E kujt ishte droga?
Operacioni i zhvilluar nga policia shqiptare për shkatërrimin e një baze të përpunimit dhe trafikimit të drogës ka bërë të mundur sekuestrimin e një sasie rekord droge në Shqipëri dhe në Ballkan. Bilanci i operacionit me 11 persona të arrestuar dhe 121 kilogramë kokainë tregon se në Shqipëri ka ekzistuar një laborator dhe jo vetëm një që furnizojnë vendet e Bashkimit Europian. “Një laborator modern dhe më i madhi në Ballkan”, – u shpreh dje ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri pas vizitës që bëri në vendin ku u bë operacioni. Vlera e monetare e drogës së sekuestruar arrin në rreth 10 milionë euro. Por nëse bëhen llogaritë me sasinë e përzierësve të drogës së kapur nga policia, grupi kriminal ka parashikuar të kishte “punë” për tonelata kokaine. Në lojë kanë qenë qindra miliona euro që qarkullonin nga vendet e Amerikës Latine, si Panamaja dhe Kolumbia, për në Shqipëri dhe më pas, drejt vendeve të Bashkimit Europian. Zyrtarisht, thuhet se grupi kriminal ishte nën hetim prej disa muajsh dhe se bazën e përpunimit të drogës në Elbasan e kanë hapur gjatë vitit të kaluar. Kjo lë të kuptohet se aktiviteti i tyre kriminal nuk ishte i shtrirë shumë në kohë. Por të dhënat hetimore flasin se shumë nga të arrestuarit kanë kompani biznesi e investime të konsiderueshme në prona dhe apartamente në Tiranë, por sidomos në zonat bregdetare të vendit. Një pasuri që mund ta kalojë shifrën e 20 milionë dollarëve. Një pasuri e tillë nuk mund të jetë vendosur brenda pak muajve dhe personat e përfshirë në tregtinë e drogës duket se kanë pasur vite që ishin pjesë e rrjeteve të trafikut ndërkombëtar. Pra, nuk është një tregti që lulëzoi brenda pak kohësh, por një trafik i organizuar në mënyrë të përkryer, duke u fshehur pas tregtisë së bimëve medicinale dhe bizneseve të tjera. Baza e kapur në Elbasan mund të jetë më modernia dhe e hapur së fundmi, por duket se nuk ka qenë e vetmja në Shqipëri. Paratë që ka përfituar grupi kriminal duket se janë shumë për të qarkulluar vetëm në duart e pak njerëzve, shumica e të cilëve, përveç nipit të Enver Hoxhës, ishin emra anonimë për publikun. Madje disa syresh dhe pa precedentë të mëparshëm penalë. Një grup i tillë kriminal nuk ka lindur “brenda” pak kohësh. Ajo që është shqetësuese lidhet me faktin se përse policisë shqiptare i ra në sy vetëm vitin e kaluar, kur u sinjalizua nga autoritetet gjermane? Këtu çështja nis dhe komplikohet. Ata që janë arrestuar rezultojnë si persona që bënin tregtinë. Një trafik i tillë me dhjetëra milionë euro dhe tonelata drogë nuk mund të bëhet vetëm nga një organizatë kriminale me 11 persona, pa pasur një mbështetje të fortë të sferave të larta. Në Shqipëri sferat e larta janë gjithmonë njerëzit e veshur me pushtet politik, të vetmit që kanë “aftësinë” të bëjnë të heshtin shërbimet inteligjente, të bllokojnë hetimet e prokurorisë dhe të lajmërojnë në kohën e duhur trafikantët për t’u shpëtuar operacioneve të policisë. Faktet në këto 24 vite kanë qenë të shumta, ndaj dyshimi mbetet prezent.
