Dr. Elez Biberaj, lajmëtari i madh i demokracisë

Nga Agim Nesho –

Dr. Elez Biberaj është padyshim shqiptaro-amerikani më i respektueshëm nga administratat amerikane dhe një personalitet i shquar i kombit tonë, që ka kontribuar së tepërmi për vendosjen e demokracisë në Shqipëri.

Për të gjithë ne që e jetuam revolucionin demokratik të viteve ’90, simboli i lirisë dhe demokracisë amerikane kishte një figurë, atë të Presindetit të SHBA-së George H. W. Bush, lideri që theu perden e hekurt që ndante Europën, dhe një zë, zërin e analistit dhe gazetarit të njohur Elez Biberaj, që nëpërmjet Zërit të Amerikës ju mundësoi shqiptarëve ndjenjën e shpresës dhe rrugën drejt shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Ai u bë shumë shpejt një ikonë për demokracinë shqiptare dhe afrimin e Shqipërisë me aleatin e saj historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Intelektual i formuar, me vizion të qartë se cfarë i duhej Shqipërisë, i paanshëm në orientimet politike por me një detyrë të madhe për ta afruar sa më shumë Shqipërinë me perëndimin dhe me SHBA-në, për të konsoliduar demokracinë. Ai ishte dhe mbeti një luftëtar pa kompromis për atë që i duhej dhe kishte nevojë Shqipëria, mik i liderëve historikë shqiptarë gjatë tranzicionit por edhe kritik i tyre sa herë devijonin nga rruga demokratike.

Dr. Biberaj ishte zëri më autoritar dhe i besueshëm për të gjitha administratat amerikane kur kërkohej mendim për Shqipërinë. Mbaj mend që në një nga bisedat me gazetarin e mirënjohur të Neë York Times, David Binder, ai më tha: ‘Në një analizë të rëndësishme në Departamentin e Shtetit për Shqipërinë, Dr. Biberaj ishte shumë kritik me qeverinë Shqiptare. Kini kujdes, është zë shumë i rëndësishëm në përcaktimin e qëndrimeve të administratës.’ Aq i rëndësishëm ka qenë roli i tij sa historia do të tregojë që ‘vetë tranzicioni i shoqërisë shqiptare në një shtet demokratik fillon me një ngjarje që lidhet me Dr. Biberaj’, ka thënë një nga këshilltarët e presidentëve amerikanë, Stephen Larrabee.

Mesazhi i fundit i Dr. Biberaj, lajmëtarit të madh të demokracisë Shqiptare 30 vite më parë, është një këmbanë alarmi për opinionin shqiptar në mbrojtje të demokracisë. Ai nuk ka shtuar asgjë vecse ka bërë një sintezë të plotë të analizave të institucioneve kryesore amerikane për nivelin e demokracisë në Shqipëri. 30 vite tranzicion demokratik dhe Shqipëria po vuan nga fenomene negative që po e zhvendosin nga rruga demokratike e saj.

Zgjedhjet e 25 prillit janë në një kohë kur Shqipëria ndodhet përpara një udhëkryqi të rëndësishëm, kur populli duhet të vendosë fatin e demokracisë: – Ose një shoqëri autoritare anadollake, ku korrupsioni dhe klientelizmi janë pjesë organike e saj, ose një Shqipëri demokratike dhe aleate e ngushtë me perëndimin dhe SHBA.

Mos prisni mesazhe të tjera nga politika amerikane. Zëri i lajmëtarit të madh të demokracisë Dr. Biberaj, është mëse i mjaftueshëm. Në rast se mesazhi bie në vesh të shurdhër, atëherë meritojmë të jemi vazhduesit e denjë të Haxhi Qamilit, regjimi i të cilit është kthyer sot në Shqipëri.

https://arkiva.kohajone.com/zeri-i-amerikes-shqiperia-shteti-me-i-korruptuar-dhe-i-shnderruar-ne-nje-sistem-njepartiak/

SHKARKO APP