E keqja po vjen ndryshe

 

Nga Frrok Çupi
Tanimë njerëzia ndjen vërtet frikë. Jo vetëm frikë, por edhe një profeci se një e keqe e madhe po afrohet. Njerëzit shikojnë se krimi po përhapet frikshëm. Krimi ka mbërritur lart në Parlament. Dhe jo vetëm në Parlament si fron i lartë, por edhe në fronin më të lartë të Parlamentit. Në qeveri, gjithashtu. Në gjykatë, në Prokurori, në Sukth, në Fushë-Krujë, në Tiranë me shumicë, në Lazarat, në Vlorë… Njerëzit po shikojnë me frikë dhe profetojnë. Ata që kanë dhuntinë të flasin më shumë ose të shkruajnë në bloge e rrjete sociale, këta shtrojnë edhe më shumë profeci se "si do të vijë e keqja". 
Shumica i referohen të keqes më të fundit. 
E keqja më e fundit ka qenë e vitit 1997,  një furtunë e "rebelimit komunist", siç e quajti Av. Spartak Ngjela, në raportin e tij si kryesues i Komisionit Parlamentar mbi Rebelimin. Atë vit ra përtokë ekonomia. Ra shteti. Ra siguria e individit dhe e kombit. U vranë qindra njerëz; njerëzit u vranë edhe nga plumba qorr që vinin nga qielli. Kombet e Bashkuara dërguan 6000 trupa ushtarake për të ruajtur paqen mes nesh. Një botë e tërë i ktheu sytë nga Shqipëria, thuajse siç i ka sot sytë nga Kenia, fjala vjen.
Kjo ishte e keqja më e fundit; dhe për këtë arsye shumë "predikues" thonë se kështu do të vijë përsëri e keqja.  "1997-a!", përsërisin.
Pse vallë njerëzit i kthejnë sytë nga një e keqe që sapo kanë lënë pas? 
E tëra i përket natyrës njerëzore.
E para, 
se njeriu e ka më të lehtë të shikojë prapa se sa përpara, të prekë më lehtësisht atë që ka prekur edhe një herë më parë. Historia e kombeve ka dëshmuar për këtë. Studiuesit e kanë parë me sy se si izraelitët, edhe pasi lanë Egjiptin dhe u vendosen në atdheun e ëndërruar, përsëri mendjen në Egjipt e kishin. Izraelitët njihnin më mirë Egjiptin se sa vetë dheun e tyre.
E dyta,
se njeriu i zakonshëm, fatmirësisht, është shumë fëmijë para krimit. Njeriu i zakonshëm nuk i percepton gjithë manovrat dhe dhelpërinë e krimit. Prandaj i referohet një të keqeje "shumë të madhe" të cilën, një herë më parë e ka çmontuar si makinë lodër. Po ta kuptonte  njeriu i thjeshtë furinë e së keqes që i vjen, atëherë do të ishte më keq.
E treta,
kush mund ta dijë se çfarë planifikon krimi në një shoqëri të hapur?! Krimi, në shoqërinë e diktaturës komuniste, ishte i deklaruar me ligj. Ligji të thoshte se "ke shkelur barin e lulishtes" dhe pas kësaj ti e dije qartë se do të kalbeshe në burg për "agjitacion e propagandë". Krimi të thoshte me zë të lartë se "do të hamë bar…", se "për parimet japim jetën", se "në rrethim do të luftojmë" kundër gjithë botës. Ndërsa në shoqërinë e hapur post- komuniste krimi sofistikohet. Ose fjalën "sofistikohet" le ta zëvendësojmë me aktin e ujit që lëshohet në ara e shkon nën tokë rrënjë më rrënjë bimëve. 
Jemi në momentin kur krimi ka bërë rrugën e nëndheshme, nga bima në bimë. Njeriu është shumë i frikësuar sepse sapo ka parë se krimi ka vaditur rrënjët e posteve më të larta në shtet. Dje në komentet e qytetarëve në media thuheshin edhe këto opinione: "Bravo deputet që po e legalizoni drogën. Deri tani e keni luajtur nën dorë, tani i dilni popullit ballas". Një tjetër: "Arben Frroku u lirua nga burgu sepse Ilir Meta ia dhuroi vëllait të Benit me qëllim që ta përdorte kundër Doshit për të fshehur krimin"… Domethënë ka një trajektore ndryshe kësaj here; krimi është lart. Po të ishte 1997, do të përmendej Sudja, etj., dhe kaq.
Por ja ku jemi. 
Veç dje kanë ndodhur këto ngjarje të mëdha: E para është liruar nga burgu i akuzuari për vrasjen e komisarit të Policisë; dhe ky do të zëvendësojë vëllain e tij deputet që sapo u burgos. Ngjarja lidhet direkt me lëvizjet publike të kryetarit të Kuvendit dhe Ministrit të Punëve të Brendshme. Vetë Kuvendi ka pranuar se është i kriminalizuar.
Ngjarja e dytë: Në mes të ditës, një njeri në moshë të re kapet me 20 kg. lëndë plasëse C4, gati për tu plasur, i cili mund të shkatërronte Durrësin të tërë. Individi me tritol dhe individi në fronin e lartë të shtetit lidhen me një fije që shkakton tmerr: Ose vret njerëz të pafajshëm, ose vret bankerin për të fshehur paratë; ose vret kundërshtarin politik; ose tritolin e venë si qen- roje te dera me nënshkrimin: "Këtu mos kalo, deri te unë nuk vjen dot i gjallë". Pushteti mund të ruhet me tritol dhe me luftë.
Kështu mund të vijë e keqja kësaj here, ndryshe. Atëherë në kafene dhe në bloge do të përhapet profecia se "1997 ishte më e lehtë, çarë ishte ajo mor jahu!…" Politikanë qeveritarë po e përmendin vitin 1997, si një metodë për të lehtësuar atë që e dinë se mund të ndodhë pas instalimit të krimit në shtet.  
Koha Jone

SHKARKO APP