Duhet bërë drejtësi Perendimore në Shqipëri
Nga Donald Lu.
E dimë që populli shqiptar sot nuk i beson sistemit të tij të drejtësisë. Kemi kaluar muaj të tërë duke folur për gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe të paaftë dhe për një sistem ku të duhet të paguash para për të marrë drejtësi. Jemi këtu sot për të folur për njerëzit që po punojnë në heshtje për ta ndryshuar këtë sistem, për ta bërë më të vështirë kërkimin e rryshfetit, për të publikuar emrat e zyrtarëve të korruptuar dhe për të edukuar gjykatësit, avokatët e prokurorët mbi standartet ndërkombëtare. USAID ka shpenzuar rreth dhjetë milionë dollarë gjatë pesë viteve të fundit në mbështetje të Projektit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë (JuST). Qëllimi i këtij projekti ka qenë forcimi i aktivistëve shqiptarë të OJQve, gazetarëve të pavarur, zyrtarëve të gjykatave dhe profesorëve që të punojnë për ndryshimin. Shqipëria ka ende shumë rrugë për të bërë për ta pastruar sistemin e saj të drejtësisë. Sot do të dëgjoni shumë prej historive të suksesit që na japin shpresë se gjendja po ndryshon në të mirë të reformës. Pesë vite më parë asnjë seancë gjyqësore në Shqipëri nuk regjistrohej. Sot regjistrohen tetëdhjetë për qind e tyre dhe Ministria e Drejtësisë e Këshilli i Lartë i Drejtësisë po nxisin që të arrihet në njëqind për qind. Kjo u sjell gjykatave më shumë transparancë. Pesë vite më parë, një çështje penale në Korçë ose në Krujë kërkonte zhvillimin e nëntë seancave gjyqësore për marrjen e një vendimi. Sot, nevojiten vetëm tre seanca gjyqësore falë teknikave të prezantuara të menaxhimit aktiv të çëshjeve gjyqësore. Kjo u jep njerëzve drejtësi pak më shpejt. Gjatë pesë viteve të fundit, JuST ka mbështetur Gazetarët Shqiptarë për Drejtësinë për krijimin e një faqeje interneti të pavarur për botimin pa censurë ose ndërhyrje të artikujve dhe të kryeartikujve. Kjo lejon kritikën e hapur, e cila mund të ndihmojë në sjelljen e ndryshimit. Më lejoni të falenderoj drejtorin e JuST Jay Carver dhe personelin e tij shumë të talentuar. Ata kanë punuar me çdo gjykatës, sekretar gjykate, profesionist të teknologjisë së informacionit në gjykatë dhe kancelar gjykate në vend për ta bërë këtë projekt të suksesshëm. Jemi krenarë për arritjet e shumta të këtij programi novator përgjatë pesë viteve të shkuara. Presim me kënaqësi të vazhdojmë punën tonë në sektorin e drejtësisë dhe mbështetjen për një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi. Populli shqiptar meriton të ketë një sistem drejtësie të ndershëm, të drejtë dhe të pavarur. Programi JuST e ka ndihmuar Shqipërinë të lëvizë më pranë këtij qëllimi.
*Fjala e ambasadorit të SHBA në ceremoninë e mbylljes së Projektit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë