Drogë dhe prapë drogë!
Në debatin e djeshëm në Kuvend për drogën dhe masat e marra nga qeveria, një ngjarje e ndodhur në Spanjë i ka hedhur benzinë zjarrit të akuzave politike mes palëve. Një Major i Forcave të Armatosura Shqiptare, ka humbur jetën teksa transportonte me helikopter nga Maroku drejt Spanjës një sasi prej rreth 1 ton hashash. Majori Sokol Feka, me 18 vite karrierë në Forcat Ajrore të Ushtrisë shqiptare dhe i dekoruar disa herë me medalje, rezulton të ketë marrë lejen e zakonshme nga Ministria e Mbrojtjes. Aktiviteti privat, jashtë institucioneve të Ministrisë së Mbrojtjes i një efektivi të saj, nuk ka pse të lidhet me institucionin, por ngjarja është një dëshmi e shtrirjes së rrjeteve ndërkombëtare të drogës në Shqipëri.
Ushtaraku në trafikun të drogës
Nga 12 janari i këtij viti dhe deri në ngjarjen e tre ditëve më parë, ku humbi jetën si pasojë e përplasjes së helikopterit me një shtyllë të tensionit të lartë në Malaga të Spanjës, oficeri shqiptar duket se ka punuar për llogari të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Konfirmimi për identitetin e tij është dhënë nga autoritetet spanjolle. Ndërkohë që detajet e tjera mungojnë, pikëpyetjet lidhur me këtë ngjarje janë të shumta. Ajo që e ka ndezur më shumë situatën është fakti se në trafikun ndërkombëtar rezulton një oficer i elitës së ushtrisë shqiptare. Fakti që majori nuk ka qenë në detyrë, automatikisht largon çdo hipotezë për sulme direkte ndaj strukturave shtetërore. Por diçka e tillë nuk e ka penguar opozitën që edhe këtë ngjarje të ndodhur mijëra kilometra larg Shqipërisë, ta lidhë me zyrtarë të lartë në Tiranë. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Baze deklaruan dje se Majori kishte marrë lejen e zakonshme dhe se ka dalë jashtë Shqipërisë pa lejen e posaçme të autoriteteve ushtarake. Ligji shqiptar për funksionimin e Forcave të Armatosura sanksionon se çdo ushtarak duhet të informojë eprorët për lëvizjet jashtë shtetit. Për raste urgjente, leja e posaçme merret një javë para largimit nga vendit, ndërsa për udhëtime rutinë, kërkesa bëhet një muaj para. Për ushtarakët me gradën Major, leja jepet direkt nga Shtabi i Përgjithshëm dhe efektivi duhet të japë adresën e saktë ku do të qëndrojë, kohën dhe sidomos arsyet e qëndrimit në një vend të huaj. Diçka e tillë nuk ka ndodhur në rastin e Majorit Sokol Feka. Me këto detaje është naive të akuzosh strukturat e Mbrojtjes, pasi Ministri dhe Shtabi nuk mund të mbajnë përgjegjësi për aktivitetin e një ushtaraku jashtë detyrës së tij. Megjithatë, një verifikim i strukturave të Shërbimit Informativ Ushtarak mund edhe të kishte rënë në gjurmët e aktiviteti të ushtarakut. Nuk dihet nëse kjo ishte hera e parë që Majori kryente transportin e lëndëve narkotike. Por nga dhënat duket se bëhet fjalë për një linjë narkotrafiku tejet të organizuar, që deri tani përfshin të paktën dy shtete, Spanjën dhe Marokun. Fakti që majori shqiptar drejtonte një mjet fluturimi me vlerë miliona euro dhe një ngarkesë droge me vlerë 3 milionë euro, tregon se duhet të ketë qenë njeri i “besuar” i drejtuesve të trafiku të drogës. Ngjarja u bë publike sepse helikopteri u rrëzua, por nëse udhëtimi do të kishte dalë pa probleme, në fund të lejes Majori do të ishte sërish në krye të detyrës dhe mund të merrte edhe dekorata të tjera. Bile nuk do të ishte çudi që ai nëse kthehej edhe të trasnportonte me helikopter nëpër Shqipëri ministren e Mbrojtjes apo edhe Kryeministrin e