka thënë se nëse rezultatet janë pozitive dhe në testin e fundit, diçka më e madhe fshihet. “Ai më tha të presim edhe testin B, dhe nëse del sërish pozitiv, atëherë do të prononcohem edhe unë, pasi këtu është diçka më e madhe”. Dyshimet shtohen më shumë dhe për faktin se tre sportistët grekë që stërviste Shabani nuk kanë rezultuar pozitiv ndaj testit të substancave të ndaluara. Nënzë, ende jo pulikisht, drejtues të Federatës së Peshëngritjes në Shqipëri thonë se ka dyshime se sportistëve shqiptarë mund t’u jetë dhënë pa vetëdije substanca e ndaluar. Diçka e tillë mund të ketë ndodhur gjatë kohës që ndodheshin tokën helene. Ende nuk ka prova që mbështesin këtë variant. I vetmi që mund ta sqarojë është vetëm trajneri Luan Shabani dhe mjekët që kanë ndjekur fazën stërvitore të sportistëve shqiptarë. Arsyeja pse mund të jetë bërë diçka e tillë janë të shumta. Peshëngritja është një nga sportet ku Greqia ka investuar më tepër, madje edhe duke blerë sportistë nga Shqipëria. Por pavarësisht kësaj në kampionatin e fundit nuk ka arritur të marrë asnjë medalje. Ndaj dhe manipulimi i analizave të sportistëve shqiptarë duket si një hakmarrje e pastër ballkanike dhe në historinë e sportit ndërkombëtar ngjarje të tilla nuk janë krejt të pabaza. Megjithatë, për momentin kjo është vetëm një teori konspirative e paprovuar që largon disi vëmendjen nga skandali në Tiranë. Mbetet në dorën e Federatës së Peshëngritjes Shqiptare ta vërtetojë diçka të tillë, ose të pranojë atë që dihet deri tani, që peshëngritësit tanë kanë manipuluar garën. Por bashkë me garën kanë manipuluar dhe miliona shqiptarët që deri më sot i mbështesin sportistë dhe besojnë se realisht jemi një vend kampion bote në peshëngritje.
Rezultatet e testit B do të heqin dyshime për shumë gjëra. Por nëse konfirmohet skandali i dopingut dhe rezulton se sportistët tanë e kanë marrë me vetëditje substancën e ndaluar, kjo do të jetë një vetëvrasje për sportin shqiptar. Një tallje kombëtare dhe një turp ndërkombëtar për të gjithë shqiptarët. Në këtë situatë, duket mëse e arsyeshme dhe kërkesa e përfaqësuesve të sportit, që përdorimi i dopingut të cilësohet vepër penale dhe të dënohet edhe më burg.
Por akoma nuk dihet; e kanë përdorur vetë , ua kanë futur në Greqi apo do dalin të pafajshëm.