Dru nga Lu!

 
 
Një javë më parë foli në parim për personat që e pengojnë reformën në drejtësi. Kishte kërkuar edhe herë të tjera nga politika që të largohen nga krimi, nga padrejtësitë, korrupsioni, nga loja për ta vonuar reformën në drejtësi. Duroi e duroi dhe më në fund nxori “drurin” ambasadori amerikan në Tiranë që t’ju binte kokës. Dje Donald Lu nuk ka hezituar të përmendë edhe emra konkretë të personave që duhet të ishin në burg, por shëtisin të lirë falë vendimeve të gjykatave. Në fjalimin e mbajtur në takimin publik për reformën në drejtësi, zhvilluar nga ministria e Drejtësisë, ambasadori amerikan ka qenë më i ashpër sesa çdo herë tjetër në qëndrimet publike. Për të treguar se në çfarë llumi është sot drejtësia dhe çfarë vendimesh jep ajo, ai ka dhënë tre shembuj konkretë. “Javën e shkuar pyeta se kush i trembet më shumë kësaj reforme. Thashë se shumë zyrtarë të qeverisë dhe gjyqësorit i tremben asaj. Personat e tjerë që duhet t’ia kenë frikën janë kriminelët, autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë. Persona si Arben Frroku që vrau një shef policie, por që në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi, derisa ishte në pritje të apelit në gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë, Emiljano Shullazi, që haptazi është akuzuar nga media për trafikim të vazhdueshëm të narkotikëve dhe vrasje, por nuk është çuar përpara drejtësisë. Dhe persona si Mjacaj, i cili u dënua për vrasjen e një djali 13-vjeçar, por që më herët u lirua në mënyrë të dyshimtë nga burgu dhe më pas vrau një çift çek. Këta janë personat që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie që funksionon”, – tha Lu.
Në kulmin e debatit për pastrimin e gjykatave dhe në reformën për drejtësi, duket se jo rastësisht ambasadori Lu ka zgjedhur tre emra që kanë simbolikë të caktuar. Ai ka deklaruar se Arben Frroku, i akuzuar nga prokuroria si vrasës i një drejtuesi të lartë të policisë, është lënë i lirë. Për një diplomat perëndimor, është e pakuptueshme sesi për një njeri që Prokuroria ka ngritur një akuzë të tillë, gjykata mund të japë një vendim flagrant lirie të kundraligjshëm. Është ndër rastet kur gjykata ose ka bërë shërbime politike, ose është dorëzuar para presioneve të politikës.
Gjithashtu, ka përmendur dhe Emiljano Shullazin, një emër i njohur në Tiranë si i dyshuar në disa vepra penale, por që edhe pse është arrestuar disa herë, sot është i lirë si gjithë qytetarët e tjerë. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 dhe disa muaj më parë emri i tij u bë temë kryesore e akuzave PD-PS, ku një herë dilte se ishte militant i PD-së dhe një herë militant i PS-së. Pavarësisht teserës partiake, përmendja e emrit të tij nga ambasadori, duket se është një nga rastet konkrete kur politika ndikon edhe në vendimet e gjykatave që e kanë lënë të lirë.
Ambasadori përmendi dhe emrin e Sokol Mjacajt, i cili dy ditë më parë u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e turistëve çekë. Por, para se të kryente vrasjen që tronditi gjithë Shqipërinë, Mjacaj ishte lënë i lirë nga gjykata me një dënim qesharak për vrasjen e një minoreni. Ky është modeli i tretë i vendimeve abuzimeve që japin gjykatat. Nëse në dy të parat mund të ketë dhe ndikime politike, tek rasti ‘Mjacaj’ gjykatat kanë bërë vetë shërbime sekseri. Liruan një bashkëpunëtor në vrasjen e një fëmije, duke sjellë më pas edhe dy vrasje të tjera.
Të tre rastet janë modelet sesi operojnë sot gjykatat, ku pavarësisht nga krimi që kanë kryer, të akuzuarit lirohen nëse kanë mbështetje direkte politike, kanë miq në partitë kryesore, apo edhe kur janë delinkuentë pa teserë partie, japin para dhe nuk bëjnë asnjë ditë burg.
Ambasadori Lu tha se persona të tillë kanë frikë nga reforma në drejtësi. Realisht, mesazhi i ambasadorit Lu u nis nga emrat, por përfundon tek ata që e kanë realisht në dorë reformën në drejtësi dhe që janë partitë politike. Janë ato që e kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë me ndërhyrjen e tyre dhe janë ato që kanë vendosur në gjykata njerëz që i shërbejnë lekut dhe jo ligjit.
Fjalimi i djeshëm i ambasadorit kishte edhe një mesazh për gjyqtarët dhe prokurorët, që janë pjesë e reformës në drejtësi, por që sipas ambasadorit përsërisin fjalët e shefave. “Kam kuptuar se disa personave mund t’u jetë thënë prej shefave të tyre se çfarë duhet të thonë, ose më keq akoma, se çfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë, më kujton të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhmen e saj demokratike. Kini kurajën të flisni atë që mendoni ju dhe mos përsërisni verbazi çfarëdo lloj gjëje që u kanë dhënë të thoni”, – u shpreh ambasadori.
I thënë në shqip dhe troç, fjalimi i ambasadorit të SHBA-ve ishte ndër më të fortët për sistemin e sotëm të drejtësisë. Nuk ishte fshikullim, por një “dru” i mirë edhe për politikanët , të cilët janë këta që emërojnë kë duan e si duan gjyqtarët dhe më pas i përdorin sipas interesit të momentit. Është politika që ka krijuar këtë sistem drejtësie të korruptuar në themele dhe më pas drejtësia që e ledhaton politikën për të bashkëjetuar në pisllek e krim.
Dje foli ashpër Donald Lu. Herë të dytë nuk ka më për politikën që e anashkalon dekriminalizimin dhe reformimin e sistemit të drejtësisë. Të mos harrojnë se po përballen me SHBA-në!
 
 

SHKARKO APP