Duhet transparencë publike për Paktin me Greqinë

Arritja e një marrëveshje për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ka nxjerrë në pah disa kundërshti që ekzistojnë mes institucioneve kryesore në vend. Konkretisht mes Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm. Të gjitha palët bien dakord se me Greqinë duhet të ketë një marrëveshje që të zgjidhë problemin e mbartur të kufirit detar, por qëndrimet ndahen në mënyrën sesi duhet miratuar dhe vënë në zbatim Marrëveshja. Presidenti Ilir Meta, me autoritetin që i jep Kushtetuta dhe ligjet për paktet ndërkombëtare, ka theksuar tre ditë më parë se marrëveshja me Greqinë duhet të votohet nga Parlamenti vetëm kur vendi të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Është një qëndrim që Presidenti tha se ia ka bërë të qartë Kryeministrit Edi Rama lidhur me mënyrën sesi do të procedohet. Qëndrimi i Presidentit të Republikës është kushtetues dhe mjaft korrekt. Të mos harrojmë se flitet për territor shqiptar ujor, i cili do të humbet një herë e përgjithmonë, pasi Greqi do të vërë kufirin aty dhe nuk e merr më sikur të ngrihen breza të tërë gjeneratash shqiptare.

Ndaj është përgjegjsi e madhe historike kombëtare. E bëri Mbreti Zog me Shën Naumin shqiptar, kur ua fali serbo-malazezëve dhe tashmë ajo tokë nuk është më e jona që prej afro 100 viteve. Për dijeni të brezave duhet theksuar se Shën Naumi dhe Vermoshi (me pas Vermoshi u rikthye) janë emrat të cilat Ahmet Zogu ia dhuroi Jugosllavisë në vitin 1925 (dhuratë e cila u legalizua në vitin 1926) si shpërblim për ndihmën politike, financiare dhe ushtarake që atij i dha kryeministri serb Nikolla Pashiçi për të shtypur në dhjetor 1924 qeverinë revolucionare të Fan Nolit dhe për të rivendosur autoritetin e vet pushtetor në Shqipëri. Ky ndryshim i padrejtë i kufirit shqiptaro-jugosllav në dëm të Shqipërisë është kritikuar vazhdimisht gjatë këtyre dekadave që kur ajo u nënshkrua, madje vazhdon të kritikohet edhe në ditët tona.

Kjo histori nuk duhet përsëritet në forma moderne të kohës së sotme.

Presidenti Meta ka deklaruar dhe duket i vendosur se pa gjykatë kushtetuese në funksion nuk do të firmos asnjë Marrëveshje të tillë. Ndaj këtij saktësimi të kreut të shtetit që kërkon zbatimin e ligjit, mazhoranca ka reaguar në mënyrë jo shumë të qartë. Fillimisht Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se ishte “i habitur nga ky qëndrim i kreut të shtetit”. Ndërsa të enjten në “Vizion Plus”, Edi Rama propozoi një rrugë të ndërmjetme. Sipas kreut të qeverisë, qëndrimi i Presidentit ishte një “opinion i kreut të shtetit” dhe se marrëveshja kalon pa problem në Kuvend, pasi Parlamenti është sovrani që vendos. Ndërsa për mungesën e Gjykatës Kushtetuese kryeministri tha se ndaj marrëveshjes mund të bëhen ankesa, por ato do të shqyrtohen në momentin që ngrihet Gjykata Kushtetuese.

Para se në opinion të nis loja me deklarata për marrëveshjen e detit, qytetarëve duhet t’u shpjegohet se çfarë rëndësie ka Gjykata Kushtetuese në këtë proces. Gjykata Kushtetuese është autoriteti më i lartë ligjor në vend që kontrollon ligjshmërinë e akteve ligjore të tjera të shtetit, duke përfshirë Qeverinë, Parlamentin dhe Presidentin.  Aktualisht Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese. Si pasojë e vettingut dhe mbarimit të mandatit të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ky institucion sot ka vetëm 2 nga 9 anëtarët e saj, bile me saktë një. Ose edhe më saktë asnjë, pasi edhe kryetarin ONM e ka dërguar për rigjykim!

Në këtë mënyrë Gjykata nuk mund të marrë në shqyrtim asnjë çështje, përfshi dhe ato që kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtare. Marrëveshja e qeverisë “Berisha” në vitin 2009 për ndarjen e detit me Greqinë u rrëzua pikërisht nga kjo gjykatë, pas ankesës së bëri Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, për antikushtetueshmëri të paktit. Në atë kohë qeveria “Berisha” dhe ministria e Jashtme deklaruan se kishin nënshkruar marrëveshjen me të balancuar për Shqipërinë, por fakti është se shqyrtimi në gjykatë i dokumenteve të ratifikuara nga qeveritë përkatëse e cilësoi atë antikushtetuese, pasi prekte integritetin territorial të Shqipërisë.

