Dorëzohet Kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama ka bërë të enjten propozimin e fundit për reformën në drejtësi që mund të cilësohet dhe si dorëzim i Partisë Socialiste. Pas një dite te tensionuar në Kuvend mes PS dhe PD, Edi Rama ngriti duart lart, u dorëzua. Pas takimeve të shpeshta me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, ai tha “bëni ç’të doni!”. Pas negociatave mes dy të dërguarit special nga ndërkombëtarët, të enjten në mbrëmje Kryeministri ka hequr dorë nga negociatat me Partinë Demokratike. E pa se nuk ia del dot. U dorëzua! Në një status të shkurtër në Facebook, propozon se është gati të votojë çdo nen që kërkon Partia Demokratike për reformës, nëse merret miratimi i SHBA-ve dhe BE-ve.

“Një propozim i ri për PD: Shkruajeni vetë si të doni reformën, merrni miratimin e SHBA/BE dhe ne do ta miratojmë pa lëvizur asnjë presje!”,- u shpreh kryeministri Edi Rama. Deklarata erdhi e papritur, duke parë zhvillimet e tjera që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme, por edhe më parë për reformën. Disa orë pra se të “hapte” krahun për nenet e debatueshme, Kryeministri kishte deklaruar një tjetër qëndrim. Në takimin me të gjithë ambasadorët shqiptarë në botë kryeministri u shfaq me tone kërcënuese ndaj opozitës. Ai tha se mos votimi i reformës do të kishte kosto të pa llogaritshme. Kosto të nënkuptonin jo vetëm pasojat në procesin e integrimit të vendit, por edhe për partinë që është kundër miratimit të saj në formën aktuale. Bile la të kuptohej se do ti thyentë dhëmbët “armiqve të reformës!”, por mbrëmë në darkë u dorëzua.

Por si shpjegohet ky qëndrim krejtësisht i kundërt i kryeministrit Edi Rama për reformën? Vetëm pak ditë më parë ai deklaronte në Kuvend se reforma do të bëhet “me apo pa opozitën”. Madje shkoni deri në ekstrem duke kërcënuar hapur me blerje deputetësh dhe zgjedhje të parakohshme. Aq i sigurt ishte në kalimin e reformës me vota e deputetëve të blerë të PD sa në takimin e qershorit me kreun e opozitës, Basha deklaroi se nuk do të kishte më takime të tjera mes tyre. Që nga ajo kohë vendosi “vijën e kuqe” për nenet e reformës, për të cilën betohej se nuk do të kalohej nga Partia Socialiste. Ndodhi që vetë ndërkombëtarët e zhvendosen vijën e kuqe dhe draftet e reformës kanë ndryshuar me dhjetëra herë që nga prezantimi i tyre i parë. Vetë Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, nuk foli si Kryeministri për votim të njëanshëm, por për konsensus.

Para se kryeministri të bënte propozimin suprizë në zyrën e tij ka qenë ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu. Një deklaratë e tillë për ta lënë reformën në dorën e PD-së dhe ndërkombëtarëve duket se nuk është bërë pa konsultime me diplomatët e vendeve që janë partnerë strategjikë. Propozimi i ri i Ramës edhe pse u jep një rrjedh tjetër ngjarjeve që do pasojnë këtë javë ngre disa pikëpyetje. Në PS kanë nisur ta cilësojnë qëndrimin e Ramës si tregues i vizionit të tij politik. Mund të jetë dhe tregues tolerance, por nëse Rama e dinte që do të arrinte në këtë përfundim për çfarë vlejti gjithë debati prej një viti për reformën në drejtësi? Përse duheshin investuar aq shumë energji nga PS dhe pse duheshin gjithaato sherre dhe negociata kur formula qenka kaq e thjeshtë? Mjafton që Basha të negocionte me ambasadorët Lu dhe Vllahutin e reforma ishte përfunduar para 6 muajsh.

Por Rama nuk e bëri ofertën e djeshme nga toleranca. Më shumë si lëvizje lideri vizionar ishte një dorëzim përballë fakti të kryer se një reformë pa konsensus mund t’i bënte më shumë dëm sesa dobi qeverisjes së tij. I ikte karrika e kryeministrit. Plani “D” ishte në veprim!

Të enjten edhe aleati kryesor qeverisës i PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim përsëriti qëndrimin e hershëm që ka mbajtur për reformë,pra miratimin e saj me konsensus dhe pa lojëra politike.  Numri dy i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi qartë se çështja e reformës nuk është një debat që bëhet vetëm mes ekspertëve, por ka nevojë për vendimmarrje dhe konsensus politikë. Është reagimi i një aleati që ka mbështetur në çdo nismë të Partinë Socialiste pa rezerva. Madje e ka mbështetur edhe në rastet kur ka pasur mungesë të plotë transparencë dhe nuk është informuar zyrtarisht për detajet e negociatave. Qëndrimi i LSI, edhe pse u interpretua si dalje kundër PS-së, në fakt nuk është i ri. Ilir Meta ka thënë që ditën e parë se duhet konsensus

Edi Rama u dorëzua. Nga dëshira e mirë apo nga frika e karrikes sipas planit “D” ende nuk mund të thuhet, porse ngriti duart përpjetë. U dorëzua!

Tani ai duhet trajtuar nga PS-ja si dezertor i “vijës së kuqe”. Por prapë mirë bëri Rama. Tregoji se nuk është as Berisha dhe as Meta në duele politike. Dorëzohet shpejt.

Trajtojeni si të dorëzuar Edi Ramën. “Robërit e luftës” kanë status special.

Spiten Prulli

SHKARKO APP