Drejtësia në kaos, Qeveria shkon me pushime

-Gjykata Kushtetuese nga nëntë anëtarë ka sot vetëm një, gjykata e lartë nga 19 anëtarë ka mbetur me 7, por me sa duket KPK-ja do ta shkrijë për pak javë duke e bllokuar edhe këtë gjykatë. PD-LSI kërkojnë të mos ketë pushime për deputetët deri në gjetjen e zgjidhjes të përbashkët politiko-kushtetuese.

Më 21 korrik 2016 Parlamenti miratoi me konsensusin e 140 deputetvëe reformën në drejtësi që do të sillte fundin e korrupsionit në gjykata-prokurori si dhe largimin e duarve të politikës nga sistemi i drejtësisë. Dy vite më pas rezultati i reformës është më i keq se çdo parashikim i mundshëm. Gjykata Kushtetuese ka një vit që nuk funksionon. Gjykata e Lartë pritet që të mbetet shumë shpejt pa anëtarë, sepse KPK-ja po i shkarkon njëri pas tjetrit. Ndërsa pas disa muajsh pritet që të bllokohen edhe gjykatat e apelit në gjithë vendin.  Ngritja përgjysmë e disa institucioneve të vettingut dhe vendimmarrja e njëanshme e PS ka bërë që të nisin shkarkimet e gjyqtarëve që rezultojnë me probleme, por ideatorët e reformës nuk kanë menduar se kush do t’i zëvendësonte këta. Por opozita akuzon se PS-ja kontrollon Vettingun duke larguar gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që nuk janë me prirje të Rilindjes. Në fakt ka shkarkime që duhet duartrokitur KPK-ja sikurse janë disa largime me motive politike ose pa asnjë argument ligjor.

Gjithë rezultati i reformës deri më sot është një kaos total në sistemin e drejtësisë dhe me pasojë në gjithë shoqërinë. Largimet e para nga Vettingu kanë krijuar dhe dyshimet për seleksionime juristësh dhe largime gjyqtarësh që nuk kanë qenë mes të preferuarave të qeverisë së PS. Emrat e atyre që e kanë kaluar Vettingun, historikisht njihen si njerëz që kanë lidhje apo kanë dhënë vendime që kanë qenë në favor të PS dhe njerëzve të saj. Shkurt, kemi të bëjmë me një reformë gjysmake e cila vërtet po largon disa juristë që nuk justifikojnë pasurinë dhe meritojnë të mos jenë më në sistem, por po ashtu po largohen gjyqtarë me integritet dhe po lejohen të vazhdojnë punën juristë që nuk njihen si të ndershëm apo profesionistët më të mirë.

Njerëzit e rinj që do të zëvendësonin të larguarit janë studentët e shkollës së Magjistraturës. Sipas konsensusit të vitit 2016, emërimet do bëheshin nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Të dyja këto institucione sot nuk funksionojnë dhe për shkak të vonesave që kanë sjellë përfaqësuesit e PS. Dje mazhoranca kërkoi votat për të miratuar ndryshimet e ligjit të vitit 2016 për “Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” duke synuar të zhbllokojë edhe problemin e shkollës së magjistraturës. Propozimi i quajtur si teknik nga PS, në fakt ishte një hap tjetër drejt kontrollit të drejtësisë. Varianti i PS përcakton se në mungesë të institucioneve kushtetuese që duhet të ishin ngritur këto dy vite, emërimet e magjistratëve të bëhen nga KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme. Gjithashtu dhe kuotat e studentëve të rinj të magjistraturës të bëheshin nga parlamenti. Sipas PS, ky propozim zhbllokon kaosin me emërimet dhe funksionimin e gjykatave. Për miratimin e tij duheshin 84 vota, të cilat PS nuk i ka. Opozita e cilësoi një nismë të tillë si serinë e radhës për kapjen e drejtësisë. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se më mënyrën e re sesi është konceptuar ligji, Shkolla e Magjistraturës është kthyer në shkollën e dikurshme të Partisë Komuniste ku përgatiteshin kuadrot e regjimit.  Duke refuzuar votimin e ligjit, Lulzim Basha propozoi një plan prej shtatë pikash për zgjidhjen e krizës. Kërkesat e PD kërkojnë rikthimin e konsensusit të vitit 2016, zgjidhjen urgjente të vakumit në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhjen e një kryeprokurori të ri sipas ligjit, si dhe rishikimin e disa emërimeve në institucionet e drejtësisë, që sipas PD, janë tërësisht politike. PS-ja nuk pranoi asnjë kërkesë të PD-së. Në emër të PS foli dje kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja i cili foli për “kapsllëk” të opozitës dhe frikë nga reforma në drejtësi. Qëndrimet e pozitës dhe opozitës janë shumë larg gjetjes së gjuhës së përbashkët dhe situatën e kaosit me drejtësinë e përdorën për akuza të ndërsjella. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje një lexim real të gjendjes në të cilën ndodhet shteti pa gjykata dhe kërkoi gjetjen e konsensusit me çdo kusht. Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama deklaroi dje në dy daljet për mediat se vendi është në një kolaps që do të ketë pasoja afatgjata për qytetarët dhe çeljen e negociatave. LSI propozoi që sesioni parlamentar të mos mbyllet pa u gjetur një zgjidhje që do t’i japë vendit Gjykatë Kushtetuese si dhe sistemi i reformës në Drejtësi të funksionojë.

Përkundër kësaj kërkese, mazhoranca zgjodhi të mos marrë parasysh as planin me 7 pika të Lulzim Bashës dhe as sugjerimin e LSI për të vijuar me dialog institucional për zgjidhjen e krizës. Zyrtarisht Kuvendi, me nismën e PS, mbylli dje punimet dhe pritet të mblidhet në shtator. Në kulmin e një kaosi institucional pa sistem drejtësie, PS dhe qeveria zgjodhën që parlamenti të  vazhdojë pushimet. Është një vendim jo vetëm i papërgjegjshëm, por edhe diabolik. Ndërkohë që kriza konsumohet në gjithë shkallët e gjyqësorit, qeveria mund të vazhdojë e qetë të miratojë koncesione, marrëveshje të dyshimta dhe çdo ligj tjetër.

Gjykata Kushtetuese nga nëntë anëtarë ka sot vetëm një, gjykata e lartë nga 19 anëtarë ka mbetur me 7, por me sa duket KPK-ja do ta shkrijë për pak javë duke e bllokuar edhe këtë gjykatë. PD-LSI kërkojnë të mos ketë pushime për deputetët deri në gjetjen e zgjidhje të përbashkët politiko-kushtetuese.

Një shtet pa gjykata paralajmëron mbarimin e Shtetit. Kjo mbetet alarmante për një shtet që synon të jetë demokratik.

 

SHKARKO APP