Droga në Dukagjin, pronarët në Tiranë
Për të dytin vit radhazi, Policia e Shtetit është rikthyer në zonën e Dukagjinit për të asgjësuar zonat e mbjella me hashash. Gjatë tre ditëve të operacionit, rreth 450 efektivë të policisë dhe forcave speciale kanë asgjësuar 30 mijë rrënjë hashash. Në total janë zbuluar rreth 220 parcela. Aksioni nisi pas verifikimeve me avionë dhe helikopter nga ajri. Gjatë hyrjes në terren, policia ka zbuluar dhe parcela që nuk ishin pikasur më parë nga operacioni ajror. Në krahasim me një vit më parë numri i zonave të mbjella me hashash në Dukagjin është ulur. Rreth 12 muaj më parë, policia asgjësoi 150 mijë rrënjë. Këtë herë, të paktën deri mbrëmjen e djeshme, nuk pati shkëmbim zjarri mes trafikantëve dhe policisë. Po ashtu, deri më sot nuk ka asnjë të arrestuar për 30 mijë rrënjët e mbjella në fshatrat e thella të Dukagjinit. Zyrtarisht, 30 mijë rrënjët e djegura nga policia kanë mbetur pa “pronarë”.
Arsyeja lidhet me metodat e reja që kanë zgjedhur trafikantët. Droga e mbjellë këtë vit ishte në fshatrat më të largët, ku nuk ka rrugë automobilistike dhe ka shumë pak banorë. Edhe vendi i mbjelljes së tyre është zgjedhur në toka shtetërore dhe kullota që nuk kanë pronarë, por u përkasin njësive administrative vendore. Banorët e pakët të këtyre zonave rezultojnë të jenë punonjës me mëditje që kujdesen për ujitjen e bimëve, por pronarët nuk janë nga ato zona. Një fakt i tillë është konfirmuar dhe nga Drejtori i Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në Policinë e Shtetit, Skënder Kalemi. “Kultivimi bëhet në tokat e askujt dhe me informacionet që disponojmë sot, kultivuesit e vërtetë janë banorët e zonave urbane. Këtu paguajnë njerëz për t’u përkujdesur për kanabisin”, – tha dje Kalemi.
Një qëndrim i tillë do të thotë se pronarët e hashashit nuk janë fshatarët dhe banorët e zonave, por njerëz të tjerë në qytete. Policia ka ndërmarrë prej dy vitesh aksionet më të mëdha kundër mbjelljes së lëndëve narkotike. Operacioni më i suksesshëm ishte ai i Lazaratit, ku u bë e mundur asgjësimi i plantacioneve me qindra mijëra rrënjë dhe u çmontua një biznes që kishte lulëzuar prej gati 20 vitesh. Me goditjen që bëri një vite më parë në Lazarat, Policia goditi disa grupe trafikantësh që rrinin në Tiranë. Por fakti që mbjellja vazhdon do të thotë se ata tashmë janë bërë më të sofistikuar. Duke marrë parasysh masat e policisë, tashmë mbjellja dhe shitja e hashashit nuk është më punë “fshatarësh”. Njerëzit që kanë mbjellë parcela me nga 2 mijë rrënjë në Dukagjin janë njerëz që kanë pasur jo vetëm mundësitë për të blerë një sasi të tillë bimësh, por edhe sigurinë se do ta vilnin prodhimin. Thënë troç, kanë pasur dhe mbështetje nga struktura të politikës apo shtetit . Ndaj fukarenjtë që mbillnin hashashin dhe ujisnin janë vetëm punëtorë me mëditje, ndëra pronarërt realë duhen kërkuar në Tiranë. Policia ka bërë deri më sot aksione spektakolare duke hyrë në zona ku më parë nuk ka shkelur këmbë polici. Ka asgjësuar drogën dhe ka marrë nën hetim banorët e zonave. Por nëse fenomeni i drogës duhet të shmanget plotësisht, duhet që të shkohet deri tek pronarët e vërtetë të hashashit. Ata që financojnë këtë biznes kriminal, realisht kanë dhe garanci të tjera për shkeljen e ligjit. Nëse nuk goditen këto segmente që janë edhe në politikë, aksionet e policisë do të jenë të suksesshëm për momentin, por vitin tjetër sërish forcat speciale do të detyrohen të shkojnë në Dukagjin apo në vendet e tjera me më shumë forca.
Bosët e drogës rrijnë kapërdisur në hotelet më të shtrenjta në Tiranë, bile në mes të ish-bllokut. Ndonjë është dhe në parlament, ndaj Shteti duhet t'i arrestojë kapot e jo të kërkojë shkuljen e rrënjëve në aksione që i ngjajnë “ditëve të Enverit”. Nëse kapen mafiozët dhe politikanët e lidhur me këto qarqe atëhere edhe policia nuk do të lodhet duke hyrë maleve e monopatëve.
Shifrat e këtij viti në luftën kundër drogës janë pozitive për Policinë e Shtetit. Në total, në gjithë vendin këtë vit janë asgjësuar sipas të dhënave zyrtare, 424 mijë rrënjë hashash të shpërndara në 2886 parcela. Janë arrestuar 223 persona dhe janë në hetim në gjendje të lirë rreth 100 të tjerë. Aksionet janë zhvilluar gjatë gjithë verës dhe tregojnë se Ministria e Brendshme aksionin ndaj hashashit nuk e mbylli vetëm me Lazaratin një vit më parë. Por nga ana tjetër, këto shifra ngrejnë dhe alarmin se strukturat e tjera të shtetit nuk po godasin fenomenin tek “pronarët”. Të cilët, siç pranon dhe vetë tashmë Policia, nuk ndodhen në fshatra, por janë në Tiranë.