E njëjta situatë politike paraqitet edhe sot. Qeveria dhe Ministria e Jashtme thonë se janë duke nënshkruar marrëveshjen më të mirë me Greqinë. Ndërkohë opozita flet për shitje të interesave kombëtare dhe humbje të palës shqiptare. Drafti i dokumentit është ende jo përfundimtar, por në momentin që do të shtrohet për miratim reagimet pritet të jenë të forta. Këtë situatë mund ta zgjidhte Gjykata Kushtetuese duke përcaktuar nëse kemi apo jo humbje territori dhe pasurish natyrore. Por ky institucion sot është jashtë loje, sepse loja dinake e kryeministrit e shkriu këtë gjykatë. Mundet edhe me dinakëri për interes të marrëveshjes së detit. Teksa sheh nxitimin e qeverisë për të vepruar pa Gjykatë Kushtetuese, kuptohet se nxjerrja e saj jashtë funksionit nuk ka qenë vetëm për shkaqe të reformës në drejtësi. Zgjidhja që propozon kryeministri Edi Rama është jo ligjore, bile edhe jashtë parimeve të marrëveshjeve. Praktikisht kryeministri thotë se Parlamenti ka autoritetin për të votuar marrëveshjen dhe më pas palët, që mund të kenë ankesa, duhet të presin sa të ngrihet Gjykata Kushtetuese. Kjo është as më shumë as më pak si të pranosh humbjen që në fillim. Nëse Parlamenti voton marrëveshjen ajo hyn në fuqi brenda pak ditësh dhe nis zbatimi. Ende nuk mund të thuhet me siguri çfarë ka brenda marrëveshja, por nëse marrim rastin më të keq që humbasim territor, si mund të anulohet një marrëveshje që është ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar dhe për pasojë dhe nga ai grek? A mund të marrë territor qeveria “Rama” pasi e ka firmosur një herë më vendim Kuvendi dhënien e tij? Për më tepër, ende sot nuk ka një ditë se kur do ngrihet Gjykata Kushtetuese. Procedurat për këtë institucion duan muaj apo vite, ndërkohë qeveria thotë se është shumë afër marrëveshjes. Ajo që propozon kryeministri teksa flet për Kuvendin, në fakt i referohet vetëm shumicës parlamentare të PS, pasi Partia Demokratike dhe LSI deri tani e kundërshtojnë mënyrën sesi po operohet për paktin me Greqinë. Pra edhe nëse do të kemi një vendim parlamenti, në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me një votë politike të Partisë Socialiste dhe jo qëndrim unanim politik kombëtar.

Ky projekt i kryeministrit Edi Rama që anashkalon Gjykatën Kushtetuese dhe sugjerimin e Presidentit është kritikuar dje nga një raportim i “Zërit të Amerikës”, duke i kujtuar se marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë çështje që trajtohen në mënyrë politike nga shumicat parlamentare. “Megjithatë, çështja nuk është thjesht dhe vetëm në dorën e shumicës. Në këtë rast bëhet fjalë për një “marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë” dhe sipas ligjit të posaçëm të miratuar në 2016, marrëveshje të tilla “mund të nënshkruhen nga Presidenti i Republikës ose nga Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave apo çdo zyrtar i lartë, në çdo rast me autorizim nga Presidenti i Republikës”. Pra roli i kreut të Shtetit është vendimtar, dhe deklarata e zotit Meta, nuk duket të ketë qenë thjesht një opinion, por bërja e qartë e faktit se ai është i vendosur të luajë plotësisht rolin dhe kompetencat që i njihen në këtë rast”,– thuhet në artikullin e Zërit të Amerikës.

Qëndrimet e ndryshme për marrëveshjen kanë nisur kur ende nuk kemi një produkt zyrtar final. Ndërkohë më e rëndësishme është ajo çfarë po negociohet mes ekipit shqiptar dhe atij grekë. Detajet e para që janë bërë publike flasin për probleme serioze me paktin e ri. Koloneli në pension, Myslim Pashaj, eksperti që ngriti alarmin kombëtar për shkeljet e marrëveshjes së vitit 2009, e sheh situatën në dëm të palës shqiptare. Në intervistat e dhënë në media, Pashaj thotë se “ekziston një draft marrëveshjen që është hartuar në diktatin e palës greke”. Po sipas tij, draftmarrëveshja nuk është firmosur nga një anëtar i ekipit shqiptar dhe kjo tregon “se Pakti 2 ka probleme shumë të rënda”. Eksperti nuk e fsheh se kemi të bëjmë me një tjetër marrëveshje ku pala shqiptare del e dëmtuar. E vërteta e “Pakti 2” do të zbulohet vetëm kur qeveria shqiptare do të pranojë të publikojë draftin e marrëveshjes për të cilën është rënë dakord mes palëve. Ajo që është urgjente në këtë situatë është transparenca. Qeveria shqiptare duhet të flasë më qartë për këtë marrëveshje, pasi shumica e asaj që dihet sot ka dalë në publik vetëm nga Ministri i Jashtëm grek dhe nga media greke. Qeveria “Rama” duket më shumë e shqetësuar për mënyrën sesi do të bëjë të vlefshme marrëveshjen dhe jo për territorin që humb Shqipëria.

Në çështjen e negociatave me Greqinë ka rëndësi qëndrimi i përbashkët i palës shqiptare. Ndërsa Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm po nxitohen të miratojnë një marrëveshje duke anashkaluar rolin e institucioneve, kreu i shtetit po u tregon rrugën sesi kjo marrëveshje të jetë e pranueshme dhe të mos krijojë probleme si pakti i parë.

Por para se të arrihet të miratimi i paktit, qytetarët kanë nevojë urgjente që qeveria shqiptare t’u tregojë se çfarë po negocion me Greqinë.

 

SHKARKO APP