Shqipërisë! Ndaj, nisur edhe nga ky rast, ka nevojë për informacione nga sherbimet e specializuara për çdo zyrtar të kësaj natyre dhe të ketë një datebase për sejcilin. Ka dhe një element tjetër që mund të çojë në zbulime befasuese për funksionimin e rrjeteve ndërkombëtare të drogës dhe në Shqipëri. Prania e një shqiptari ushtarak në kartelet e drogës në Marok dhe Spanjë, pritet të çojë në zbulimin e fijeve që ndodhen në Shqipëri. Një ushtarak nuk mund të shkojë në Spanjë, sepse i doli një “rrugë droge”. Në terminologjinë e rrjetve narkotike, majori që humbi jetën në Spanjë ishte vetëm një “taksist”, që paguhej për shërbimin, por dikush tjetër ka mundësuar futjen e tij në rrjet. Personi apo personat që kryenin lidhjet dhe koordinimin e fluturimeve duket se ndodhen këtu. Pas zbulimit të laboratorit të drogës në Xibrakë, zbardhja e skemës së përfshirjes së pilotit Feka në rrjetin e drogës, mund të zbulojë një tjetër trafik ndërkombëtar droge. Shërbimet inteligjente të ushtrisë kanë nisur hetimet ditën pas ngjarjes, për të verifikuar gjithë lëvizjet e efektivit që humbi jetën në Spanjë. Nga sistemi TIMS në kufi pritet të verifikohen të gjitha udhëtimet që ka kryer Feka jashtë vendit gjatë viteve të fundit, si dhe emra të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë trafik. Në hetime kanë hyrë shumë sherbime të specializuara, ndonëse më vonesë, porse së paku kanë filluar që dje.
Droga në Spanjë, sherri në Tiranë
Si për ironi, ngjarja me pilotin shqiptar u bë publike dje në seancën ku opozita dhe mazhoranca po akuzonin njëra-tjetrën për rritjen e nivelit të trafikut të drogës në vend. Kryeministri Edi Rama njoftoi në seancë lajmin për vdekjen e majorit që humbi jetën teksa transportonte drogë, duke iu referuar informacionit që kishte ardhur nga Ministria e Jashtme e Spanjës. “Kam një pyetje shumë të thjeshtë: Ky Major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vjetësh, gradën e Majorit e ka marrë në vitin 2009 dhe është një ndër pilotët më të besuar të Forcave tona të Armatosura. Çfarë sensi ka që ne t’i hyjmë një grindjeje, a është Majori juaj apo është Majori ynë?”, – tha dje kryeministri Edi Rama. Deklarata e Kryeministrit, e bërë jashtë rendit të ditës në Kuvend, ishte përpjekje për t’i paraprirë “stuhisë” së opozitës për këtë rast. Por pavarësisht se ngjarja duket se nuk ka asnjë lidhje me përfshirjen e institucioneve, opozita nuk e humbi rastin. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kërkoi brenda 5 minutave dorëheqjen e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ndërsa ka shtuar se helikopteri në fjalë, që në fakt nuk dihet ende se cilit shtet i përket, ishte parë të fluturonte në fillim të javës në Gjirokastër. Ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha, pamundësinë për të qenë prezent në Kuvend, e kompensoi me një reagim nga rrjeti social Facebook, duke e shtuar edhe më tepër dozën e akuzave. Sipas tij, përfshirja e një efektivi të Forcave të Armatosura në trafik droge dhe “avionët e drogës një vit më parë në aeroportin ushtarak të Gjadrit njollosin imazhin e Shqipërisë”.
Por a ishte pjesë e një rrjetime bazë Shqipërinë piloti që vdiq në Spanjë dhe a ka lidhje me grupin e Xibrakës? Janë pyetje që po zbardhen nga pak e përditë. Por shumë drogë po mbulon Shqipërinë ! Apo janë duke u zbuluar nga Policia shqiptare bastionet e ngulitura ndër vite apo janë bastione të reja-kjo do pak kohë që të ketë një përgjigje të saktë.
Qamil Xhani