Deklaratat e bërë nga politika pas operacionit hedhin dritë edhe më shumë mbi një pistë të tillë. Kryeministri Edi Rama përgëzoi mbrëmjen e dy ditëve më parë policinë për operacionin spektakolar. Megjithatë, një fjali e tij flet shumë, por dhe ngre pikëpyetje të tjera lidhur me këtë operacion. “Sekuestrimi i mbi 100 kg kokainë është rezultati spektakolar i një policie të ndarë nga krimi, e cila është kthyer në detyrë. Uroj që opozita të mos mërzitet nga kjo arritje madhore e policisë”, – u shpreh kreu i mazhorancës. Pse duhet të mërzitet opozita kur një operacion gjigant anti-drogë shkon mirë? Kryeministri nuk ka dhënë përgjigje duke lënë të hapur mundësinë e aludimeve nga më të frikshmet, të cilat shkojnë deri atje sa të aludohet se në kohën e qeverisjes së PD-së trafiku i drogës ishte pjesë e qeverisjes së saj. Ose edhe më keq; që qeverisja e drejtonte trafikun në fjalë. Qëndrimi i kryeministrit Rama ka shkaktuar një reagim të fortë në Partinë Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i PD-s, Arben Ristani, ish-zëvendësministër i Brendshëm në qeverinë e PD-së ka bërë dje aludime për financimet e organizatës kriminale. Ai i ka bërë disa pyetje publike kryeministrit, ku ka kërkuar sqarime lidhur me financimet e fushatës elektorale të PS-së, duke lënë të nënkuptohet se paratë e një prej të arrestuarve kanë shkuar për mitingjet e mazhorancës së sotme. Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha ka shtuar dozën e akuzave. Sipas tij, i arrestuari kryesor është nipi i diktatorit Enver Hoxha, i njohur “për lidhjet e ngushta me kupolën më të lartë të PS-së në tërësi dhe në veçanti, e personalisht për lidhjet e ngushta e familjare me Edi Ramën, mik i ngushtë i kahershëm i prindërve të narkotrafikantit”. Dalja në skenë e emrit të nipit të Enver Hoxhës e bën më interesante për opinionin gjithë këtë histori trafiku droge. Fakti është që një operacion i tillë, megjithëse detajet e para janë dhënë nga Gjermania, mund të ishte i dështuar nëse nuk do të kishte një vendosmëri nga ana e Kryeministrit dhe e Ministrit të Brendshëm për të goditur trafikun e drogës. Ndaj përfituesit e tjerë të këtij trafiku miliarda lekësh, mund të jenë edhe në politikë, edhe në media, por nuk duhet kërkuar e keqja tek ata që bënë të mundur arrestimin e trafikantëve. Si mundet të hidhen dyshime nga PD-ja për ministrin e Brendshëm apo kryeministrin sikur janë kupola e krimit, ndërkohë që nuk e kishin të vështirë me një telefon t’i kishin lajmëruar “që merrni masat se ne po vijmë!”. Dhe asgjë nuk ishte kapur! Ose, ishin lënë ca kazanë bosh e ca tasa e pak miell, por njeri nuk kishin kapur e vënë në pranga.
Partia Demokratike thotë se droga është e njerëzve të PS-së, bile as e LSI-së, porse vetëm e miqve të ngushtë të kreut të qeverisë. Bile burime në selinë blu, por që kanë punuar në Policinë e Shtetit, tregojnë se ka patur rrjedhje informacioni nga një segment i policisë në momentin që ka filluar stuhia e arrestimeve. Dikush nga ata, në një mënyrë fine, për të lajmëruar pjestarët e grupit të ikin ka dhënë lajmin në media në darkë se “u arrestua nipi i Enver Hoxhës”, ndërkohë që ai nuk ishte arrestuar! Pra, një sinjal mediatik që të largohej, pasi përdorimi i telefonit ishte i rrezikshëm se gjithçka monitorohej e përgjohej direkt nga Prokuroria e Përgjithshme, pala gjermane dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ky është varianti i PD-së se droga ishte e lobit të PS-së. Ndërsa kryeministri Rama hodhi “ushtën e zjarrit” kur tha se “të mos na mërzitet opozita për kapjen e laboratorit të drogës!”. Ka dhe një të vërtetë të madhe, e cila duket sikur është anashkaluar; Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Adriatik Llalla, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi kanë muaj që janë në radhë të parë të goditjes ndaj krimit të organizuar. Por pa mbështetjen e Kryeministrit nuk mund të besohet se forca goditëse do të ishte vendimtare, pasi kreu i qeverisë është njeriu më i informuar. Interesant është se nuk pati asnjë rrjedhje informacioni nga strukturat e hetimit, siç mund të ketë ndodhur në ndonjë rast të mëparshëm. Mësohet nga burime të rezervuara, se pala gjermane ka edhe përgjime me emra të tjerë nga radhët afër politikës dhe do t’ia jap Prokurorit të Përgjithshëm javën e ardhshme.
Qamil Xhani